Ndërlidhjet

BE hap shtëpinë në Mitrovicë

Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, dhe i dërguari i BE-së për veriun, Majkëll Gjifoni. Mitrovicë, 26 mars 2010.
Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, dhe i dërguari i BE-së për veriun, Majkëll Gjifoni. Mitrovicë, 26 mars 2010.

Bashkimi Evropian ka hapur në veri të Mitrovicës të ashtuquajturën “Shtëpi të BE-së”, që parashihet edhe me strategjinë për veriun. Por, i dërguari i këtij unioni për veriun, Majkëll Gjifoni, në emër të BE-së, sërish u distancua nga kjo strategji.


E ashtuquajtura “Shtëpia e Bashkimit Evropian” u hap të premten në veri të Mitrovicës. Përmes kësaj shtëpie, që do të shërbejë si kulm për të gjitha strukturat e BE-së, synohet shtimi i pranisë dhe aktiviteteve të BE-së në veri të Kosovës.

Hapja e Shtëpisë së BE-së parashihet edhe në strategjinë për integrimin e veriut, të hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, siç parashihet edhe forcimi i sundimit të ligjit përmes EULEX-it në këtë pjesë, në të cilën Prishtina ende nuk ka mundur ta shtrijë pushtetin.

Por, i dërguari i BE-së për veriun, Majkëll Gjifoni, hodhi poshtë çdo ndërlidhje të hapjes së Shtëpisë së BE-së me strategjinë për veriun.

“Kjo nuk është e lidhur me asnjë plan. Kjo është një ngjarje për të theksuar angazhimin e BE-së, për të rritur praninë dhe besimin e saj në Kosovën veriore dhe është pjesë e kësaj qasjeje; nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë plan, apo qasje të institucioneve të tjera”, tha Gjifoni.

Gjifoni, së bashku me shefin e EULEX-it në Kosovë, Iv de Kermabon, vizituan Shtëpinë e BE-së, e cila gjendet afër stacionit të policisë dhe ndërtesës së gjykatës në veri të Mitrovicës.

Kermabon përsëriti se qëllimi i misionit që ai drejton, është lufta kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, si dhe kthimi i gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale të Mitrovicës. Ai u zotua për forcimin e sundimit të ligjit në veri.

“Ne kemi prani të policisë dhe të doganës 24 orë në ditë, në portën 1 dhe 31, e cila ka pasur si rezultat zvogëlimin e madh të kontrabandës. Ne e kemi rihapur Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe jemi marrë me disa raste, të mbështetur edhe nga personeli administrativ vendas, që është kthyer përsëri në gjykatë verën e kaluar”.

“Tani duhet ta bëjmë hapin tjetër përpara. Ekziston një nevojë urgjente për të gjetur zgjidhje pragmatike për kthimin e gjykatësve dhe të prokurorëve serbë dhe të atyre shqiptarë të Kosovë, në mënyrë që të ofrohet drejtësia nga një gjyqësor i vetëm dhe shumetnik”
, tha Kermabon.

Ndryshe, edhe të premten, zyrtarët e BE-së shprehën përkushtimin ndaj, siç thanë, perspektivës evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë, duke përfshirë këtu edhe Kosovën veriore.

“Institucionet e BE-së, të pranishme në Kosovë, i ndajnë vlerat e njëjta drejt objektivave të përkufizuara në Kosovë: përkrahja e stabilitetit, siguria dhe përparimi në të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një prej të arriturave konkrete të këtij aktiviteti ka qenë lehtësimi i vendosjes së një pranie efektive të BE-së në veri”.

“Mendoj se takimi i sotëm në këtë godinë të përkohshme, të ashtuquajtur ‘Shtëpi e BE-së’, është një hap pozitiv në këtë drejtim dhe jep një sinjal konkret të pranisë së BE-së në Kosovën veriore”
, tha Gjifoni.

Shtëpia e BE-së në veri të Mitrovicës do të jetë zyra e ambasadorit italian, Majkëll Gjifoni, si dhe do të shërbejë si qendër informative e BE-së, në të cilën qytetarët mund të informohen se çfarë ka bërë zyra për ta dhe çka ka ndërmend të bëjë Bashkimi Evropian.

Një ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar pozitivisht hapjen e kësaj shtëpie të Bashkimit Evropian në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se ky është një sinjal i mirë i mbështetjes së angazhimeve shtetërore të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.
XS
SM
MD
LG