Ndërlidhjet

Biznes apo politikë?


Patrick Moore
Patrick Moore

Presidenti i Rusisë dhe ai i Ukrainës kanë paralajmëruar në Çarkov, më 21 prill, se qeveritë e tyre kanë arritur një marrëveshje, nëpërmjet së cilës Ukraina do t’ia zgjasë Rusisë kohën e përdorimit të bazës ushtarake në Sevastopol edhe për 25 vjet të tjerë, me mundësinë e ripërtëritjes automatike edhe për 5 vjet të tjerë, deri më 2047.

Në këmbim, Rusia do ta ulë çmimin e eksportit të gazit për Ukrainën deri në 30 për qind, duke i mundësuar Kievit që të kursejë rreth 40 miliardë dollarë vetëm në dhjetëvjetëshin e ardhshëm.

Ka pasur mjaft simbolizëm në këtë marrëveshje. Së pari, presidenti ukrainas, Viktor Janukoviq, ka ardhur në këtë post vetëm dy muaj më parë, kohë shumë e shkurtër për të arritur një marrëveshje kaq të rëndësishme.

Prandaj, nuk është e largët të supozosh se baza e këtij dokumenti mbase është hartuar shumë kohë para triumfit të Janukoviqit pro-rus përballë opozitës së ndarë pro-perëndimore dhe kandidatëve tjerë në zgjedhjet e shkurtit.

Së dyti, Janukoviq është takuar me presidentin rus, Dmitri Medvedev, në qytetin e populluar me shumicë ruse në Ukrainë, Çarkov. Ky qytet është vetëm një pjesë e bazës politike të liderit ukrainas dhe qendër e oligarkisë industriale që e mbështet atë.

Arritja e gazit më të lirë rus do t’u mundësojë këtyre oligarkëve të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë si më parë, pa pasur presione ekonomike, të cilat ndryshe do t’i detyronin ata t’i modernizojnë fabrikat e epokës sovjetike.

Humbësi këtu, natyrisht, është konkurrenca ekonomike afatgjate e Ukrainës. Dhe, fitues është Rusia, e cila do ta mbajë këtë bazë industriale të një konkurruesi potencial në kuadër të një epoke guri sovjetike, ndërkaq oligarkët do të jenë pengje të çmimeve më të lira të gazit të Rusisë.

Së treti, shumëçka në këtë marrëveshje ka qenë jo edhe aq transparente. Serhiy Tihipko, zëvendëskryeministri ukrainas për ekonominë, ka thënë gjatë një vizite në Uashington, se marrëveshja ishte negociuar në fshehtësi.

Ai ka thënë se nuk i pëlqen praktikat e këtilla, por, megjithatë, ka shtuar se vendi i tij do të ketë përfitime ekonomike nga marrëveshja. Madje, edhe pse marrëveshja është paralajmëruar dhe nënshkruar dhe pastaj u është dërguar parlamenteve të të dyja vendeve për ratifikim, detajet e asaj se çfarë do të paguajë Ukraina, nuk janë sqaruar ende.

Madje, as zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, nuk i di të gjitha të dhënat. Ai u ka thënë gazetarëve pas nënshkrimit se nuk e di “numrin e saktë” të çmimit të marrëveshjes për bazën, as që e di se sa do të paguajë Rusia me para të gatshme.

Mbi të dhënat e sakta do të arrihet pajtimi në bisedimet e ardhshme, ka thënë ai.


Gjëja e parë

E gjithë kjo nuk tingëllon si mënyrë e duhur për të bërë biznes. Natyrisht, nuk është fare biznes, sepse një marrëveshje e këtillë s’ka të bëjë aspak me biznesin. Ka të bëjë me fuqinë e politikës.

Kjo edhe e shpjegon faktin pse presidenti ukrainas, zgjedhja e Moskës, vrapoi pas zgjedhjes së tij, t’i përmbushë kërkesat më kryesore të shefave të tij, kryesisht duke ia siguruar Rusisë bazën më të rëndësishme ushtarake në Detin e Zi dhe duke ia lënë atë në duart e Rusisë deri në vitin 2047.

Afati i kësaj marrëveshjeje është dashur të skadojë më 2017-ën dhe disa ligjvënës opozitarë në Ukrainë thonë se me të tani shkelet edhe Kushtetuta, e cila ndalon bazat e huaja ushtarake në territorin ukrainas.

Por, kjo nuk është e rëndësishme as për diktatorin rus, kryeministrin Vladimir Putin dhe as për miqtë e tij në Kiev. Ata e dinë se ka mënyra për të shmangur ligjin, duke e injoruar atë.

Kjo logjikë e njëjtë e pushtetit ka nxitur Putinin, mbështetësit e tij në Moskë dhe Kiev, t’i injorojnë parimet e të bërit biznes. A ju kujtohet se si Rusia, sa herë që ndërpriste furnizimet me gaz për Ukrainën në mes të dimrit, viteve të kaluara, nënvizonte se hapi nuk është politik, por thjesht bëhej për arsye biznesi, nga nevoja që Ukraina ta paguajë çmimin e tregut për gazin?

Epo, tani po e shohim të vërtetën. Faktorët e tregut nuk janë aq të rëndësishëm për Kremlinin sa janë çështjet politike, siç është baza ushtarake.

Vetë Putini e ka bërë këtë të qartë në deklarimet e tij më 22 prill. Ai ka thënë se buxheti i shtetit të Rusisë do të financojë marrëveshjen, e cila është cilësuar si domosdoshmëri “e shtrenjtë”.

Putini e ka quajtur Krimean si “rast specifik” dhe ka shtuar se Rusia nuk është e gatshme të ofrojë gaz të lirë për bazat në vendet tjera, të cilat nuk i ka emëruar.

Por, çështja themelore për të është betonimi i raporteve me regjimin e ri ukrainas. “Do të nënvizoj se kjo marrëveshje nënkupton një depërtim cilësor në raportet bilaterale. Dhe, paraja këtu nuk është çështja thelbësore aspak… Çështja thelbësore është raporti i mirëbesimit, mirëkuptimit të interesave të përbashkëta dhe synimet historike dhe ndjenja e miqësisë”.

Kjo arritje, ka thënë Putin, padyshim që do të nxisë bashkëpunim në të ardhmen. Mund ta imagjinojmë se çfarë nënkupton një “bashkëpunim” i këtillë dhe kush do të jetë përfitues.

Lidershipi i ri ukrainas tashmë e ka vënë veten në dispozicion të Kremlinit, fillimisht duke i dhënë fund fushatës së paraardhësve për t’iu bashkuar NATO-s.


Lidhshmëria me Serbinë

Dikush, njëherë, pati thënë se Rusia e Putinit shfrytëzon furnizimet me energji si armatim, sikur Rusia Sovjetike që projektonte ndikimin e vet me tankse.

Kjo gjithashtu vlen edhe për Serbinë, atje ku Rusia tashmë e ka vendosur vetveten fuqishëm. Më 25 janar, 2008, Putin dhe Mevdedev ishin dëshmitarë të nënshkrimit të marrëveshjeve të mëdha ekonomike në praninë e presidentit Boris Tadiq dhe Vojisllav Koshtunicës, atëbotë kryeministër.

Në këto marrëveshje të rëndësishme ishte përfshirë shitja e monopolit shtetëror të naftës në Serbi, NIS, tek një grup i udhëhequr nga Gazprom-i, dhe ndërtimi i një gazsjellësi nga Gazprom-i nëpërmjet Serbisë.

Shitja e NIS-it u bë për çerekun e vlerës që kishte në treg, përkundër vërejtjeve të ministrit serb të ekonomisë, Mllagjan Dinkiq, nga grupi G17.

Bashkimi Evropian pati kundërshtuar mungesën e konkurrencës, por Koshtunica siguroi që Rusia të marrë atë që dëshironte. Dinkiq pati cituar zyrtarë të kabinetit të tij të kenë thënë se do të ishte politikisht e “pandershme” që Rusisë t’i kërkohet ta paguajë çmimin e tregut, pas mbështetjes që i kishte dhënë Serbisë në raport me Kosovën.

Në fund, konzorciumi rus mori përsipër 51 për qind të kontrollit mbi NIS-in, për 400 milionë euro. Gazprom-i dhe Srbijagas-i do të punojnë në ndërtimin e një gazsjellësi nëpërmjet Serbisë dhe t’i kompletojnë depot nëntokësore të gazit në Banatski Dvor.

Ky gazsjellës është pjesë e projektit Rryma e Jugut, që është në garë me gazsjellësin e Bashkimit Evropian, Nabuko. Projekti Rryma e Jugut ka për synim të shtojë varësinë evropiane mbi gazin natyror të Serbisë dhe kësisoj t’i ofrojë Moskës mundësi ndikimi te vendet e ndryshme, ngjashëm me atë që pamë që ndodhi në Ukrainë.

Asnjë nga këto nuk duhet të jetë befasuese për lidershipin politik në Beograd, përfshirë këtu edhe Tadiqin dhe ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiq.

Ata me siguri gjithashtu e dinë se si ka provuar Stalini, para shkëputjes së raporteve me Titon, më 1948, t’i lidhë ndërmarrjet ekonomike jugosllave me ato të Bashkimit Sovjetik, nëpërmjet motërzimit të kompanive, ashtu siç po bën sot Putini.

Jeremiq, i cili udhëheq fushatën ndërkombëtare të Serbisë kundër Kosovës, gjithashtu mund të ketë njohuri të posaçme mbi të kaluarën e Moskës dhe politikat aktuale eksploative kundrejt Beogradit.

Kjo për faktin se babai i tij ka qenë dikur drejtor i Jugopetrol-it, ndërmarrje paraardhëse e NIS-it.

* * *

Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.

Lexoni edhe këto: Autogoli i Serbisë
Jeta normale në një vend normal
Politika dyfytyrëshe
XS
SM
MD
LG