Pas një debati të nxehtë, Parlamenti i Serbisë ka miratuar rezolutën, me të cilën, pas shumë viteve të mohimit, dënon masakrën e 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë.
Deklarata që dënon masakrën, por duke mos e cilësuar gjenocid, është miratuar me shumicën prej 127 votave prej 137 deputetëve të pranishëm.
Nada Kolunxhia, kryesuese e grupit të Partisë Demokratike në pushtet, gjatë debatit u tha ligjvënësve se Beogradi duhet t’i tregojë botës se distancohet nga krimet e bëra gjatë viteve të 90-ta.
“Sot, ne duhet të dëshmojmë se Serbia nuk qëndron pas atyre që kanë bërë krime dhe të shfaqim dhembje dhe ngushëllime për çdo viktimë”, tha Kolunxhia.
Por, shumë serbë ende mohojnë vërtetësinë e masakrës së Srebrenicës, me gjithë faktin që ajo njihet nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Rezoluta kërkon falje për mosbërjen e mjaftueshme për të evituar masakrën, ndonëse nuk e cilëson vrasje gjenocidiale.
Pse ky hezitim për t’i cilësuar me emrin e vërtetë ngjarjet tragjike në Srebrenicë?
Jelena Trivan, anëtare e Parlamentit nga partia e Boris Tadiqit, tha se edhe sot e kësaj dite shumë serbë mohojnë vrasjet dhe krimet në Srebrenicë.
“Kjo është për shkak se ne jetojmë në vendin ku madje edhe shfaqja e filmit për Srebrenicën çon te kërkesat për dënimin e atyre që kanë lejuar emetimin e një filmi të tillë. Boris Tadiq gati ishte linçuar vetëm pse kërkoi falje nga viktimat e Srebrenicës”, tha Jelena Trivan.
Rezoluta ka hasur në kundërshtim veçanërisht në Republikën Serbe në Bosnjë. Serbët e atjeshëm thonë se edhe ata kanë vuajtur nga krimet e boshnjakëve dhe kroatëve.
Sllavko Joviçiq është anëtar i Parlamentit të Bosnjës nga radhët e Partisë Popullore Socialdemokrate të Millorad Dodikut dhe në këtë temë tha se rezoluta do të nxisë tensione të reja në Ballkan.
“Jam i sigurt se me këtë rezolutë nuk do ta realizojmë paqen. Ne jemi duke shkuar drejt konfliktit dhe konfrontimit të ri me një shtrirje të paparashikueshme”, tha Sllavko Joviçiq.
Janja Beç, aktiviste serbe e të drejtave të njeriut, tha se Beogradi me këtë rezolutë ka bërë një hap përpara, por dështimi për ta lakuar termin “gjenocid”, mund të nxisë tensione të reja në Ballkan.
“Kjo është aq ofenduese saqë mund t’i influencojë shumë keq raportet në rajon, jo vetëm tash, por edhe për brezat e ardhshëm”, tha Janja Beç. (m.k.)
