Ndërlidhjet

Në pritje të veprimeve kundër korrupsionit

EULEX-i thotë se po merret me shqyrtimin e dhjetëra rasteve të krimit të organizuar në Kosovë. Ndërkohë, Policia e Kosovës konfirmon se në dy muajt e fundit ka hapur mbi 30 raste të reja, që dyshohet se kanë të bëjnë me korrupsion.



Ekzekutivi kosovar i ka konfirmuar misionit evropian për sundimin e ligjit vendosmërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Lufta, sipas kreut të Qeverisë, do të forcohet nga puna e departamentit special, në kuadër të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, e ka mbështetur krijimin e task-forcës për luftimin e korrupsionit, por ka kërkuar më shumë veprime konkrete.

“EULEX e mirëpret task-forcën, por task-forca do të gjykohet nga rezultatet e saj dhe jo nga numri i njerëzve që punëson
”, ka thënë Kermabo në një ligjëratë që mbajti mbi luftën kundër korrupsionit, në kolegjin privat “AAB-Riinvest”.

Paraditen e sotme, Kermabo ka marrë garanci nga kryeministri se do të zbatohen reformat në drejtësi, të duhura për t’i dhënë fund dukurisë negative të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, një pjesë e përgjegjësisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin bie edhe mbi vetë misionin e EULEX-it.

Kermabo ka bërë të ditur se mbi 30 raste që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, janë në prag të procesit gjyqësor, ndërsa disa të tjera ose janë duke u gjykuar, ose për to tashmë janë marrë vendime.

Të dhëna mbi rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë ndihmësdrejtori i policisë për shtyllën e krimeve, Kadri Arifi.

“Në dy muajt e fundit kanë qenë mbi 20 operacione, 33 persona të arrestuar, mbi 40 kallëzime penale dhe janë hapur mbi 30 raste të reja, me dyshim të bazuar për korrupsion. Janë rezultate që, krahasuar me vitet e kaluara, janë dukshëm më të mira. Vërehet një angazhim më i mirë i strukturës së Policisë së Kosovës”, ka thënë Arifi.

Iv de Kermabo ka paralajmëruar kosovarët se nëse nuk e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, atëherë rruga e tyre drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e gjatë.

“Korrupsioni minon demokracinë dhe qeverisjen, si dhe zhvillimin ekonomik. Shoqëritë në tranzicion dhe demokracitë e reja, siç është Kosova, janë shënjestër e lehtë për korrupsionin”.

“Duke i shtuar kësaj edhe moszhvillimin ekonomik, papunësinë, qeverisjen e brishtë, që shumë nga shoqëritë në këtë rajon i përjetojnë, korrupsioni mund të ketë pasoja katastrofike”.

“Qëllimi i Kosovës është i qartë - integrimi drejt BE-së, ndërsa lufta kundër korrupsionit definitivisht është një nga objektivat kryesore të së ardhmes evropiane të Kosovës”
, ka thënë Kermabo.

Në anën tjetër, Kadri Arifi, nga Policia e Kosovës, ka numëruar disa nga proceset e zhvilluara në Kosovë, të cilat kanë nxitur aferat korruptive.

“Tranzicioni dhe i procesi i privatizimit kanë krijuar vështirësi te çështjet pronësore, që kanë qenë burim dhe hapësirë për hetime
”, ka thënë Arifi.

Për praninë e korrupsionit në Kosovë shpeshherë është fajësuar edhe gjyqësori i brishtë. Ndërkohë, kritika për gjyqësorin ka bërë sot edhe Kermabo.

Por, në këtë rast, ai ka aluduar në çështjen Kurti, ku në dy herët e fundit, në seancën gjyqësore kundër tij, nuk janë paraqitur as avokati mbrojtës e as gjykatësja vendore e panelit.

“Gjykatat nuk mund të veprojnë pa praninë e prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve mbrojtës. Pa njërin nga ta, nuk ka sundim ligji dhe pa sundim ligji, e ardhmja evropiane e Kosovës do të rrezikohet
”, është shprehur Kermabo.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, më 26 shkurt, që të krijojë një departament të veçantë, të quajtur task-forcë, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky departament do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Task-forca anti-korrupsion do të përbëhet nga pesë prokurorë vendas, tre të tjerë të EULEX-it, si dhe do mbështetet nga 30 oficerë hetues të Policisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG