Ndërlidhjet

Qasja karshi strukturave paralele


Paqeruajtësit në Mitrovicë
Paqeruajtësit në Mitrovicë

Autoritetet në Prishtinë thonë se ka ardhur koha që në veri të veprohet kundër strukturave të paligjshme - gjë që, sipas tyre, do të bëhet në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar. Analistët, ndërkaq, vlerësojnë se veriu po trajtohet me një kujdes të panevojshëm nga Brukseli zyrtar dhe theksojnë nevojën për ndërhyrjen e EULEX-it dhe të KFOR-it atje.


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se në veri nuk do të lejohet veprimi i çfarëdo strukture, e cila ka për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë atje.

Mediat kosovare raportuan për thirrjet, të cilat udhëheqësit e strukturave paralele serbe të sigurisë në veri ua kishin bërë pjesëtarëve të tyre që, siç thuhet, të shtojnë patrullimet në veri dhe të sulmojnë pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa, thotë se nuk do të tolerohen veprimet e strukturave të paligjshme në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, Mustafa nuk precizon se çfarë masash duhet të ndërmerren nga mekanizmat përgjegjës në këtë drejtim.
Çdo veprimtari që nuk është e ligjshme në vendin tonë, ka ardhur koha që të ndalet...


“Çdo veprimtari që nuk është e ligjshme në vendin tonë, ka ardhur koha që të ndalet; të ndalen paligjshmëritë në vendin tonë, të sundojë ligji, të sundojë rregulli”,
thotë Mustafa.

Përmes një strategjie për integrimin e veriut Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare synojnë që në veri ta kthejnë sundimin e ligjit.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe ai i NATO-s në Kosovë ishin distancuar nga dokumenti në fjalë, duke thënë se do ta zbatojnë detyrën bazuar në mandatet e misioneve të tyre.

Sidoqoftë, drejtori për hulumtime në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Krenar Gashi, vlerëson se është përgjegjësi e EULEX-it dhe e KFOR-it që të merret me kërcënimet eventuale për siguri që vijnë nga strukturat paralele serbe në veri.

Krenar Gashi

“Kur flasim për strukturat paralele të Serbisë, sidomos për strukturat paralele të sigurisë që operojnë në veri të lumit Ibër - këto bien në përgjegjësi të drejtpërdrejtë të misionit të EULEX-it, mision ky i cili ka polici me mandat ekzekutiv në këtë pjesë të Kosovës dhe, në fund të fundit, edhe te misioni paqeruajtës i KFOR-it”
, vlerëson Gashi.

Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare pohojnë se pjesa më e madhe e telasheve lidhur me veriun ndodhin për shkak të ndikimit ende të madh të Beogradit zyrtar ndaj banorëvë lokal serbë.

Gashi thekson se ka një mungesë të vullnetit politik dhe një, siç e cilësoi ai, kujdes të tepruar të Brukselit zyrtar lidhur me veriun e Kosovës.

Ky kujdes i tepruar, i panevojshëm dhe i ekzagjeruar i Brukselit zyrtar për veriun e Kosovës, e ka sjellë një situatë ku mbase strukturat e tilla paralele që veprojnë, mund edhe ta kërcënojnë Policinë e Kosovës”, thekson Gashi.

Mirëpo, i pyetur për nevojën që Brukselit zyrtar t’i kërkohet një veprim i caktuar karshi strukturave paralele serbe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, kreu i Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa, shprehet:

“Lidhur me fajin se a është i bashkësisë ndërkombëtare apo i yni, unë them se është i përbashkët. Ne jemi duke e bërë çdo ditë - jo kërkesën, por punën jemi duke e bashkërenditur me ta”.


Situata e sigurisë në Kosovë, në shumicën e raporteve të institucioneve vendore e ndërkombëtare të sigurisë, vlerësohet të jetë e qëndrueshme, por e brishtë.

Kthimi i sundimit të ligjit në veri është shpallur prioritet nga mekanizmat përgjegjës në Kosovë, mirëpo kritikët thonë se nuk ka veprime aktive për t’i shuar strukturat paralele serbe, por vetëm një kontroll të gjendjes ekzistuese atje.
XS
SM
MD
LG