Ndërlidhjet

Kosova me deficit të lartë tregtar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shoqëria kosovare është shndërruar në një shoqëri të varur nga produktet e huaja. Zyrtarë të Doganave të Kosovës thonë se importi, në krahasim me eksportin, vazhdon të jetë shumë më i lartë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se importi ka qenë përafërsisht i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kurse eksporti ka shënuar rritje.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009 ka pasur mallra të importuara në vlerë prej 822. 6 milionë euro, kurse në gjashtëmujori e parë të vitit 2010 kemi pasur 893. 07 import të mallrave.


“Dallimi është mjaft i vogël në mes importit në vitin 2009 dhe atë 2010 - struktura e mallrave, e cila është importuar është e njëjtë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009 ka pasur mallra të importuara në vlerë prej 822. 6 milionë euro, kurse në gjashtëmujori e parë të vitit 2010 kemi pasur 893. 07 import të mallrave”,
thotë Stavileci.

Pavarësisht faktit që Kosova është bërë pjesë e marrëveshjeve të ndryshme rajonale, në vazhdimësi në tregun kosovar ka pasur bilanc negativ tregtar.

Vlera e vogël e eksporteve kosovare është arsyetuar edhe me cilësinë e dobët të prodhimeve vendore kundrejt vendeve të zhvilluara.

Por, me kalimin e viteve prodhuesit vendorë, pavarësisht barrierave të shumta, kanë arritur të përdorin teknologjinë bashkëkohore duke e rritur kështu në masë të madhe cilësinë e prodhimeve.

Skënder Bajrami, prodhues vendor, ankohet për politikat tatimore të pafavorshme në Kosovë.
...jemi të vetëdijshëm që kemi konkurrencë në këtë lëmi nga vendet e rajonit, por kërkojmë të na krijohen lehtësi...


“Ne, për produktet tona, duke filluar nga lënda e parë, nafta, pajiset, paguajmë edhe doganë, edhe TVSH. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi konkurrencë në këtë lëmi nga vendet e rajonit, por kërkojmë të na krijohen lehtësi”,
shprehet Bajrami, duke shtuar se me politikat aktuale të Qeverisë nuk do të mund të kemi zbutje të importit.

Gjithnjë duke iu referuar të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovës, thuhet se eksporti në vitin 2010 është dyfishuar krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Në vitin 2009 kishte pasur afër 28.4 milionë euro eksport, kurse në vitin 2010 janë 53.7 milionë euro.

Sipas zëdhënësit Stavileci, këto të dhëna tregojnë se ka dyfishim të eksportit. Ndërkaq, sa i përket strukturës së mallrave, të cilat më së shumti importohen dhe atyre që eksportohen, Stavileci jep më shumë hollësi:

“Në strukturën e mallrave të importuara dominon nafta dhe derivatet e saj, produktet me akcizë, si alkooli e cigarja, të cilat dominojnë për kah vlera e mallit, kurse në atë të eksportit, metalet dhe mbetjet e metaleve”.


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë potencuar se Kosova, gjatë këtij viti, në fushën e krijimit të rregullave të ekonomisë së tregut, ka bërë avancim të duhur.

Ata kanë thënë se Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri për bashkëpunim rajonal ekonomik, ndërkaq ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga këta të fundit që të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të këmbimeve tregtare, në mënyrë që Kosova të mos mbetet edhe më tej një vend më shumë importues, sesa eksportues.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se Kosovës i mungon strategji e zhvillimit ekonomik. Pa këtë dokument, profesor Limani thotë se nuk mund të ketë zhvillim të duhur.
Kosova nuk posedon një program, i cili do ta mbështeste biznesin kosovar.


“Kosova nuk posedon një program, i cili do ta mbështeste biznesin kosovar. Ka mungesë të politikës kreditore dhe politikës së tregtisë së jashtme në Kosovë. Në Kosovë, 80 për qind e mallrave që janë të nevojshme për konsumatorët kosovarë, importohen”
, vlerëson Limani.

Ndryshe zyrtarët të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë zotuar që deri në fund të këtij viti të miratojnë strategjinë për promovimin e eksportit.
XS
SM
MD
LG