Ndërlidhjet

Ekonomia joligjore dhe pasojat e saj


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ekonomia joformale në Kosovë, ende është e pranishme në përmasa të mëdha në Kosovë dhe Qeveria në dorëheqje, gjatë tri viteve të qeverisjes së vendit nuk ka arritur që të ulë nivelin e këtij fenomeni ekonomik, thonë njohës të kësaj çështjeje. Ky fenomen sipas tyre, po ndikon në shuarjen e shumë kompanive në Kosovë, apo po detyron bizneset formale të futen në joformalitet.


Qeveria në dorëheqje nuk ka arritur që ta luftojë në mënyrë efikase ekonominë joformale, me gjithë premtimet që kishte dhënë për këtë çështje, me marrjen mandatit në vitin 2007, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Alban Hashani, nga Instituti “Riinvest”, pohon se me gjithë përpjekjet e Qeverisë në dorëheqje për të ulur nivelin e kësaj dukurie, në luftimin e ekonomisë se paligjshme nuk është bërë punë e mjaftueshme.

“Premtimet kanë qenë shumë të mëdha në Kosovë, megjithatë konsideroj se nuk është punuar mjaftueshëm për ta luftuar joformalitetin, sepse hulumtimet tona tregojnë se kompanitë ende ankohen se joformaliteti është i madh, i cili dëmton konkurrencën fer. Rrjedhimisht, kjo dëmton tregun duke krijuar një mjedis jo atraktiv edhe për investitorët e huaj”, konsideron Hashani.

Viteve të fundit edhe Aleanca Kosovare e Biznesit, është marrë më hulumtimin e ekonomisë joformale. Agim Shahini, kryetar i kësaj aleance, thotë se niveli i ekonomisë joligjore ende mbetet në nivelin e njëjtë para vitit 2007.

“Sipas hulumtimit që ka bërë Aleanca Kosovare e Biznesit me USAID-in, në vitin 2007, ka dalë se ekziston joformaliteti në Kosovë mbi 35 për qind dhe ky është një shqetësim. Shqetësimi më i madh është se nga ajo kohë e këndej, pak është marrë me luftën kundër joformalitetit dhe me luftën kundër kontrabandës”.

“Ne për çdo për ditë flasim për korrupsion, kontrabandë, ekonomi joligjore, por ne pak shohim njerëz që dalin para drejtësisë për t’u përgjigjur për këtë turbulencë”
, thotë Shahini.

Përqindja e lartë e ekonomisë së paligjshme po e dëmton ekonominë e ligjshme dhe konkurrencën në tregun kosovar, thekson Shahini, duke shtuar se ky fenomen ekonomik po ndikon në shuarjen e shumë bizneseve formale në vend.

“Edhe ato biznese që janë formale, dita-ditës po tentojnë që ta mbyllin biznesin e vet, ose të rrëshqasin edhe ato në joformalitet, në mënyrë që të jenë konkurrentë me joformalitetin”.

“Ky është një shqetësim i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës, kur merret parasysh se shteti ynë është më i riu, kërkon disiplinë fiskale, kërkon mbështetje buxhetore dhe këto ne po i humbim duke mos e luftuar joformalitetin”
, thekson Shahini.

Edhe eksperti Hashani shpreh këtë shqetësim, pasi, siç thotë ai, përqindja e lartë e ekonomisë të paligjshme, detyrimisht po obligon kompanitë e ndryshme formale, që të futen në joformalitet, në mënyrë që të mbijetojnë.

“Rrjedhimisht, besoj se duhet të bëhet më shumë, në mënyrë që ky joformalitet të zvogëlohet dhe t’u lejohet kompanive që të konkurrojnë në mënyrë të drejtë. Në të kundërtën, kjo e ka edhe efektin tjetër negativ, që që edhe ato kompani, të cilat kanë qenë si lojtarë fer, të futen në joformalitet në mënyrë që të mbijetojnë”
, shprehet Hashani.

Ekonomia joformale, në masë të madhe, pengon edhe investimet e huaja, pasi investitorëve potencialë u intereson të veprojnë vetëm në shoqëritë ku sundon ligji dhe me një nivel të lartë transparence.
XS
SM
MD
LG