Ndërlidhjet

Miratohet rezoluta për Kosovën, KB njeh mendimin e GJND-së


Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Foto nga arkivi)
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Foto nga arkivi)

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi rezolutën e Serbisë që u bashkësponsorizua nga Bashkimi Evropian, e cila e mbështet rolin kryesor të Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin ndërmjet Serbisë dhe udhëheqësve shqiptarë të Kosovës.

Rezoluta, e cila u miratua pa votim nga 192 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme, gjithashtu e pranon mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar.

Propozim-rezoluta u paraqit para pjesëmarrësve nga Vuk Jeremiq, ministër i Jashtëm i Serbisë, i cili ripërsëriti se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Republika e Serbisë nuk e njeh dhe nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Rezoluta e respekton dhe pranon përmbajtjen e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë çështje. Përveç kësaj, rezoluta e mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta përshpejtuar procesin e dialogut ndërmjet palëve, i cili do të ndihmojë që të sigurohen përfitime për sigurinë rajonale, do t’i përforcojë prioritetet e përbashkëta strategjike dhe do ta përmirësojë jetën e njerëzve”, tha Jeremiq.

Ai shtoi se rezoluta e paraqitur ishte bashkësponsorizuar nga Serbia dhe të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, disa nga të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe vazhdojnë ta respektojnë integritetin territorial të Serbisë.

Sidoqoftë, pikat e përbashkëta u gjetën duke u siguruar se rezoluta është fundamentalisht një dokument neutral për statusin”, tha kryediplomati serb.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Mark Lyall Grant, tha se rezoluta e arritur me konsensus përbën “një hap të rëndësishëm dhe shumë të mirëpritur”.

Tash është fillimi i një faze të re në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Grant.

Pas mbledhjes, Grant deklaroi se zgjidhja e çështjes së Kosovës do t'a përshpejtojë procesine integrimit të Serbisë në BE.

"Kjo është shpresa dhe pritja jonë, është shpresë dhe pritje e të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian. Prandaj kjo rezolutë fokusohet në ofertën pozitive të dialogut praktik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", tha Grant.

Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rozmari DiCarlo, u bëri thirrje vendeve që ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, por theksoi se ky “është rast i veçantë dhe jo precedent për konfliktet tjera”.

Tash është koha që rajoni të ecë përpara, ndërsa Serbia dhe Kosova të hapin një fazë të re në marrëdhëniet e tyre, të fokusuara në të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha DiCarlo.

Rusia theksoi se qëndrimi i saj ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Kina e merr në konsideratë opinionin e GJND-së, por ky mendim nuk duhet të përjashtojë një marrëveshje të pranuar nga të dyja palët.

Azerbajxhani tha se nuk i mbështet zgjidhjet e njëanshme, por kërkon zgjidhje që ndihmojnë paqen. Venezuela dhe Argjentina ishin dy vendet e tjera që diskutuan para miratimit të rezolutës. Të tria këto vende nuk e kanë njohur Kosovën.

Përfaqësuesi i Turqisë theksoi se mendimi i GJND-së ka legalizuar pavarësinë e Kosovës.

Brazili përsëriti se Rezoluta 12 44 mbetet bazë për zgjidhjen e problemit të Kosovës në plan afatgjatë. Brazili nuk e ka njohur Kosovën dhe këtë qëndrim e përsëriti edhe në seancë.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB nënvizoi faktin se GJND-ja theksoi se shpallja e pavarsisë nuk ka shkelur as ligjin ndërkombëtar e as Rezolutën 12 44.

Seanca filloi me rreth dy orë e gjysmë vonesë, kur ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, pa presidentin, kryeministrin dhe shefin e diplomacisë së Kosovës në sallën e asamblesë.

Jeremiq tha se ata nuk janë përfaqësues të një shteti sovran dhe nuk duhet të jenë të pranishëm.

Delegacioni serb kërkoi që përfaqësuesit e Prishtinës të ulen te vendet për mysafirët apo te lozha e gazetarëve.

Delegacioni kosovar nuk pranoi të largohet nga vendet e ofruara fillimisht.

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme, Ali Abdussalam Treki, u përgjigj se përfaqësuesit nga Prishtina ishin të pranishëm “si të ftuar” të Francës, Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG