Ndërlidhjet

Nëna Terezë, fenomen i mirësisë


Dom Lush Gjergji
Dom Lush Gjergji

"Nëna Terezë ishte fenomen i mirësisë dhe dashurisë universale, duke e lidhur Zotin me njeriun", tha në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Dom Lush Gjergji, famullitar i Kishës Katolike në Binçë.


RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush, këtë vit shënohet 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Manifestime të shumta do të ketë edhe në Kosovë. Si e përjetoni ju këtë ngjarje?

DOM LUSH GJERGJI

Si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe kulmore për popullin shqiptar, në veçanti për ne në Kosovë, pas gjithë asaj që kemi pësuar dhe kemi vuajtur, sepse Nëna Terezë ishte ajo, e cila na ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me vuajtjen e motivuar dhe vuajtjen e kushtuar.

Prandaj, ky përvjetor për ne është një rast i mirë që të mendojmë për traditën, kulturën, historinë, për të kaluarën tonë, e mbi të gjitha të përqendrohemi për të tashmen dhe të ardhmen sa më të mirë në dritën e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, e cila është shprehja më e bukur e bamirësisë e kushtimit dhe përkushtimit ndaj njerëzve, sidomos ndaj atyre që kanë nevojë trupore apo shpirtërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni biograf i Nënë Terezës. Çka mund të na tregoni diçka të veçantë për virtytet e saj, meqë keni pasur edhe takime me Nënën Terezë? Çka ju kujtohet nga takimet e fundit?

DOM LUSH GJERGJI

Unë afro 30 vjet e kam përcjellë jetën dhe veprën e saj, qysh nga takimi im i parë, në vjeshtën e vitit 1968, kur isha si student i vitit të dytë të Filozofisë në Romë, dhe pak a shumë e kam përcjellë gjatë tërë jetës së saj, deri më 5 shtator të vitit 1997 kur ajo vdiq, ndërroi jetë dhe kaloi në amshim.

Jam munduar që me 15 veprat e mia ta ndriçoj jetën dhe veprën e saj, sidomos atë çka ishte e panjohur në botë, që ishte konteksti shoqëror, ai historik, kombëtar dhe kulturor i familjes Bojaxhiu, i famullisë “Zonja Ndihmëtare” në rend të parë në Prizren, ku janë edukuar prindërit e saj dhe familja Bojaxhiu, dhe i famullisë “Zemra e Krishtit” në Shkup.

Ka shumëçka që do të mund të veçoja nga jeta dhe vepra e Nënës Terezë. Mbi të gjitha, është një universalizmi, i cili nuk ka ekzistuar kurrë në historinë 2000-vjeçare të krishterimit, por as në botë.

Nuk ka pasur asnjë njeri deri me Nënën Terezë që është marrë me të ligat e njerëzimit në kuptimin planetar apo gjithënjerëzor - si atyre materiale, si atyre shpirtërore, si atyre kulturore - me një parim të madh dhe të shenjtë ‘kudo që jeta është në rrezik aty duhet të jemi ne’.

Prandaj, Nënë Tereza është fenomeni i mirësisë dhe dashurisë universale, duke e lidhur Zotin me njeriun dhe njeriun me Zotin, me një gërshetim të shkëlqyeshëm.

Nëna Terezë sa më shumë që plakej, aq më shumë edhe përmallej. Prandaj, unë kam qenë ndoshta një nga ata që e kam ngacmuar në kuptimin pozitiv dhe ka qenë shumë e lidhur me popullin shqiptar, në mënyrë krejt të posaçme me Kosovën dhe ajo gjithmonë ishte në një anë e angazhuar, dhe në anën tjetër, e shqetësuar dhe e brengosur për fatin tonë.

E ka lutur shumë Zotin dhe ka ndërmjetësuar sidomos përmes Papës Gjon Palit II, mikut të madh të saj dhe të popullit të saj, pastaj përmes Kombeve të Bashkuara, kryetarit të Amerikës, si te Regani, ashtu edhe te Klintoni dhe personalitete tjera.

Dhe, prapavija e saj, çka edhe ndodhi mrekullia në Kosovë, nuk mund të kuptohet dhe shpjegohet pa ndërhyrjen e Nënës Terezë dhe pa ndërhyrjen e Papës Gjon Palit II.

RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush, vitin e kaluar ka pasur disa kërkesa që me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, eshtrat e saj të prehen në Shqipëri. A është e mundur të realizohet kjo ide?

DOM LUSH GJERGJI

Kjo ide do të realizohet, siç kam thënë edhe në mediat tjera, vetëm pjesërisht, sepse eshtrat, apo siç quhen në terminologjinë teknike “reliktet e shenjtëve dhe shenjtëreshave”, kurrë nuk janë në një vend, por shpeshherë shpërndahen në shumë vende.

Ne, kur do ta ndërtojmë dhe përfundojmë Katedralen, që do të jetë njëkohësisht edhe shenjtorja e Nënë Terezës këtu në Prishtinë, do t’i kërkojmë nëpërmes selisë së shenjtë eshtrat e saj dhe askush nuk ka të drejtë të na e mohojë një gjë të tillë.

Ne këtë do ta bëjmë nëpërmes Vatikanit dhe motrave, domethënë një pjesë të eshtrave të saj do t’i kemi në altarin kryesor, ku do të ndërtohet sarkofagu dhe ku njerëzit do të vijnë t’i nderojnë ata që besojnë dhe të luten para eshtrave, e mbi të gjitha para shpirtit dhe jetës madhore të Nënë Terezës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është trashëgimia që Nënë Tereza i la botës?

DOM LUSH GJERGJI

Një trashëgimi që njeriu duhet të jetë për njeriun vëlla apo motër, dhe jo ujk apo bishë - trashëgiminë që njeriu duhet, mbi të gjitha, të aktivizohet dhe ta japë pjesën më të mirë të vetvetes, e që është kujdesi, mirësia dashuria, falja, bashkëjetesa, dialogu e komunikimi.

Domethënë te Nëna Terezë mund të gjejmë një mori të atyre që janë thesaret e mëdha të jetës, sepse pa dashuri dhe flijim jeta nuk ka kuptim. Flijime ka shumë në botë, e dashuri ka shumë pak dhe Nënë Tereza pikërisht flijimit ia dha dimensionin e dashurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne – është një nga thëniet e shumta, për të cilat Nëna Terezë njihet. Sa po mundet sot njerëzimi ta përmbushë këtë përkushtim të saj?

DOM LUSH GJERGJI

Sigurisht jo në atë dimensionin që do të ishte i nevojshëm, sepse rrezikimi i jetës nuk është vetëm nga lufta, nga uria, nga papunësia, nuk është vetëm nga rreziqet e ndryshme siç janë tërmetet, vërshimet apo dukuritë tjera natyrore.

Nëna Terezë e ka pasur një filozofi të stërholluar dhe ka thënë shpeshherë se sëmundja më e madhe nuk është dikur tuberkulozi, kanceri, AIDS-i, por vuajtja apo sëmundja më e madhe e njerëzimit është mosdashuria, apo indiferentizmi, i cili vret sistematikisht pa e hetuar fare.

Prandaj, Nëna Terezë është përkujdesur edhe për të varfrit edhe për të pasurit, ngase shpeshherë të pasurit janë shumë më të palumtur sesa të varfrit që vdesin nga uria.

Në duart e saj kanë vdekur afër 17 mijë vetë prej sëmundjeve të ndryshme, por ajo thoshte se askush prej tyre nuk ka vdekur i dëshpëruar, ndonëse ka jetuar si kafshë apo si bishë, ka vdekur si engjëll me buzëqeshje.

Ndërsa, shumë të pasur shpeshherë kanë jetuar dhe kanë vdekur pa kurrfarë kuptimi dhe shpeshherë në dëshpërim të plotë.

Prandaj, Nëna Terezë e ka bërë një balancim të mrekullueshëm mes botës së të pasurve dhe të varfërve, duke u thënë të pasurve që nëse dëshironi të jeni të lumtur, dhuroni diçka e mbi të gjitha dhuroni vetveten, kurse të varfërve - ju ua dhuroni të pasurve nderimin, e mbi të gjitha falënderimin tuaj.
XS
SM
MD
LG