Ndërlidhjet

Gjilan: Mustafa apo Rexhepi?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën për media të orës 20:00, bëri të ditur se deri në orën 19:00, kur edhe u mbyllën vendvotimet, pjesëmarrja e votuesve në komunën e Gjilanit ka qenë 41,8 për qind. Ndërsa, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, njoftoi edhe për disa parregullsi në procesin e votimit, të cilat u hodhën poshtë nga KQZ-ja

Qytetarët e komunës së Gjilanit të dielën iu drejtuan kutive të votimit për të tretën herë me radhë, në kuadër të zgjedhjeve lokale në Kosovë, për të votuar të parin e komunës së tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga gjithsej 87 mijë e 430 votuesit potencialë të Gjilanit, deri në orën 19:00 kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit në këtë komunë, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 41. 3 për qind, përkatësisht 35 mijë e 876 votues.

Zyrtarë të KQZ-së hodhën poshtë informatat që flasin për incidente të ndryshme gjatë procesit zgjedhor për kryetar komune në Gjilan, ku që nga ora 7:00 e mëngjesit ishin hapur të 127 vendvotimet në 31 qendra votimi.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e vlerësoi pozitiv procesin zgjedhor në komunën e Gjilanit.

“Procesi ka shkuar me rregull e pa incidente- së paku nuk kemi pasur asnjë informatë për ndonjë incident ose ndonjë parregullsi, e cila kishte mundur të ndikojë në rregullsinë e zgjedhjeve”, tha Lushta.

Krahas vendvotimeve të rregullta, KQZ-ja kishte vënë në dispozicion dhe 9 vendvotime, siç quhen, alternative të vendosura kryesisht në zonat e banuara me shumicë joshqiptare.

Sipas përfaqësuesve të KQZ-së, në 2 nga këto vendvotime alternative, pra në fshatin Budrikë dhe në Cërnicë, qytetarët nuk kanë votuar fare.

“Këto dy qendra kanë mbetur ashtu siç ishin edhe gjatë ditës - pa asnjë votues”, tha Lushta.

Koalicioni i organizatave joqeveritare “ Demokracia në Veprim” ka paraqitur raportin përmbledhës për ecurinë e procesit zgjedhor në Gjilan.

Ky raport flet për disa parregullsi në disa vendvotime, në të cilat thuhet se votimi familjar është evidentuar më së shpeshti.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, “një element tjetër që është raportuar, janë edhe parregullsitë me votat me kusht. Gjithashtu, janë raportuar edhe disa incidente, si fjalosje mes komisionarëve dhe vëzhguesve të partive politike.

Kryetarja e KQZ-së tha se në komisionin që ajo drejton, nuk kanë arritur informata që flasin për parregullsi të tilla.

“Nëse ka pasur parregullsi gjatë procesit të zgjedhjeve, ekziston mundësia e ankesës dhe këto çështje do të shkojnë në KZAP (Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) ”, theksoi kryetarja e KQZ-së.

Ndërkohë, në intervalin kohor prej mesnatës e deri në orën 01 të mëngjesit, KQZ-ja pritet të japë rezultatet preliminare për Gjilanin, ku për kryetar komune garuan Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Qemajl Mustafa nga Partia e Demokratike e Kosovës.


* * * * *

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të 127 vendvotimet në 31 qendra votimi në Gjilan. Përfaqësues të KQZ-së kanë njoftuar se 30.16 për qind nga gjithsej 87 mijë e 430 qytetarë me të drejtë vote të komunës së Gjilanit, deri në orën 16:15, kanë hedhur votën në zgjedhjet për kryetar të kësaj komune.

Kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, ka thënë se në KQZ nuk ka arritur asnjë informatë nga terreni në lidhje me parregullsitë eventuale.

“Në këtë takim pyeta a ka ndonjë parregullsi, a ka ndonjë incident dhe informata, të cilën e mora, ishte se nuk ka. Nëse ndërkohë na vijnë informatat, ato do t’ju japim edhe juve”, ka deklaruar Lushta.

Në lidhje me parregullsitë eventuale në vendvotimet ku të drejtë vote kanë dhe qytetarët e minoriteteve, Lushta ka thënë:

“Ka dalje në të gjitha vendvotimet, përveç në një vendvotim. Është fjala për fshatin Budrikë, ku deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë votues”.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, ka thënë se përgatitjet teknike në fshatin Budrikë kanë ndikuar në shtyrjen për një kohë të nisjes së procesit elektoral.

“Nga informatat që kemi marrë nga menaxherët e qendrave të votimit, ku kryesisht kemi të bëjmë me qendrat e votimit të komunitetit serb - qendra alternative, ne kemi marrë informatën që materiali ka shkuar me kohë, porse për shkak të përgatitjeve teknike në ato qendra, ka pasur edhe vonesa”
. ka thënë Peqani.

Gjatë ditës, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, kishte paraqitur raportin e dytë nga të dhënat e vëzhguesve të tij, ku është pasqyruar përqindja e daljes së votuesve në zgjedhje deri në ora 12:00, si dhe disa parregullsi të evidentuara.

“Sa i përket përqindjes së daljes së votuesve, deri në orën 12 kanë votuar rreth 15 për qind të totalit të votuesve të regjistruar”, thuhet në një komunikatë për media të koalicionit “Demokracia në Veprim”, përmes së cilës, po ashtu theksohet se, “nga të dhënat e vëzhguesve, raportohet për numër të madh të vëzhguesve, të cilët pengojnë procesin”.

“Demokracia në Veprim” ka përmendur disa parregullsi që kanë të bëjnë me praninë e personave të paautorizuar në disa vendvotime, votime familjare dhe votime të hapura.

Ky koalicion i OJQ-ve u ka bërë thirrje partive politike që të delegojnë vetëm numrin e paraparë të vëzhguesve për t’i ikur, siç thuhet, krijimit të tollovive brenda vendvotimeve.

Për të monitoruar procesin zgjedhor në komunën e Gjilanit, sipas KQZ-së, janë angazhuar diku 1,587 vëzhgues.

Sidoqoftë, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka theksuar se nuk është evidentuar ndonjë rast ku numri i vëzhguesve ka penguar ecurinë e procesit zgjedhor.

“Sipas mendimit tim, numri i madh i vëzhguesve është një gjë pozitive, e jo negative”, është shprehur Lushta.

Në garën për të parin e komunës së Gjilanit janë Qemajl Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përfaqësues të PDK-së dhe të LDK-së, ndërkaq, e kanë cilësuar pozitive ecurinë e procesit zgjedhor, me përjashtim të, siç thuhet, ekzistimin e parregullsive minore.

Rezultatet preliminare për këtë raund zgjedhjesh pritet të jepen pas mesnate.


* * * * *
Që nga ora 7 e mëngjesit, qytetarët e komunës së Gjilanit, ku për herë të dytë po përsëriten votimet për kryetar komune, pas raundit të zgjedhjeve lokale të 2009-ës, kanë pasur mundësi të hedhin votën për të preferuarin e tyre për këtë komunë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se me kohë janë hapur që të 127 vendvotimet në këtë komunë, në të cilat, siç thuhet, me kohë është bërë shpërndarja e materialit sensitiv dhe atij josensitiv.

Megjithatë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Nesrin Lushta, ka thënë se nuk mund të jepet ndonjë numër preciz i votuesve të Gjilanit që deri në orën 9 kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.

“Janë 87 mijë e 430 votues, mirëpo sa i përket daljes, ende është herët dhe kjo informatë është planifikuar të jepet në konferencën e radhës për shtyp
”, është shprehur Lushta.

Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion rreth 450 pjesëtarë të policisë për të ofruar siguri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve në komunën e Gjilanit, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur të gjeturat e para nga terreni, bazuar në raportet e vëzhguesve të “Demokracisë në Veprim” nga 127 vendvotime.

Bazuar në të dhënat e mëngjesit, në përgjithësi, procesi i votimit është zhvilluar i rregullt, me përjashtim të disa rasteve të caktuara të parregullsive të vogla.

Përmes një komunikate për media, ky koalicion ka bërë të ditur se bazuar në raportet e vëzhguesve të tij deri në orën 9, ka pasur numër të vogël të votuesve.

Shifrat e para zyrtare për numrin e votuesve që kanë dalë në zgjedhje, priten të jepen gjatë ditës nga KQZ-ja.

Ndërsa, rezultatet preliminare për procesin elektoral në Gjilan, sipas përfaqësuesve të KQZ-së, mund të priten pas mesnate.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, ka thënë se arsyeja se përse rezultatet preliminare nuk mund të publikohen më herët, ka të bëjë me nevojën për verifikimin e të dhënave.

“Po, është e vërtetë që është një komunë, por për shkak të planeve që duhet të vijnë nga qendrat e votimeve dhe vendvotimet në depot e Komisioneve Komunale, ku duhet të bëhet kontrollimi para se të vijnë në qendrën e votimit. Kjo është një procedurë që ne, faktikisht, duhet t’i nënshtrohemi”
, ka thënë Peqani.

Në garën për të parin e komunës së Gjilanit janë Qemajl Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kuvendi komunal i Gjilanit, në përbërje prej dyzetenjë këshilltarëve, të cilët u takojnë nëntë subjekteve të ndryshme politike, ishte konstituuar në fund të muajit janar një seancë inauguruese, që u drejtua nga këshilltari më i vjetër.

Mirëpo, procesi për zgjedhjen e kryetarit të kësaj komune ishte përcjellë me një varg paqartësish.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të zakonshme lokale në Kosovë, në disa komuna ishte zhvilluar dhe balotazhi për kryetar komune.

Mirëpo, pas balotazhit, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte udhëzuar KQZ-në të shpallë rivotim në Prizren, Lipjan e Gjilan për shkak të, siç thuhej, parregullsive në procesin elektoral gjatë zgjedhjeve në këto komuna.

Balotazhi për kryetar komune në Prizren e Lipjan ishte zhvilluar më 31 janar, ndërsa për rivotimin në komunën e Gjilanit, KQZ-ja nuk kishte mundur të vendosë deri më 18 shkurt.
XS
SM
MD
LG