Ndërlidhjet

Shala: Për bisedime duhet agjenda dhe autorizimi i Kuvendit


Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së
Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së

Kuvendi i Kosovës është instanca e vetme, e cila duhet dhe mund t’i autorizojë bisedimet Prishtinë-Beograd, me një orar dhe një agjendë shumë të qartë dhe shumë të saktë, e cila do të nënkuptojë që Kosova dhe Serbia do të bisedojnë si dy shtete, thotë Blerim Shala.


RADIO EVROPA E LIRË
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar e ka miratuar rezolutën e Serbisë që u bashkësponsorua nga Bashkimi Evropian. Ju si e shihni këtë rezolutë?

BLERIM SHALA

Po më duhet të them në fillim që, objektivisht, pala kosovare nuk ka qenë palë, e cila është përfshirë në këtë proces, që kryekëput ka të bëjë me Kosovën.

Po, megjithatë, përmbajtja e kësaj rezolute tregon në mënyrë evidente që nuk janë respektuar synimet e Serbisë që, së paku, në mënyrë eksplicite në trajtë dokumenti të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të hapet tema e statusit të Kosovës, apo tema kryesore politike që ka të bëjë me Kosovën.

Sidoqoftë, tej përmbajtjeje të kësaj rezolute, ne duhet të flasim hapur për shqetësimet tona, sepse ju e dini mirë që kësaj rezolute i kanë paraprirë spekulime të shumta se mund të hapet tema e veriut të Kosovës, e madje janë përmendur edhe disa modele për adresimin e veriut të Kosovës në trajtë të planit Z-4 të Kroacisë të vitit 1994-’95, pastaj të Tirolit jugorit, apo të një Ahtisari Plus 1.

Fuqimisht i kundërshtojmë këto ide, mendojmë që krejt çfarë mund të bëhet për veriun e Kosovës është të jetësohet, të implementohet Pakoja e presidentit Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rezolutën e miratuar përshëndetet gatishmëria e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se rezoluta i hap rrugë dialogut ndërshtetëror. Ju si e mendoni këtë?

BLERIM SHALA

Mendoj që teksti i rezolutës duhet të lexohet ashtu si është. Nuk është e saktë që rezoluta flet për bisedime midis dy shteteve, po midis palëve, të jemi më korrekt.

Është e vërtetë që Brukseli është parë si adresë, e cila duhet t’i lehtësojë takimet midis autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Ju kisha rikujtuar megjithatë që draft-rezoluta e baroneshës Eshton ka qenë shumë më e fuqishme dhe aty është folur në mënyrë implicite për dialogun midis dy shteteve në kuadër të konceptit të fqinjësisë së mirë, për ta përshpejtuar procesin e inkuadrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.
Këtu formulime të tilla nuk gjenden. Është një rezolutë, që njeh formulime shumë të përgjithësuara, të cilat, siç po e shihni dhe ju, janë burim i interpretimeve nga më kundërthënëset.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohës ndërkombëtarë të çështjes së Kosovës kanë rekomanduar për liderët kosovarë se pa arritjen e një numri të konsiderueshëm të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, të mos ulen fare në tavolinë për biseda me Beogradin. Si e shihni ju këtë?

BLERIM SHALA

Vetë interpretimi i kësaj rezolute do të bëhet shkas për njohje ose mosnjohje të reja. Nëse, ta zëmë, jeni ju shtet, i cili deri tash ka hezituar ta njohë pavarësinë ë Kosovës dhe merrni vesh - sipas interpretimeve serbe po flas gjithmonë - që kemi të bëjmë me bisedime të reja politike për statusin e Kosovës, ju do të vazhdoni edhe më tutje të përmbaheni nga një akt aq i rëndësishëm për ne.

Nëse, anasjelltas, ne dhe miqtë tanë perëndimorë arrijmë t’i bindim shtetet që faktikisht kemi të bëjmë me një dialog teknik për akomodimin e raporteve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë shtetet që janë hezituese, tani me gjasë do ta bëjnë atë hapin vendimtar në drejtim të njohjes.

Pamë së bashku se kishte një optimizëm të madh pas vendimit të GJND-së që do të ketë 30, 40, 50 shtete që do të na njohin, e në fund doli në mënyrë eksplicite, të them krejt hapur, që vetëm një shtet na ka njohur në ndërkohë.

Ne, gjithsesi dëshirojmë, jemi të bindur që duhet të punojmë në atë drejtim që dialogu eventual Prishtinë - Beograd të përcillet ndërkohë me njohje të reja, sepse sa më shumë që ka njohje, aq më shuam forcohet pozicioni ynë në bisedimet me Beogradin dhe anasjelltas.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se institucionet e Kosovës duhet të kenë agjendë të qartë për këto bisedime, të dihet saktësisht me kë dhe për çfarë duhet të bisedohet?

BLERIM SHALA

Absolutisht. Mendoj që keni bërë pyetjen më të rëndësishme të duhur. Ne edhe në të kaluarën, edhe para procesit të Rambujesë, po veçmas para bisedimeve për status të Kosovës, sepse kemi qenë në rrethana krejtësisht tjera, e kemi prezantuar agjendën para Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës është instanca e vetme, e cila duhet dhe mund t’i autorizojë bisedimet Prishtinë - Beograd, me një orar dhe një agjendë shumë të qartë dhe shumë të saktë, e cila do të nënkuptojë që Kosova dhe Serbia do të bisedojnë si dy shtete dhe që synimi duhet të jetë arritja e fqinjësisë së mirë, adresimi i të gjitha problemeve të hapura që ekzistojnë në raportet Kosovë-Serbi gjithnjë me synim që Pakoja e Ahtisarit të zbatohet në Kosovë dhe që Kosova të ketë një të ardhme të qartë në kuadër të proceseve integruese në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, fare në fund, Tribunali i Hagës e ka refuzuar kërkesën që Ramush Haradinaj të ketë një lirim të përkohshëm. Pse mendoni se u refuzua kjo kërkesë?

BLERIM SHALA

Në bazë të arsyetimeve, ose parimisht, duhet të përmbahemi të interpretojmë vendimet e Tribunalit të Hagës. Del që ideja mbizotëruese e panelit të Tribunalit të Hagës është që të përshpejtohet procesi - pra, sa më shpejt që është e mundur të mbahet rigjykimi i pjesshëm i kryetarit Haradinaj.

Kjo logjikë - besoj që interpretimi jonë është i saktë - është e justifikuese, është e kuptueshme, sepse kryetari Haradinaj dhe ne dëshirojmë që sa më shpejt që është e mundur ta lëmë prapa gjithë këtë pështjellim, i cili na ka shqetësuar të gjithëve prej 21 korrikut e këndej në mënyrë që kryetari Haradinaj t’i kthehet familjes, të na kthehet neve, skenës politike të vendit, sepse jemi të bindur që me të, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund t’ia mësyjë fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG