Trajkoviq: Elitat politike po i izolojnë dy popujt
21.03.2010
“Serbët duhet të lirohen nga sindroma e të qenët kryesorë karshi shqiptarëve”, thotë politikania serbe Rada Trajkoviq. Sipas saj, pajtimi është i mundur, por elitat politike shqiptare dhe serbe po i izolojnë të dy popujt.
Politikania serbe, Rada Trajkoviq, fajëson si shqiptarët ashtu edhe serbët, për moskapërcimin e dallimeve dhe pajtimin e plotë.
Megjithatë, Trajkoviq më së shumti i fajëson elitat politike për, siç thotë, izolimin e të dy popujve. Komentet e Rada Trajkoviqit vijnë pas publikimit të një raporti të UNDP-së, i cili thekson se raportet shqiptaro-serbe vazhdojnë të jenë të tensionuara.
“Unë di ta them një gjë shumë të rëndë dhe mund të ketë shumë të tillë që më akuzojnë. Më duket se edhe ne nuk kemi perceptim të qartë se çka nënkupton demokracia. Jemi mësuar paksa që në hapësirën e Kosovës duhet të qeverisim dhe jo të bëjmë marrëveshje me shumicën”.
“Te serbët ende ekziston ajo sindroma, që ata duhet të jenë kryesorët dhe se shqiptarët duhet ta dëgjojnë atë që ne e themi, pa marrë parasysh gjendjen faktike në terren”, thotë Rada Trajkoviq, duke shtuar se serbët duhet të lirohen sa më parë nga kjo sindromë.
Por, cila është arsyeja e tensioneve ndëretnike edhe 10 vjet pas luftës? Sipas raportit të UNDP-së, mendimet ndryshojnë.
Për shqiptarët, arsyeja qëndron te ndikimi i Beogradit dhe mungesa e gatishmërisë së serbëve që të integrohen në shoqërinë e Kosovës, ndërsa për serbët - përpjekjet e pamjaftueshme të shqiptarëve në kuptim të integrimit të serbëve dhe sjellja e liderëve shqiptarë.
Rada Trajkoviq akuzon politikanët në pushtet.
“Elita politike po i izolon të dyja palët, edhe shqiptarët edhe serbët, ndërsa, në anën tjetër, mendoj se edhe mediat nuk bëjnë asgjë që do të ishte si promovim i gjërave të mira që bëjmë për njëri-tjetrin”.
“Në terren ka të tilla gjëra, sepse gjithnjë e më pak po ka konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve, çdo herë e më tepër ka tolerancë. Ndryshe, shqiptarët dhe serbët kurrë s’kanë pasur urrejtje ndaj njëri-tjetrit, gjithnjë kemi jetuar pranë njëri-tjetrit”, shprehet Rada Trajkoviq.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës thonë se dialogu shqiptaro-serb po thellohet. Një ndër arsyet përmendin hapat e marrë nga institucionet, siç është krijimi i Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Njëri nga anëtarët e këtij Këshilli, Xhafer Tahiri, thotë se edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, pjesërisht është meritë e këtij këshilli.
“Mund të them se Këshilli po vazhdon të luajë rol të madh në këtë debat, në rritjen e besimit të pjesëtarëve serbë në institucionet e Kosovës”.
“Pjesëmarrja e tyre në numër më të madh në zgjedhje është rezultat, që mund të vijë edhe nga Këshilli, pasi që ish-kryetari i Këshillit për Komunitete tash është kryetar i Graçanicës dhe unë mendoj se afirmimi i tij ka ardhur si rezultat i punës në Këshillin për Komunitete”, thekson Tahiri.
Raportet politike mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdojnë të kenë tensione të herëpashershme, sidomos me serbët e pjesës veriore të Mitrovicës.
Por, cilat janë raportet jashtë politikës? Sipas UNDP-së, edhe ato nuk qëndrojnë shumë mirë.
Janë vetëm 29 për qind e serbëve të anketuar nga UNDP-ja, që do të pranonin të punonin me shqiptarët. Ndërsa, përqindja e shqiptarëve që do punonin me serbët shkon në 46.
Rada Trajkoviq thotë se për të nisur çfarëdo dialogu shqiptaro-serb, duhet së pari të sqarohet, nëse të dy palët janë të gatshme të jetojnë pranë njëra-tjetrës.