Programi i radhës

Tweet

Aktuale

Dy vjet pas

Mitrovicë, 17 mars 2008.
17.03.2010

Dy vjet pas trazirave të marsit në Mitrovicë, kur u vra një polic i UNMIK-ut, askush nuk është përballur me drejtësinë. Ndërkohë, Gjykata e Qarkut, e cila, edhe ishte shkas i nisjes së trazirave, ende nuk funksionon. EULEX-i është në kërkim të marrëveshjes.




Përgjegjësit për vrasjen e policit ukrainas, më 17 mars të vitit 2008, ende nuk janë vënë para drejtësisë. Kjo pohohet nga zyrtarët e UNMIK-ut, të cilët tashmë të gjitha dosjet ia kanë kaluar EULEX-it.

Dy vjet më parë, serbët e veriut të Mitrovicës u përleshen me forcat ndërkombëtare të sigurisë, duke shkaktuar vdekjen e policit, por edhe plagosjen e mbi 100 policëve, ushtarëve dhe civilëve.

Shkas i trazirave ishte përpjekja e forcave të sigurisë për rimarrjen e objektit të Gjykatës së Qarkut, e cila qe uzurpuar nga ish-punonjësit serbë të gjykatës, të cilët edhe u arrestuan. Dy vjet pas, në atë objekt nuk punojnë as shqiptarët, as serbët.

Kreu i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, tregon se edhe më tej, punët e pjesërishme po kryhen në një objekt në Vushtrri.

“Është vendosur që nga të gjitha pesë organet e judikaturës, numri i të cilave është më i madh se 170 persona të punësuar të të gjitha nacionaliteteve, të formohet një ekip i përbashkët mobil me detyrë ekskluzive, që, sipas nevojës, të punojë në materien penale, ekskluzivisht në lëndët me paraburgim, si dhe në pranimin e ankesave dhe shkresave të tjera gjyqësore, të lidhura me afatin prekluziv, i cili nuk mund të shtyhet”, thotë Baruti.

Por, në Mitrovicë, sikurse edhe në disa mjedise të tjera me shumicë serbe, vazhdojnë të funksionojnë edhe organet paralele të gjyqësisë.

Beogradi zyrtar, në fund të vitit të kaluar, emëroi disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë, duke sfiduar kështu autoritetet e Prishtinës. Një nga gjyqtarët serbë, që për Prishtinën është jolegjitim, është Nikolla Kabashiq.

“Sa i përket situatës së gjyqësisë së Serbisë, që funksionon në territorin e Kosovës, ajo, pak a shumë, nuk ka ndryshuar në 10 vjetët e fundit; pra, prej ardhjes së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ne punojmë në kushte të improvizuara”.

“Nuk punojmë me ato kapacitete dhe mënyra, si janë të definuara me ligj dhe me Kushtetutë, por bëjmë atë që mundemi në rrethana të pranisë ndërkombëtare”
, thotë Kabashiq.

Zëdhënësja e komponentit për drejtësi e EULEX-it, Kristina Herodes, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një vend nuk mund të ketë funksionim të dy sistemeve të drejtësisë.

EULEX-i beson se përparimi në veri mund të arrihet vetëm hap pas hapi dhe se drejtësia mund të funksionojë vetëm nëse pranohet nga ana e të gjitha komuniteteve.

“EULEX-i punon në marrëveshje me Prishtinën dhe Beogradin, në mënyrë që të zgjidhen rastet që janë në pritje në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës. Janë rreth 50 raste që presin, ndërsa disa të dyshimtë janë në paraburgim, disa madje që nga viti 2007”.

“Kjo është çështje urgjence, por edhe e drejtësisë. Duhet ta kemi parasysh se drejtësia nuk nënkupton vetëm vepra penale, por edhe civile, siç janë divorcet apo çështje pronësore. Një nga qëllimet kryesore është funksionimi i sërishëm i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë”
, thotë Herodes.

Zëdhënësja e EULEX-it nuk saktëson datën se kur pritet kthimi i gjykatësve e prokurorëve shqiptarë dhe serbë në gjykatën në veri, por thotë se misioni i BE-së po punon me Beogradin dhe Prishtinën për ta zgjidhur këtë çështje.

Ndërsa Prishtina kërkon shtrirjen e sundimit të ligjit në veri dhe respektimin e Kushtetutës kosovare, serbët i kanë sytë ende kah Beogradi.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, thotë se serbët nuk do të heqin dorë nga ligjet serbe. Ndërkohë, Ivanoviq nuk beson se komuniteti ndërkombëtar mund të gjejë zgjidhje.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk është unike në këtë çështje dhe është e qartë që ne këtë dualizëm e përjetojmë si një problem më vete. Por, ne nuk do të heqim dorë nga gjykata jonë, pa arritjen e marrëveshjes. Ndërsa, marrëveshja do t’i takonte territorit ku gjendet gjykata, mendoj në gjykatën komunale, pastaj statusin e Gjykatës së Lartë, ligjet përmes të cilave rregullohet emërimi i gjyqtarëve”.

“Kjo është ajo për të cilën insistojmë dhe nga kjo sigurisht se nuk do të heqim dorë. Por, bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht EULEX-i nuk është i gatshëm t’i udhëheqë bisedimet dhe, nëse eventualisht arrihet marrëveshja, të qëndrojë pas asaj marrëveshjeje”,
thotë Ivanoviq.

Ndryshe, në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, thuhet se problem për gjyqësinë në Kosovë paraqesin edhe strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë, mes të cilave dhe gjyqësori paralel.

Për pasojë, vlerëson raporti, gjykatat në Mitrovicë, Leposaviq dhe Zubin-Potok kanë qenë të mbyllura që pas protestave të marsit të vitit 2008.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : dardan Prej : stockholm
18.03.2010 10:24
Kisha pasur deshire te madhe ti parashtrojan pyetjen perfaqsuesit te EULEXIT se per qfare arsye veprimet e tyre jane te ndryshme .
Kur jane ne pyetje Serbet dhe kur jane ne pyetje Shqiptaret .UNMIKU vrau dy shqiptare dhe plagosi me dhjetera duke perdorur plumba gome kunder nje demostrate te lejuar nga organet policore .Kurse Serbet vrane ushtarin Ukrainas dhe ishin tane kohen ne rebelim me paqeruajtesit Ukrainas duke ju hedhur Molotov dhe duke u perballur me ta fyt me fyt .
Veprimi EULEXIT perndjekin Albin Kurtin dhe kerkojn gjykimin e tije perderisa heshtin per vrasjet e tyre dhe plagosjet qe i bene ndaj Shqiptareve .
E kunder demonstrimit te dhunes nga Serbet dhe organet e sherbimmit Secret te Serbise ne pjesen e ndare te Mitrovices bahen te shurdher dhe paraqiten Naive .
EULEXI deshiron te Disiplinoj tere popullin e Kosoves ,ne rregull per fashizmin e tyre dhe urejtjen qe kane mirpor para se te na disisplinojne Neve si Kosovare qe jem duhet te Diciplinohen vete .
Dhe sjellja e tyre duhet te ndryshoje ne menyre rrenjesore nese deshirojne sukses per ndryshe jane edhe keta deshtaket e Bashkimit Europian qe i kane larguar nga Bruxeli per shkak te paralizimit te punes se kesaj Bashkie nga keta qe veprojne nen emrin EULEX.
EULEXI eshte bere Millosheviqi Post Mortum.
Sepse edhe ai deshi te diciplinoj tere popullin e Kosoves por ne fund beri vetevrasje . Diciplinim i dyanshem edhe i popullates Shqiptare dhe Qeverise por edhe i Serbeve dhe Qeverise ne Beograd .
Per ndryshe nga racizmin i juaj dhe kesoj lloj deklaratash jane ngopur Shqiptaret nga BE.
God bless USA !
Zoti e bekofte Ameriken!

Nga : kleo Prej : Berlin
17.03.2010 13:56
Oliver Ivanoviqi dhe Bogdanovici me bashkpuntort e paraleleve Serbe nga Beogradi, eshte ai qe i mbron Teroristet qe vran Policin e UNMIKUT nga Ukrahina.
Ne Kosova, ata qe i mbrojn Teroristet, i quajm Perkrahsit e Dores Teroriste dhe asqysh tjeter.
Keto Paralele Serbe qe zhvillojn Teror ne Kosov dhe mbjellin urejtje, duhet te spastrohen dhe te emrohen ashtu edhe siq veprojn.
Zotriu qe ishte dhe eshte ne Funksionin e ashtequajtur ilegal te Paraleleve te Serbis Oliver Ivanoviqi duhet te nxiret para gjygjit Evropian dhe Kosovar per trazirat dhe vdekjen e Policit te UNMIKUT, sepse ata ce vrasin e organizojn Demostrata antiligjore dhe kundrej Kushtetutes dhe Ligjit Paqaedashes, nuk jan me Paqedashes Demokratik por Terorista Demokratik.
Kosova duhet te bej padi te Interpoli per keta njerz qe te vihen para pergjegjsis.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile