Meta: Për Kosovën, pozicione krejtësisht të kundërta
12.03.2010
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, tha në Beograd, se për çështjen e Kosovës, qeveritë e Shqipërisë dhe të Serbisë kanë pozicione krejtësisht të kundërta.
“Për çështjen e Kosovës, dy qeveritë tona kanë pozicione krejtësisht të kundërta. Por, nga ana tjetër, ne u pajtuam që e ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian, duke mos e lënë askënd prapa”, tha Ilir Meta, mbrëmë në Beograd, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq.
Zoti Jeremiq theksoi se dallimi për Kosovën “nuk është zvogëluar me këto bisedime” por, sipas tij, nga ky takim “ka dalë një gjë shumë pozitive e kjo është që të bëjmë përpjekje që ky dallim të izolohet, në mënyrë që të mos i ngarkojë raportet tona në fushat e tjera”.
Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Ilir Meta u takua me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq, dhe me nënkryetarin e Qeverisë, Bozhidar Gjeliq.