Ndërlidhjet

Karaxhiq: Mbroheshim nga fundamentalistët islamikë

Radovan Karaxhiq
Radovan Karaxhiq

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për numrin më të madh të vrasjeve masive në Evropë, që prej luftës së dytë botërore, paraqiti mbrojtjen e tij në Hagë.

Karaxhiq akuzohet për 11 krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë dy që kanë të bëjnë me gjenocidin në Bosnjë, në periudhën 1992-1995.

Karaxhiq akuzohet se ka drejtuar rrethimin e Sarajevës në periudhën ‘92-‘95 dhe masakrën më të madhe ndaj myslimanëve në Srebrenicë, ku u vranë 8 mijë burra, mes tyre dhe fëmijë.

Ai sot mohoi të gjitha akuzat në Hagë, duke thënë se mbrojtja e tij do të tregojë se si serbët e Bosnjës ishin të persekutuar nga myslimanët për 500 vjet me radhë.

“Unë jam këtu para jush, jo për të mbrojtur thjesht veten time, por për të mbrojtur madhështinë e një kombi të vogël në Bosnjë e Hercegovinë, që për 500 vjet ka vuajtur dhe ka demonstruar një shkallë të lartë modestie dhe këmbënguljeje për të mbijetuar në liri”
, tha Karaxhiq.

“Unë nuk dua të mbroj veten duke thënë që nuk isha i rëndësishëm ose që nuk mbaja një post të rëndësishëm, ndërsa u shërbeja njerëzve të mi. As nuk do t’ia kaloj fajin dikujt tjetër”
, tha Karaxhiq, duke argumentuar më pas se luftërat ballkanike të 1990-ës nuk u shkaktuan për shkak të politikave apo synimeve të serbëve, por u drejtuan nga udhëheqja kroate dhe e boshnjakëve myslimanë, për sovranitet dhe pavarësi.

Ai në vazhdim i tha Tribunalit të Hagës se serbët e Bosnjës mbroheshin nga fundamentalizmi islamik.

Karaxhiq akuzoi Gjermaninë dhe “marrëzinë diplomatike perëndimore” për nxitjen e shpërbërjes së Jugosllavisë, duke njohur para kohe pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë, gjë që çoi, sipas tij, në luftë civile të pashmangshme.

Prokurori Alan Tieger, në deklaratën e tij të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, tha se ishte Karaxhiq ai që orkestroi gjakderdhjen më të madhe në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e fushatës për të asgjësuar komunitetet myslimane dhe kroate në Bosnjë.

"Ky rast ka të bëjë me komandantin suprem, një njeri, i cili kontrollonte forcat nacionaliste, të urrejtjes dhe të frikës, për të vënë në zbatim vizionin e tij për ndarjen etnike të Bosnjës. Dhe ky është Radovan Karaxhiq”, deklaroi prokurori Alan Tieger.

Karaxhiq bojkotoi hapjen e gjyqit katër muaj më parë. Andaj, gjykata caktoi Riçard Harvein, një avokat britanik, për ta përfaqësuar nëse Karaxhiq sërish do të pengonte procedurën.

Por, Karaxhiq refuzoi të bashkëpunonte me avokatin dhe kërkoi shtyrje të gjyqit për në qershor, një kërkesë që u hodh poshtë.

Vendimi i tij për ta bërë vetë mbrojtjen, për gjykatën do të thoshte që ai duhet t’i pranojë edhe pasojat në këtë rast. Por, Karaxhiq tha sot se ai e apelon këtë vendim, duke përsëritur argumentin se nuk i ka mjaftuar koha për të studiuar 1 milion faqet e dokumenteve gjyqësore.

Jashtë gjyqit, gra të burrave, që u vranë në masakrën e Srebrenicës, protestonin kundër Karaxhiqit dhe kërkonin nga gjykata që të mos lejonte shtyrjen e gjykimit.

Mes tyre, Melina Haziselimoviq, pjesëtare e një shoqate të quajtur “Nënat e Srebrenicës”, tha:

“Ne jemi këtu sot për t’i thënë gjithë botës se viktimat janë ende gjallë dhe ne po presim për të vërtetën dhe për drejtësinë”.


Prokurorët janë urdhëruar që t'i paraqesin dëshmitarët e parë të mërkurën.(A.Ç.)
XS
SM
MD
LG