Ndërlidhjet

Guardian: Karla del Ponte nën hetime


Karla del Ponte
Karla del Ponte

“The Guardian”


Karla del Ponte, ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, personi që dërgoi pas hekurave të burgut disa nga drejtuesit e luftërave në Ballkan, do të hetohet rreth akuzave se ka lejuar frikësimin dhe dhënien e ryshfeteve për dëshmitarët, si dhe shkatërrimin apo dëmtimin e provave.

Gjyqtarët e Kombeve të Bashkuara në Tribunalin për ish-Jugosllavinë kanë urdhëruar hetime të pavarura ndaj praktikave të Del Pontes dhe dy prokurorëve kyç që vazhdojnë të jenë pjesë e këtij sistemi, përkatësisht Hidelgard Ultz Retzlaff dhe Daniel Saxon.

Hetimi ka filluar pas ankesave të dëshmitarëve se janë kërcënuar, paguar, keqtrajtuar dhe provat e tyre janë dëmtuar.

Kjo është hera e parë në 17 vitet e kësaj gjykate ku prokurorët kryesorë përballen me dënime të mundshme për mosrespektim të rregullave të Gjykatës.

Gjatë tetë viteve të saj si kryeprokurore, Del Ponte, e cila shërben aktualisht si ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, njihet si një figurë luftarake, por dhe shumë kundërthënëse. Ajo u largua nga detyra në vitin 2007.

Akuzat kundër saj lidhen me shqetësimet rreth praktikave të përdorura nga ekipi i hetuesve të saj në procesin e Vojisllav Sheshelit, një prej drejtuesve më famëkeq të luftërave në ish-Jugosllavi.

“Disa nga dëshmitarët kanë folur për presion dhe kërcënime të bëra nga hetuesit e prokurorisë”,
thuhet në një deklaratë nga gjyqtari i rastit të Sheshelit. “Prokuroria ka marrë dëshmi në mënyrë të paligjshme, përmes kërcënimeve, apo blerjes së dëshmitarëve”.

Një dëshmitar serb tha se i është ofruar një punë e paguar mirë në Shtetet e Bashkuara nëse dëshmonte në favor të Prokurorisë.

“Deklarata flet për pagjumësi të detyruar gjatë marrjes në pyetje, presion psikologjik dhe në një fazë dhe për shantazh, kërcënime dhe pagesa të paligjshme”.


Një hetues i pavarur, që besohet të jetë gjykatës francez, do të raportojë rreth akuzave për gjashtë muaj. Prokuroria në Hagë i ka hedhur poshtë akuzat, por ka premtuar se do të bashkëpunojë.

“Besojmë se ekipi ynë e ka bërë punën në mënyrë profesionale dhe sipas rregullave”,
tha Frederik Suinen, këshilltar i posaçëm i Serzh Bramerz, kryeprokurorit aktual, që zëvendësoi Del Ponten.

Gjyqtar Zhan Klod Antoneti, i cili ka urdhëruar hetimin e Del Pontes, e njëherësh drejton gjykimin e Sheshelit, tha se Gjykata i ka marrë shumë seriozisht akuzat dhe hodhi poshtë mundësinë se mund të ketë cenim të të drejtave të të akuzuarit.(i.b)
XS
SM
MD
LG