Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Gjilan, të gjithë gati


Të dielën, në komunën e Gjilanit do të zhvillohen për herë të tretë zgjedhjet lokale për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zotohet t’i këtë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë proces, ndërsa policia e Kosovës thotë se ka vënë në dispozicion forca shtesë për ecurinë elektorale në Gjilan.


Qytetarët e komunës së Gjilanit për të tretën herë me radhë, në kuadër të zgjedhjeve lokale në Kosovë, do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, 87 mijë e 430 votuesit potencialë do të kenë mundësi të zgjedhin të preferuarin e tyre në 31 qendra të votimit, përkatësisht në 127 vendvotime.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemalj Peqani, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin elektoral të së dielës në Gjilan.

“Ne kemi bërë distribuimin e materialit josensitiv brenda kësaj jave, ndërsa të shtunën në mëngjes është shpërndarë edhe materiali sensitiv për Gjilanin”.


“Kjo do të thotë se do të fillojë edhe shpërndarja e materialit josensitiv nëpër qendrat e votimit, ndërsa në orët e hershme të mëngjesit do të shpërndahet edhe materiali sensitiv nëpër të gjitha qendrat e votimit nën përcjelljen e Policisë së Kosovës
”, bën të ditur Peqani.

Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rritjen e masave të sigurisë në ditën e zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka bërë gati një plan operativ për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në Gjilan.

Ky plan, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, parasheh rritjen e numrit të zyrtarëve policorë në rreth 450, të cilët do të jenë të angazhuar në zbatimin e planit operativ.

Kelani thotë se policia do të ofrojë siguri në, siç thuhet, perimetrin e jashtëm - në vendet ku ushtrohet e drejta e votimit dhe se terreni jashtë qendrave të votimit të jetë i mbuluar me zyrtarë policorë.

“Policia e Kosovës, si çdoherë, ka qenë e angazhuar që nga fillimi i shpërndarjes së materialit sensitiv dhe do të jetë, po ashtu, e angazhuar në përfundim të procesit zgjedhor dhe në sigurimin e materialit sensitiv deri në kthimin në qendrat ku bëhet numërimi i fletëvotimeve”,
deklaron Kelani.

Mirëpo, procesi për zgjedhjet lokale në Kosovë nuk do të përfundojë me përfundimin e zgjedhjeve për kryetar komune në Gjilan.

Pas vdekjes së kryetarit të komunës së Istogut, presidenti i Kosovës ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këtë komunë më 11 prill, ndërsa më 20 qershor do të zhvillohen zgjedhjet lokale në komunën e re të Parteshit.

Për organizimin e zgjedhjeve në këto komuna, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka kërkuar ditë më parë, Qeverisë së Kosovës një buxhet shtesë.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, shpjegon:

“Në bazë të analizave që kemi bërë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës afro 460 mijë euro, në mënyrë që t’i mbulojmë të gjitha shpenzimet, sepse këto janë shpenzime që i kemi bërë bazuar në këto zgjedhje”.


Procesi zgjedhor në komunën e Gjilanit parashihet të mbikëqyret nga 1,587 vëzhgues.
XS
SM
MD
LG