Ndërlidhjet

Pa përparim ekonomik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Kosovë, gjatë një debati në Çagllavicë, me temën "Qeverisja ekonomike - a po e mban Kosova hapin me reformat?", theksuan se në fushën ekonomike, Kosova nuk ka arritur përparim të mjaftueshëm. Ata kritikuan autoritetеt kosovare për zhvillim të ulët ekonomik.



Brenda tre vјеtëve të ardhshëm, autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se Kosova do të shënojë rritje ekonomike deri në 6 për qind. Kjo rritje ekonomike, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, do të realizohet përmes investimeve publike dhe konsumit.

Por, këto vlerësime hidhen poshtë nga ekspertë të ekonomisë, të cilët thonë se me politikat aktuale ekonomike, Kosova nuk mund të ketë rritje në aspektin ekonomik.

Shefi i njësitit për ekonomi dhe çështje fiskale në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Capussela, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në çështje që kanë të bëjnë me prioritetet ekonomike në periudhën afatmesme, prej tre deri në katër vjet, dhe në bazë të saj të miratojë politika në fusha të ndryshme.

“Ne jemi të shqetësuar për cilësinë e procesit të buxhetit. Mendojmë se procesi i buxhetit ka mangësi të kualitetit në krahasim me shpenzimet. Ka të bëjë me iniciativat e politikave të shpenzimeve dhe nevojave të Kosovës. Këtu është ajo ku ne jemi të shqetësuar. Qeveria duhet t’i respektojë prioritetet, me qëllim që të vijmë më shpejt deri te zhvillimi më i shpejtë ekonomik”, thotë Capussela.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se përparimi i arritur që nga publikimi i Raportit të Progresit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, në fushën ekonomike nuk është i mjaftueshëm.

“Nga periudha e Raportit të Progresit, kualiteti i politikave zhvillimore në Kosovë dhe në përgjithësi kapacitetet zhvillimore në Kosovë kanë qenë mbrapa, meqenëse shoqëria kosovare ballafaqohet me shumë sfida. Këto sfida fillojnë nga niveli i tanishëm i GDP-së për kapital, që sillet rreth 1,700 euro - me i ulëti në Evropë - me papunësi 40 për qind, me varfëri të skajshme 18 për qind”, shpjegon Abdixhiku.

Ai shprehet mjaft kritik ndaj politikave ekonomike të Qeverisë. Abdixhiku kërkon nga autoritetet kosovare që të ndihmohet biznesi privat, pasi që, siç thotë ai, vetëm në këtë mënyrë do të mund të gjenerohet rritja e dëshirueshme ekonomike.

Sipas tij, rritja ekonomike prej 4.4 për qind, sa thuhet se është aktualisht, nuk e ndihmon zhvillimin ekonomik.

“Kosova duhet të ketë rritje ekonomike 10 për qind për 10 vjetët e ardhshëm, në mënyrë që në vitin 2020 ta ketë nivelin e njëjtë të zhvillimit ekonomik me Shqipërinë, që njëkohësisht është vendi i dytë më i varfër në Evropë”.

“Vetëm 13 vende gjatë historisë zhvillimore të njerëzimit kanë arritur të kenë për 10 vjet rritje ekonomike për 10 për qind. Unë dyshoj që Kosova do të ketë një rritje të tillë ekonomike”,
shprehet Abdixhiku.

Sidoqoftë, parashikimet e zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë për rritje ekonomike janë shpresëdhënëse. Përfaqësuesi i kësaj ministrie, Selim Thaçi, pranon se rritja ekonomike aktuale prej 4.4 për qind nuk është e mjaftueshme, por, sipas tij, gjatë viteve të ardhshme do të ketë përmirësime.

Për vitin 2010, vlerësimet tona flasin që ekonomia e Kosovës do të shënojë rritje ekonomike mbi 5 për qind. Kontribues kryesorë në këtë rritje do të jenë: konsumi, investimet dhe në veçanti kontributi i investimeve publike në fillimin e realizimit të projektit madhor, siç është autostrada”, thotë Selim Thaçi

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është duke u kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtarë për zhvillim të ulët ekonomik dhe rritje ekonomike të pamjaftueshme. Kritikat e tilla janë bërë së fundi nga Banka Botërore.

Lexoni edhe këto: Evazioni fiskal po e dëmton ekonominë kosovare
Limani: Ekonomia e Kosovës - në recesion

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG