Ndërlidhjet

Guttenberg: Jo reduktim brenda natës

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Gutenberg, gjatë konferencës për shtyp. Prishtinë, 29 mars 2010.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Gutenberg, gjatë konferencës për shtyp. Prishtinë, 29 mars 2010.

Ministri gjerman i Mbrojtjes bëri thirrje për shkurtim të koordinuar të trupave të NATO-s në Kosovë. Karl-Theodor zu Guttenberg, ndër të tjera, tha se misioni i NATO-s në Kosovë është në përfundim e sipër.


Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Teodor zu Guttenberg, tha se vendimi për reduktimin e trupave të NATO-s nuk duhet të merret brenda natës, por në konsultim me shtetet anëtare dhe duke u bazuar në zhvillimet në terren.

Ai i bëri këto komente gjatë një qëndrimi në Prishtinë, ku takoi liderët kosovarë dhe përfaqësuesit e KFOR-it.

”Reduktimi i trupave të KFOR-it duhet të matet në bazë të sukseseve të arritura deri tani dhe mendojmë se një reduktim i trupave të KFOR-it nuk duhet të bëhet në mënyrë veç e veç nga shtetet, që janë të pranishme këtu”,
tha Guttenberg.

Gjermania ka rreth 1,500 trupa në kuadër të KFOR-it, ndërsa përmes komandantit Markus Bentler udhëheq aktualisht këtë mision paqeruajtës.

Reduktimet e trupave të KFOR-it, që në janar u ulën në 10 mijë, sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, duhet t’i përshtaten situatës në terren.

Guttenberg tha se misioni i NATO-s në Kosovë pothuajse ka përfunduar, duke deklaruar në mënyrë simbolike se kanë mbetur vetëm edhe 100 metra deri në fund.

Ndërkohë, pas takimit me presidentin e Kosovës, ministri gjerman tha se nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të varen shumë zhvillime të tjera rreth Kosovës.

Ai siguroi se qëndrimi i Gjermanisë për Kosovën tashmë është artikuluar qartë, pavarësisht vendimit të GJND-së.

“Qëndrimi i Gjermanisë sa i përket statusit të Kosovës është i qartë. Ky qëndrim është artikuluar në të kaluarën dhe ky qëndrim vlen akoma”.


“Sa i përket qëndrimit të Gjermanisë dhe pritjeve të mia rreth vendimit të GJND-së, duhet të theksoj se duhet të presim që së pari ky vendim të merret, sepse ne nuk mund të themi paraprakisht se çfarë vendimi do të jetë. Nuk mund të supozojmë, por duhet të shpresojmë për më të mirën”
, tha ministri Guttenberg, i cili, megjithatë, tha se mendon që vendimi nuk do të kalojë pa pasoja.

“Nga vendimi këshillëdhënës që do të merret këtë vit, do të varen edhe disa zhvillime të tjera. Pra, mund të ketë pasoja në të ardhmen”
, tha Guttenberg.

Presidenti Sejdiu falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e dhënë Kosovës për shumë vite me radhë.

“Gjermania ka dhënë mbështetje të fuqishme dhe të parezervë në procese të gjata, them edhe me dekada, dhe në të njëjtën kohë përkushtimin e saj që ka për ta mbështetur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur në ecjet dhe zhvillimet e saj edhe të demokracisë, edhe të procesit të zhvillimit ekonomik, procesit të ngritjes së mëtejme dhe perfeksionimit të institucioneve të rëndësishme, siç është Forca e Sigurisë së Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

Ministri gjerman i Mbrojtjes takoi edhe kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa do të vizitojë qendrën e KFOR-it dhe kontingjentin e KFOR-it gjerman në Prizren. Nesër, Guttenberg do të takohet me zyrtarët e lartë të EULEX-it dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG