Ndërlidhjet

Hagë: Rigjykim i pjesshëm për rastin Haradinaj


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Dhoma e Apelit vendosi paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt e Balajt pasi kishin munguar dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë.


Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës sot ka anuluar pjesërisht vendimin e Gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.

“Bazuar në apelin e Prokurorisë, Dhoma e Apelit i jep të drejtë, me shumicë votash, kërkesës një të Prokurorisë. Gjyqtari Robinson e ka kundërshtuar vendimin. Kjo bën që të anulohet vendimi i Gjykatës për lirim nga të gjitha akuzat për Ramush Haradinajn dhe Idriz Balajn”, tha gjyqtari i Dhomës së Apelit.

Kjo e fundit ka urdhëruar rigjykim të pjesshëm lidhur me rastin. Apeli ka pranuar ankesën e Prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë të rastit.

Apeli ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve.

Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e Prokurorisë lidhur me akuzat e tjera.

Në fund të seancës së sotme, gyjqtari i Apelit ka vendosur paraburgimin për Haradinajn, Balajn e Brahimajn deri në një vendim tjetër.

“Apeli urdhëron paraburgimin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lah Brahimajt dhe kërkon dërgimin e të treve në qelitë e paraburgimit të Gjykatës”, tha drejtuesi i seancës.

Pritet që Gjykata të caktojë datën e rigjykimit.

Përmes një komunikate, avokati mbrojtës i zotit Haradinaj, Majkëll O’Relli, theksoi se “është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm”. “Kjo është diçka që ne s’kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy vjetëve”, tha ai.

Burimet pranë ekipit mbrojtës të zotit Haradinaj pohojnë se së shpejti do të bëhet kërkesa me shkrim për lirimin me kusht.

Ndërkaq, në Prishtinë, reagimet e para kanë ardhur nga partia e zotit Haradinaj, Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës, e cila pranoi se është shokuar nga vendimi i sotëm.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmeti Isufi, i tha Radios Evropa e Lirë, se ky vendim është i bazuar në motive politike.

Vendimi i Gjykatës, për ta ftuar sërish zotin Haradinaj në rigjykim, për neve është shokues. Ne konsiderojmë se kjo është e bazuar në motive politike, për arsye se zoti Haradinaj, nga e njëjta gjykatë, më 3 prill, 2008, është liruar si i pafajshëm”.

“Prandaj, në momentin e fundit, një ditë para se të fillojë gjykimi, zoti Haradinaj është ftuar urgjent që të jetë pjesë e procesit, i cili konsiderojmë se nuk është në dobi të proceseve stabilizuese në Kosovë, përkundrazi”,
u shpreh Isufi.
XS
SM
MD
LG