Ndërlidhjet

Opozita: Ndryshimet në funksion të blerjes së kohës

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës

Partitë opozitare në Kosovë janë skeptike se ndryshimet në kabinetin qeveritar do të sjellin ndryshime pozitive në qeverisjen e vendit. Ata thonë se nuk janë ndërruar ata ministra, te të cilët janë hedhur dyshime se kanë keqpërorur paranë publike. Opozita thotë se veprimi i kreut të Qeverisë është një përpjekje për të blerë kohë.


Ndryshimet në kabinetin qeveritar të Kosovës nuk u kanë bërë përshtypje partive opozitare në Kosovë, të cilat njëzëri thonë se nuk janë shkarkuar ministrat e përfolur për afera korruptive dhe keqmenaxhim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, shprehet skeptik se emërimet e reja, do të sjellin ndryshime pozitive në qeverisje.

“Ndryshimi që ka ndodhur në Qeverinë e Kosovës nuk do të sjellë diçka të re. Janë disa arsye që them kështu. E para është se shefi i Qeverisë, kryeministri, ka mbetur dhe nuk mund të ketë qeverisje të keqe, nëse kryeministri nuk është i tillë”.

“Njerëzit, të cilët po duket se janë larguar nga Qeveria, kanë mundur të shfaqin ndonjë dozë të moskompetencës, por përfundimisht nuk kanë qenë ata që kanë qenë thelbi i korrupsionit”
, thotë Gjini.

Për riformatizimin e Qeverisë është nisur të flitet që nga nëntori i vitit të kaluar. Tërë kjo kohë, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka shkaktuar një presion te qytetarët, ndërkaq i ka mbajtur nën tension ministrat.

Ai i quan kozmetike ndryshimet e publikuara të mërkurën nga kryeministri Thaçi.

“Ajo që mendoj unë është se do të duhej të ndryshonte mentaliteti qeverisës dhe koncepti i qeverisjes, sepse, nëse vazhdon ky mentalitet qeverisës, ndryshimet e brendshme janë të kota dhe mua më duken vetëm kozmetike”.

“Pa një program të qartë qeverisës, pa vizion të qartë, pa objektiva të qarta të qeverisë, është e pamundur të shpresohet në zhvillime pozitive të Qeverisë në muajt në vijim”
, shprehet Makolli.

Kryeministri Thaçi ka lavdëruar punën e ministrave të shkarkuar. Opozita e sheh këtë si një paradoks dhe kërkon shpjegime nga kreu i Qeverisë se pse i shkarkoi ministrat përkatës.

Një përgjigje të tillë kërkon edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri.

“Dikasteret, që është folur më së shumti për korrupsion dhe keqmenaxhim, nuk janë prekur fare. Veç kësaj, kjo Qeveri duhet të na japë konkretisht përgjigjen – për çka janë shkarkuar këta ministra”.

“Dhe, nëse vërtet është dashur të shkarkohen, këta duhet të ndiqen dhe të japin llogari për punën e tyre që nuk e kanë bërë ashtu si duhet”
, thotë Gaxherri.

Me emërimet e reja, janë dy ministra që rikthehen në Qeveri- është ish-kryeministri Bajram Rexhepi, që merr postin e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe Lutfi Haziri, që emërohet ministër i Kulturës.

Besa Gaxherri, kritikon kreun e Qeverisë për angazhimin e Hazirit, meqë, siç thotë ajo, ka qenë Haziri ai që ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë gjatë fushatës parazgjedhore.

Partitë opozitare e shohin veprimin e kreut të Qeverisë si një përpjekje për të blerë kohë dhe për të shfaqur para opinionit si dhe komunitetit ndërkombëtar ndryshimet, që, sipas opozitarëve, nuk janë tjetër veçse kozmetike.
XS
SM
MD
LG