Nëse Brukseli nuk merr ndonjë qëndrim zyrtar për t’i trajtuar takimet diskutabile rajonale, kosovarët frikësohen se samiti i Bërdos do të përsëritet edhe herëve të tjera.
Serbia refuzoi pjesëmarrjen në samit, për shkak se Kosova nuk u ftua nën ombrellën e UNMIK-ut, duke shkelur kështu një nga kriteret kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian - bashkëpunimin rajonal.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi (AAK), konsideron se Serbia nuk po e trajton seriozisht procesin e integrimit në BE.
“Serbia vetëm ka treguar edhe një herë kapriçiot e veta në raport me Bashkimin Evropian. Ajo, sjelljet i ka pasur të ngjashme edhe para pavarësisë së Kosovës, por tash ka një presion edhe më të madh”.
“Mirëpo, në këtë rast ka humbur, se kapriçio është kapriçio dhe jo një mënyrë e vërtetë e diplomacisë. U tregua se shtetet e BE-së e përkrahën Kosovën dhe Slloveninë, duke thënë se duhet mbajtur mbledhja, pa marrë parasysh a vjen apo jo Serbia“, thotë Hundozi.
Por, nënkryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Bujar Bukoshi (LDK), mendon se përveç pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ka qarqe të caktuara politike në Bruksel që mbështesin Serbinë.
“Ne po shohim se Brukseli nuk po lëviz në këtë sens, por disa slogane boshe, që, sipas teorisë së Brukselit, Serbia qenka demokratizuar brenda 24 orëve, por po harrohet se mendësia në politikën serbe ka mbetur gati e njëjtë”.
“Edhe sjellja e politikës së jashtme të Serbisë tregon katërçipërisht se po abuzohet edhe me gatishmërinë e BE-së, që ta përfshijë edhe Serbinë në proceset integruese. Janë dy standarde të dyfishta të Brukselit; ne po e shohim edhe me liberalizimin e vizave, me trajtimin e Kosovës, Serbisë”, shprehet Bukoshi.
Pengesat e Serbisë në bashkëpunimin rajonal për shkak të Kosovës, nuk kalojnë pa pasoja. Kosova tashmë po i vuan ato, siç është, ndër të tjera, bllokimi i mallrave të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, në kuadër të Marrëveshjes CEFTA.
Për hir të, siç thuhet, bashkëpunimit rajonal, Kosova nuk i është kundërpërgjigjur me masa të njëjta këtyre dy shteteve. Zylfije Hundozi thotë se është koha që Serbia ta ndryshojë sjelljen e vet karshi Kosovës.
“Serbia duhet ta ndryshojë shpejt sjelljen e vet nëse do që të anëtarësohet në BE dhe kjo i është thënë shumë herë edhe prej zyrtarëve të BE-së. Nëse nuk do, ajo do të mbetet një shtet i izoluar, pa marrë parasysh se është një ndër shtetet më të mëdha në Ballkan”, thotë Hundozi.
Por, në anën tjetër, Bujar Bukoshi alarmon se obstruksioni serb do t’i kushtojë jo vetëm Kosovës, por tërë rajonit. Ndërkaq, më e keqja, sipas Bukoshit, është se Serbia nuk ka kurrfarë vullneti politik për të ndryshuar sjellje.
“Ne po e shohim se sa vullnerabël është shteti i ri i Kosovës, aq më tepër që nuk kemi arritur njohjen më masive ndërkombëtare dhe gjithmonë pozicioni obstruktiv i Serbisë, mungesa e çfarëdo vullneti politik nga Brukseli, që jo vetëm ta ledhatojë Serbinë, por të kërkojë kushte konkrete dhe ta detyrojë atë që të heqë dorë nga obstruksionizmi karshi Kosovës”.
“Ne do t’i vuajmë ato, por pasojat do të jenë multilaterale, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin, sepse gjithçka do të ndalet dhe nuk do të ketë kurrfarë akselerimi kah BE-ja”, thotë Bukoshi.
Ndryshe, në samitin e Bërdos, përfaqësuesit politikë të vendeve të Ballkanit kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë më shumë në të ardhmen, për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Sa i përket Kosovës, pjesëmarrësit kanë nënvizuar se Kosova është një fakt, ajo ekziston në rajon dhe nuk mund të tejkalohet. Prandaj, kanë porositur që edhe Bashkimi Evropian të merret me këtë çështje dhe ta sqarojë mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës dhe të Serbisë në takime të tilla.