Thaçi: Ndarja e Kosovës ndryshon kufijtë në Ballkan
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. 06.03.2010
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe prandaj, ka thënë ai, askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje.
“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe në BE”, ka thënë Thaçi në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta.
Kryeministri kosovar ka vlerësuar se gjendja e sigurisë është mjaft stabile dhe se i ka kontribuar integrimit të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në jetën institucionale dhe shoqërore.
“Kemi forcim të institucioneve tona të sigurisë, si Policia e Kosovës, Agjencia e Sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe prani të NATO-s. Gjithçka në fushën e sigurisë po shkon drejt normave, standardeve dhe rregullave euroatlantike”, ka thënë Thaçi.
Ai ka ripërsëritur se ndër sfidat më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë është integrimi i pjesës veriore në institucionet e Prishtinës dhe zbatimi i ligjit në këtë pjesë të vendit.
“Ne do të angazhohemi në mënyrë gjithëpërfshirëse në krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, mbajtjen e zgjedhjeve në komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Çështjet sociale dhe ekonomike do të jenë prioritet i qeverisë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, synimet e strategjisë janë krijimi i mirëbesimit, integrimi i serbëve në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, rritja e tolerancës së ndërsjellë, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe fitorja e parimeve demokratike në këtë pjesë të Kosovës.
“Serbët e Kosovës do t’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më afirmative në kuadër të respektimit të plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të forcimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të plotë të Planit të Ahtisarit”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës.
“Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të të dyja vendeve”, ka thënë Thaçi.
Ai është shprehur optimist se para Kosovës ndodhet perspektiva evropiane.
“Edhe për Kosovën do të ketë liberalizim të vizave. Ne jemi shtet vetëm dy vjet, kurse vendet tjera kanë punuar dhjetë vjet për të fituar liberalizimin. Për Kosovën do të ketë liberalizim të vizave, do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”, ka thënë Thaçi. (V.P.)