Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i pasdites

Programi i radhës

Tweet

Aktuale

ICO fton Kosovën e Serbinë për maturi

Prishtinë
12.07.2010

Autoritetet ndërkombëtare u bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit të përmbahen nga deklaratat që mund të shkaktojnë shqetësim te banorët.



Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë u ka kërkuar autoriteteve kosovare dhe atyre serbe që të përmbahen nga deklaratat, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim te banorët e Mitrovicës, kërkesë kjo që vjen pas ngjarjeve të fundit në veri dhe deklaratave të ndryshme lidhur me këto ngjarje.

Përfaqësues të ICO-së i thanë Radios Evropa e Lirë se dialogu në mes të palëve përgjegjëse do të ishte mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve që ndërlidhen me pjesën veriore të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffy, shprehu bindjen se deklaratat politike që shkaktojnë shqetësim te popullata, nuk janë në favor të krijimit të një ambienti të nevojshëm për, siç tha ai, përparimin demokratik.

Është përgjegjësi e të gjithëve, e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe të qeverisë, udhëheqësve të komuniteteve, që të krijojnë ambientin e duhur për përparimin demokratik. Ky ambient nuk mbështetet nëse njerëzit thonë gjëra që shkaktojnë shqetësim dhe siklet. Andaj, është një përgjegjësi e përbashkët - askush nuk është i përjashtuar”, u shpreh McGuffy.

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë shprehin bindjen se Beogradi dëshiron t'i shfrytëzojë reagimet e Prishtinës zyrtare lidhur zhvillimet e fundit në veri, për të forcuar qëndrimin serb se zgjidhja për veriun e Kosovës është shkëmbimi territorial apo ndarja territoriale e Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha se veriu mund të jetë tema kryesore e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të pasojnë prezantimin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit.

Për këto bisedime, sipas Shalës, është e nevojshme një përgatitje më e mirë e autoriteteve në Kosovë.

“Tash mendoj se është koha kur pala kosovare do të duhej të ulej, ta përgatiste një strategji të qartë se çfarë dëshiron të arrijë me këto bisedime, t’i artikulojë vijat e kuqe dhe madje ta hartojë edhe një dokument, në bazë të të cilit do të bisedohej me Beogradin”, tha ai, për të shtuar se jashtë agjendës së bisedimeve duhet të mbetet statusi i Kosovës, integriteti territorial i vendit dhe tendenca për krijimin e ndonjë, siç e quajti ai, statusi të avancuar në veri, me të cilin, sipas Shalës, do të instalohej parimi i asimetrisë sa u përket të drejtave të komunitetit serb.

Zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës, sipas koordinatorit për zbatimin e strategjisë së Qeverisë dhe të ICO-së për integrimin e veriut, Ylber Hysa, ka mbetur peng i procesit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në një deklaratë dhënë radios, Hysa tha se zhvillimi i bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pas prezantimit të mendimit të kësaj gjykate, do të shkonte më shumë në favor të palës serbe. Mirëpo, zëdhënësi i ICO-së, McGuffy, tha se Zyra Civile Ndërkombëtare do të mirëpriste dialogun e drejtpërdrejtë ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.

“U takon Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në kontakte të drejtpërdrejta. Është e nevojshme një gatishmëri politike për të dyja palët brenda një formati të pranueshëm për të dyja. Zyra Civile Ndërkombëtare gjithmonë ka mirëpritur kontakte të drejtpërdrejta, por u takon udhëheqësve të vendosin dhe të marrin pjesë në këtë”, tha McGuffy.

Ideja e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e njësive speciale policore në veri të Kosovës, pas incidenteve të fundit atje, kishte nxitur reagime të ashpra në Beograd.

Paralajmërimet për realizimin e një ideje të tillë u cilësuan si kërcënim i hapur për luftë nga autoritetet serbe.

Problemet në pjesën veriore të Kosovës thuhet se do të jenë në krye të temave në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të nisin pas përfundimit të procesit në GJND.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : dardan Prej : stockholm
13.07.2010 10:38
ICO-ja sigurisht se eshte e shqetsuar per vete banoret te cilet jetojne ne Kosove .
Ajo qe me ben te reagoj ashte se ICO-ja ka te drejte te ju terheq verejtjen per maturi Beogradit e Prishtines por do te ishte e udhes qe po kjo organizate te ju terheq verejtjen edhe vetem njeres pale ne kete rast Serbise e cila provokon dhe mundohet te nxit tensionin ne Ballkan e jo atehere kur reagon Prishtina .
Si ICO-ja e gjithashtu edhe miqte Serbe duhet ta kuptojne se nje dite Shqiptari do ti kunderpergjigjet Serbise si me deklarate e nese do te jete nevoja edhe me lufte .
Asht nonsens te lejon njeren pale te veproj dhe te nxis tension e kur behen dy palet te gatshme atehere te reagojne.
Keto parti si LDK dhe PDK jane parti te deshtuara ne popull dhe populli shume shpejt do ju kthej shpinen me ane te bojkotit te zgjedhjeve e vetmja rruge dalje per keto parti ashte rritja e nacionalizmit dhe ICO-ja duhet ta dije se sa me i lodhur qe te behet populli Kosovare aq me shpesh do te reagojne ne Provokimet e shtetit Serbe udheheqsit politik nga Prishtina dhe sigurisht do te jene te gatshem deri ne nje lufte te re dhe pas asjaj nuk asht Fatmiri qe deklaron se nuk ka as nje pllembe toke te fale por ashte nje popull i tere qe quhen Shqiptare qe nuk e kane ate pellembe qe dikush e kerkon qe te i jep shtetit Serb nga Nderkombetaret. Duhet te vetedijesohen te gjithe se nuk ashte viti 1878

God bless USA!
Zoti e bekofte Ameriken!
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile