E martë, korrik 29, 2014 Kosova 22:50

Kronika

Ndikimi i politikës në ekonomi

Prodhuesit kosovarë, gjatë një tryeze të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, rreth ndikimit të politikës në prodhimin vendor, potencuan se gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, ballafaqohen me vështirësi të shumta, të cilat shkaktohen si pasojë e mosveprimit të institucioneve të Kosovës. Ata kërkuan nga institucionet që t’i mbështesin prodhuesit vendorë, duke krijuar kushte më të mira.


Përfaqësues të bizneseve kosovare dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë në ekonomi, duke e ndihmuar prodhimin dhe duke u krijuar prodhuesve vendorë hapësirën e tregut të Kosovës, pasi që, siç thanë ata, vetëm konsumimi i prodhimeve vendore mund t’i garantojë Kosovës një zhvillim ekonomik në të ardhmen, si dhe zbutje të papunësisë.

Pronari i Fabrikës së ujit “Kika”, Abdullah Bajra, tha se Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk ka krijuar kushte të mira për prodhuesit vendorë. Sipas tij, bizneset që merren me importimin e mallrave, kanë ambient më të favorshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, sesa prodhuesit vendorë.

“Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar as për infrastrukturë dhe as për gjëra të tjera. Qeveria jonë, deri më tani, është pritur që të ketë dy TVSH (tatimi mbi vlerën e shtuar): TVSH-ja 5 deri në 7 për qind dhe TVSH-ja tjetër, e cila do të ishte për produkte të tjera. Kjo nuk po zbatohet në vendin tonë”, u shpreh Bajra.

Këto vështirësi, sipas aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Imeri, shkaktohen nga vendimet politiko-ekonomike, të cilat rezultojnë në veprime, mirëpo shpesh edhe në mosveprime të institucioneve të Kosovës, e që, siç tha ai, kanë ndikim negativ në prodhimin vendor dhe ekonominë vendore në përgjithësi.

Qasja ekonomike e institucioneve të Kosovës ka qenë zhvillimi i tregut, ndërkohë që janë lënë anash prodhimi, industria dhe bujqësia. Kufijtë e Kosovës i janë hapur çdo prodhimi nga jashtë, në veçanti prodhimeve të Serbisë”.

“Qeveritë e Kosovës, pa dallim, i kanë konsideruar mallrat e Serbisë si qarkullim i brendshëm dhe ato kanë qenë të liruara nga taksat doganore, gjë që i ka bërë ato mallra të jenë shumë më konkurrente në tregun e Kosovës
”, tha Imeri.

Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja. Mbi 90 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërsa vetëm deri në 8 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit apo të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Shkaktarë të kësaj gjendjeje, sipas prodhuesve vendorë, janë institucionet e Kosovës.

Pronari i “Herba Farm”-it, Hynsi Gllagjiu, u shpreh:

“Ajo çka më së shumti e pengon prodhuesin vendor, është moszbatimi i ligjit - ligje këto të miratuara nga vetë institucionet. Po ashtu, nuk ka bashkëpunim mes institucioneve dhe prodhuesve vendorë. Ligji në fuqi më shumë stimulon prodhimin e shteteve fqinje”.

Ndërkaq, Ilir Piraj bashkëpronari i fabrikës së mishit “Meka”, tha se problem kyç në zhvillimin e biznesit të tyre, është mungesa e energjisë elektrike.

“Kemi teknologji dhe makineri shumë të përsosur, që nuk mund të aktivizohen për shkak të tensionit të ulët, i cili e bën të pamundur që makina të fillojë punën. Makinat janë moderne dhe punojnë 200 deri në 300 volt”, tha Piraj.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë kërkuan nga institucionet e Kosovës që të stimulohen prodhuesit, në mënyrë që këta të fundit të rrisin prodhimin, shitjen, kapacitetin dhe cilësinë.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum