Ndërlidhjet

Kërkohet lirimi i të dënuarve në "rastin Kiçina"


Prishtinë, 30 mars 2010.
Prishtinë, 30 mars 2010.

Qindra qytetarë kanë kërkuar lirimin e katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burg, nën akuzat se kanë vrarë familjen Hajra, në vitin 2001, në Drenas.


Mbi një mijë qytetarë kanë kërkuar sot në Prishtinë lirimin e vëllezërve Arsim e Burim Ramadani, si dhe të Arben e Jeton Kiçinës, të cilët po vuajnë një dënim prej 106 vjetësh. Ata akuzohen se në vitin 2001, në Baicë të Drenasit, kanë vrarë ish-inspektorin e policisë, Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, ka qenë pikërisht motoja “Drejtësi për çlirimtarët”, ajo që ka shtyrë qindra persona të kërkojnë nga autoritetet që ta rishqyrtojnë vendimin e Gjykatës Supreme, pasi, siç thanë ata, nuk ka pasur prova që vërtetojnë fajësinë e të dënuarve.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Visar Zogaj, vuri në pah se provat që vërtetonin pafajësinë, janë humbur qëllimisht nga UNMIK-u.

“Munguan faktet dhe nuk pati as edhe një provë për dënimin e tyre. U akuzuan për vrasjen e familjes Hajra. Në këtë proces gjyqësor u bënë gabime të mëdha procedurale, që do të thotë dështim për drejtësinë në Kosovë. Aty u morën vendime të paqëndrueshme e jo argumentuese”, tha Zogaj.

Fillimisht, për vrasjen e Hamzë Hajrës, gruas dhe tre fëmijëve të tij qenë dënuar 11 persona, por pas vendimeve të tjera të shkallëve të ndryshme të apelit, dënimin po e vuajnë Burim dhe Arsim Ramadani, Arben, Jeton dhe Blerim Kiçina.

Vendimi i shtatorit të vitit të kaluar, me të cilin iu konfirmua dënimi Burim e Arsim Ramadanit, Arben dhe Blerim Kiçinës nuk mund më të apelohet. Tani ka mbetur instrumenti i fundit ligjor – mbrojtja e ligjshmërisë së vendimit, respektivisht vërtetimi, nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje të ligjit dhe procedurave, para se rasti, siç thanë organizatorët e protestës, t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Gjykatës së Strasburgut.

Prishtinë, 30 mars 2010.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili ka qenë anëtar i panelit në shtatorin e vitit të kaluar, sinjalizoi se rasti do të rishqyrtohet.

“Sa unë jam i njoftuar, këtu në Gjykatën Supreme, e kam fjalën te gjyqtarët e EULEX-it, ekziston ajo mundësia e fundit, që ne i themi një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Sigurisht se do të shqyrtohet. Se si do të vendoset, është çështje e panelit, i cili vendos për këtë mjet juridik të jashtëzakonshëm”,
i tha Radios Evropa e Lirë, Fejzullah Hasani.

Kreu i Gjykatës Supreme, edhe pse ka qenë anëtar i panelit, mban një qëndrim asnjanës në lidhje me të ashtuquajturin rastin Kiçina.

“Unë kam qenë në shkallën e tretë të ankesës, me një panel ndërkombëtar, i përzier me vendorë, por shumica kanë qenë ndërkombëtarë. Unë s’kam as autorizim, as të drejtë që ta komentoj nëse ishte apo nuk ishte i ligjshëm ai (vendimi)”.

“Atë çfarë unë kam menduar, e kam thënë aty ku është dashur ta them, por aty merren vendimet me shumicë votash”, tha Hasani, i cili ka qenë në panel bashkë me një koleg kosovar dhe tre ndërkombëtarë.

Për një drejtësi të paanshme, sot bëri thirrje edhe veprimtari dhe ish-i burgosuri politik, Adem Demaçi.

“Zotërinj të nderuar, nëse mendoni se kështu, duke na i dënuar njerëzit e pafajshëm, duke na i mbajtur nëpër burgje, do të frikësohemi dhe do të pajtohemi me jolirinë, do të pajtohemi me të padrejtat - mashtroheni shumë”.

“Ne kurrë nuk do të pajtohemi me padrejtësinë, ne do të kërkojmë të vërtetën, ne do të kërkojmë lirinë për të gjithë, ne do të kërkojmë barazinë me gjithë të tjerët”
, tha Demaçi.

Këshilli Organizativ i Protestës kërkon lirimin e Burim dhe Arsim Ramadanit, Arben dhe Jeton Kiçinës, por jo edhe të Blerim Kiçinës, i cili është i dënuar për të njëjtin rast.

Ky këshill thotë se Blerim Kiçina ka qenë ai që ka dhënë deklaratë të rrejshme, mbi bazën e së cilës është ndërtuar aktakuza, ndërsa më pas e ka tërhequr deklaratën, duke thënë se ka gënjyer. Ai është i dënuar me 10 vjet burg.

Ndryshe, protesta e sotme është organizuar nga Unioni i Studentëve në bashkëpunim me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa organizata të tjera.
XS
SM
MD
LG