Ndërlidhjet

Viti i Nënë Terezës


Nënë Tereza
Nënë Tereza

100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, jeta dhe figura e saj ishin tema kryesore e tryezës tradicionale të Seminarit të sivjetmë Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare. Në këtë organizim morën pjesë përfaqësues të jetës institucionale, fetare e shkencore në vend e rajon.

Organizatorët e Seminarit XXIX Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare, ia dedikuan tryezën e sivjetme të këtij seminari nobelistes me origjinë shqiptare Nënë Tereza.

“Nëna Universale”, “Monumenti i popullit dhe i mbarë botës” dhe “Misionarja e dashurisë” ishin disa nga emërtimet për Nënë Terezën, që përshkuan fjalimet e folësve në këtë tryezë.

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve, Lutfi Haziri, tha se viti 2010 do të jetë “viti i Nënë Terezës” në Kosovë. Për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së saj, sipas tij, po zhvillohen të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Ne, edhe një herë dëshmojmë, jo vetëm kujdesin, por edhe angazhimin e përkushtimin tonë të vogël karshi veprës së madhe që ka bërë Nënë Tereza. Ky vit është i Nënë Terezës, është vit për të cilin është vendosur tashmë dhe i përkushtohet jetës dhe veprës me rastin e 100-vjetorit të nënës së madhe-nobelistes së parë shqiptare Nënë Terezës”
, tha Haziri.

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, sipas Dom Lush Gjergjit, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.

“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos të jetë rrezja e dashurisë së Zotit”,
theksoi Gjergji.

Në tryezë u fol gjithashtu për rëndësinë e figurës së Nënë Terezës në aspektin historik të popullit shqiptar. Drejtori i Institutit të Historisë në Kosovë, Jusuf Bajraktari, tha se origjina, vendi e koha ku u lind Nënë Tereza, karakteri, orientimi e vepra e saj dhe kontributi i veprës së saj për njerëzimin dhe historinë shqiptare janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë kryesisht figurën e Nënë Terezës.

Bajraktari paralajmëroi mbajtjen e një konference ndërkombëtare për jetën dhe veprën e humanistes shqiptare - ngjarje që pritet të mbahet në fillim të muajit shtator në Prishtinë.

“Këtë vit, kur instituti ynë ka shënuar me aktivitete shumë të rëndësishme, 100-vjetorin (e lindjes) së ndjerës më të madhe po e begatojmë me organizimin e një konference shkencore e ndërkombëtare në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që do të mbahet më 7 shtator në Prishtinë për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës”
, bëri të ditur Bajraktari.

Një nga motot kryesore të Nënë Terezës, “Bëni gjëra të vogla me dashuri të madhe” veçoi punimin e profesoreshës në Universitetin e Tiranës, Aljula Jubani-Bengu.

“Na pëlqen parimi i Nënë Terezës për dashurinë që duhet t’i kushtojmë gjithçkaje që bëjmë. Por, si mund ta zbatojmë këtë në shoqërinë tonë ku nuk rreshtin goditjet e bërrylave, nënkëmbëzat e kacafytjet?”.

“Edhe Nënë Tereza i dinte këto, i provoi, i njohu, por nuk u tërhoq në misionin e saj”,
u shpreh Jubani-Bengu.
XS
SM
MD
LG