Ndërlidhjet

Mbyllet xhamia e Marinës


Xhamia e Marinës
Xhamia e Marinës

Autoritetet komunale të Skenderajt kanë mbyllur xhaminë në fshatin Marinë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të xhamisë për aktivitete jofetare, mosfutjen e saj nën juridiksionin e Bashkësisë Islame dhe manipulime, siç thuhet, me femra e fëmijë. Iniciatorët për mbylljen e xhamisë thonë se me këtë hap ndërpritet radikalizmi islamik në fshat.



Që nga mëngjesi i sotëm, xhamia në fshatin Marinë të Skenderajt është mbyllur, si për besimtarët, ashtu edhe për vetë Xhemajl (Kastriot) Dukën, i cili ushtroi në të funksionin e imamit, ndërsa hapësirën e xhamisë e shfrytëzoi për aktivitete të shoqatës “Rahma/Mercy”.

Kanë qenë pikërisht këto aktivitete, të cilat ngjallën dyshime te aktivistët për të drejtat e njeriut, të cilët, përmes një peticioni, kërkuan mbylljen e xhamisë dhe largimin e Kastriot Dukës.

Ushtrimi ilegal i funksionit të imamit, keqpërdorimi i xhamisë për aktivitete jofetare deri në orët e hershme të mëngjesit, ardhja e mysafirëve të dyshimtë nga vende të ndryshme, manipulimi me të varfrit dhe bonjakët, e në veçanti me femrat e mitura, janë ndër arsyet që ceken në peticionin, i cili kërkon largimin e Dukës.

Ajnishahe Halimi
Ajnishahe Halimi, një nga iniciatorët e peticionit, të shndërruar tashmë në vendim ekzekutiv të kuvendit komunal, thotë se situata në Marinë është alarmante.

Unë jam myslimane dhe i përkas besimit fetar islam, mirëpo myslimane dhe respektim të fesë në mënyra tradicionale, siç ka qenë përpara, e jo me një kulturë iraniane a irakiane, sepse nuk kemi nevojë. Situata është më se alarmante, jo vetëm në Drenicë, por në tërë Kosovën me këtë sekt, sepse tërë Kosova, pas luftës, është përfshirë në një ekstremizëm, radikalizëm të fesë, gjë që çon te fundamentalizmi islamik”.

“Unë do të doja të ik nga ky fundamentalizëm islamik. Ne kemi qenë të shqetësuar. Për këtë kemi bërë peticionin, i cili u nënshkrua nga 6 mijë qytetarë”,
thotë Ajnishahe Halimi.

Por, Kastriot Duka nga Elbasani, që tashmë ka ndryshuar emrin në Xhemajl, një ditë para se të mbyllej xhamia, në njërën nga dhomat e saj të shndërruar në zyrë, hodhi poshtë akuzat.

Ai, madje, akuzoi iniciatorët e peticionit, se kanë mbledhur nënshkrime të rreme.

“Ka marrë nënshkrime të rreme, ka manipuluar në emër të Albin Kurtit. Ky nuk është vendim i drejtë, sepse shteti është i ndarë nga xhamia. Ne kemi Bashkësinë Islame në Kosovë, e cila ka të drejtë dhe kompetencë ta mbyllë xhaminë kur ka baza”.

“Por, megjithatë, ne jemi në negociata me Bashkësinë Islame dhe shumë shpejt do ta zgjidhim problemin e xhamisë së Marinës”,
tha Duka.

Pretendimet për nënshkrime të rreme hidhen poshtë jo vetëm nga Halimi, por edhe nga udhëheqësit e komunës së Skenderajt. Nënkryetari Abdyl Ymeri dyshon se aktivitetet në xhami ishin në përputhje me rregullat e Bashkësisë Islame.

“Kjo xhami nuk i është përgjigjur as Bashkësisë Islame dhe aktivitetet që i zhvillon aty, për neve janë të dyshimta”, thotë Ymeri.

Kastriot - Xhemajl Duka
Duka thotë se përmes organizatës së tij, “Rahma/Mercy”, ndihmon 550 familje në Drenicë me nga 20 euro në muaj.

Në Marinë, shumica e banorëve kanë familjarë të vrarë në luftë. Ata thonë se shoqata “Ramha/Mercy”, me seli në Angli, vazhdimisht u ka ndihmuar në ushqime, por edhe në të holla.

Shefkije Mëziu është njëra nga ato që thotë se ka përfituar.

“Janë shpifje. Hoxha na ka ndihmuar të gjithëve me shpirt. Për hoxhën s’ka çka thotë askush. Atë ditë që ta heqin hoxhën nga këtu, sidomos kush ka jetimë, mbaron krejt”
, thotë Mëziu, e cila pranon se merr 20 euro në muaj nga shoqata “Ramha/Mercy”, mirëpo është shteti ai që i paguan më shumë asaj - nga 135 euro në muaj, si kompensim për humbjen e të shoqit në luftë.

Ndryshe, në faqen e saj të internetit, shoqata humanitare “Rahma/Mercy”, e themeluar në vitin 1999, shkruan se, fillimisht, synim kryesor kishte ndihmën për refugjatët kosovarë, e më vonë për bonjakët.

Por, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, ndihmat zakonisht janë kushtëzuar me lojalitetin e treguar ndaj z.Duka, që nënkupton dërgimin e fëmijëve në xhami për mësime kuranore, e në këtë rast edhe mbulimin e vajzave të vogla.

Në internet, madje, qarkullon një video, ku Duka mbulon vajzat 6 - 7-vjeçare. Vetë z.Duka pranoi se vajzat janë mbuluar, por tha se kanë pasur pëlqimin e prindërve.

“Ne jemi myslimanë, vajzat i mbulojmë me shamia, pa marrë parasysh moshën... Puna e shamisë është në liri të besimit të tyre. Çdo prind e dërgon fëmijën në xhami. Unë jam prind, fëmija im ka qejf të vishet me këtë uniformë. Dakord jam me këtë, por kjo është liri e besimit të fëmijëve”, u shpreh Duka.

Sidoqoftë, aktivitetet e Dukës nuk janë parë me sy të mirë as nga vetë Bashkësia Islame. Për më tepër, është kjo e vetmja xhami, apo Duka i vetmi imam, që nuk është në juridiksionin e kësaj bashkësie. Duka i tha Radios Evropa e Lirë se tani është në negociata për të zgjidhur problemin me Bashkësinë Islame.

“I nderuari kryeminam Sabri Bajgora na ka dhënë fjalën se shumë shpejt do të afrohet, do të vijë këtu për të diskutuar çështjen e xhamisë dhe na ka dhënë fjalën se unë do të shkoj atje, do ta zgjidhim këtë problem në mënyrën më të bukur, më të mirë, që të kënaqet hoxha, banorët e fshatit dhe ne si Bashkësi Islame”, deklaroi Duka.

Ky interesim për të negociuar me Bashkësinë Islame vjen pas disa vjet shpërfilljeje që Duka i bëri kësaj bashkësie. Kryemimami i Kosovës, Sabri Bajgora, thotë se nuk ka kurrfarë negociatash me Dukën.

“Absolutisht, as që kam kontaktuar me të që nga viti 2003, as që kam negociuar me Dukën, e as që kemi ndërmend të negociojmë me të. Z.Duka nuk i është përmbajtur marrëveshjes së vitit 2003 dhe 2009 për konkurs, prandaj për ne 'çështja Duka' është e përfunduar dhe ne kërkojmë që sa më shpejt imami legjitim Hoti ta marrë detyrën e vet në xhaminë e Marinës”, shprehet Bajgora.

Fshati Marinë
Sidoqoftë, banorët e Marinës kanë paralajmëruar për nesër një protestë kundër largimit të Dukës nga fshati Marinë.

Por, qytetarët e Skenderajt, që nënshkruan peticionin, kërkojnë që ushtrimi i fesë islame të jetë edhe më tej tradicional dhe jo të sillen praktika më radikale, që mund të çojnë në fundamentalizëm islamik.

Në të vërtetë, një shqetësim për ekstremizmin fetar në Kosovë, përkatësisht për Lëvizjen WAHABBI, e pati shprehur që në vitin 2007, në një raport të saj, Ministria e Punëve të Brendshme.

Në raport thuhej se Lëvizja WAHABBI në Kosovë ka filluar të përhapet në përmasa më të vogla menjëherë pas përfundimit të luftës, ndërsa metodologjia, të cilën e ka aplikuar në Kosovë, ka qenë përmes organizatave të ndryshme humanitare dhe joqeveritare, kinse duke i ndihmuar popullatës civile, ndërsa qëllimi i saj kryesor ka qenë përhapja e ideve WAHABBI-ste".

Në raport vlerësohej se aktivitetet e pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje në Kosovë ishin në fazën e krijimit të infrastrukturës së tyre.
XS
SM
MD
LG