Ndërlidhjet

Thaçi: Shërbimet sekrete serbe iniciuan 2001-shin


Menduh Thaçi (Fotografi gjatë fushatës zgjedhore më 2009)
Menduh Thaçi (Fotografi gjatë fushatës zgjedhore më 2009)

Problemi ishte që procesi i pavarësisë së Kosovës të bllokohej në çdo mënyrë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, fillimisht, si e vlerësoni realizimin e procesit të lustrimit?

MENDUH THAÇI

Të pasuksesshëm. Ndërkohë që lustrimi i mirëfilltë, seriozisht duhet të ndodhë. Dhe, gjithashtu, kemi qeveritarë joseriozë, të cilët duan dhe tentojnë ta manipulojnë këtë çështje.

Popujt e civilizuar nuk e kanë manipuluar lustrimin, popujt e civilizuar nuk dalin nga llaçi, balta, gjaku dhe konfliktet e historisë, pa bërë procesin e lustrimit. Mendoj se në Maqedoni duhet të sillet një ligj i ri për lustrim, njëherësh të zgjidhet përbërja e re e Komisionit për lustrim dhe kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë.

Pa ndodhur kjo çështje në mënyrë të saktë, nuk ka gjasa të ndodhë pajtimi i vërtetë mes popujve, mes pjesëtarëve të një populli dhe nuk do të ndodhë integrimi në shoqërinë e civilizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni porositur zyrtarë të lartë të ish-UÇK-së, aktualisht drejtues të Bashkimit Demokratik për Integrime, që të tërhiqen nga skena politike, meqë, sipas dosjeve të pasuara, ata apostrofohen si bashkëpunëtorë të UDB-së. Në të kundërtën, siç jeni shprehur, qëndrimi i tyre në politikë do të pasojë me zhvillime tronditëse për shqiptarët. Pse?

MENDUH THAÇI

Normalisht, unë flas si politikan, kurse oponentët e mi politikë dëshirojnë të më ngjisin etiketime se jam njeri që kam informacione të shërbimeve. Nuk është e vërtetë, unë flas si politikan që i parashoh situatat. Kërkesa ime për t`u tërhequr ata (zyrtarët e BDI-së), është një kërkesë e fer-plejit.

Unë, assesi nuk kërkoj që ne të mos kemi një konkurrencë politike, betejë politike, por në këtë formë lufta politike në Maqedoni është e pabarabartë. Partia Demokratike Shqiptare lufton kundër shërbimeve sekrete serbe-jugosllave. Ndoshta do t`ju duket iluzion, por unë vërtet vazhdoj të kem shpresa se ata do të tërhiqen nga politika, përndryshe do të ballafaqohen me shumë situata të anatemimit dhe do të kenë probleme personale e grupore.

Parapëlqej që të tërhiqen dhe të kërkojnë falje dhe ne te tjerët t’i falim pastaj, sepse procesi i lustrimit fundja nuk është proces i “linçimit”, apo anatemimit, sepse procesi i lustrimit fjalën e fundit e ka pajtimin. Por, pajtimi nuk mund të ndodhë nëse ata, të cilët kanë bërë faj, nuk pendohen dhe këta, që janë të dëmtuar nuk ua falin. Ky është procesi që duhet të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, nëse drejtuesit e UÇK-së kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së, del se edhe konflikti i armatosur i vitit 2001 ishte konstrukt i shërbimeve sekrete serbe. Ku i mbështesni këto fakte?

MENDUH THAÇI

Është e vërtetë, e kam thënë atëherë dhe tani e përsëris, segmente të caktuara të shërbimit sekrete serbe e iniciuan 2001-shin. S’e them këtë vetëm unë, e ka thënë dhe Solana, Robertsoni, si dhe ambasadorët e Bashkimit Evropian, të cilët gjatë 2001 ishin në Shkup.

Unë do të kthehem te një intervistë e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Mark Dikinson, për të përditshmen Fakti, në muajin maj, i cili deklaron se këta njerëz i ka dërguar Serbia. Problemi ishte që procesi i pavarësisë së Kosovës të bllokohet në çdo mënyrë. Vetëm t’ua përkujtoj se atë kohë destabilizimi në Preshevë nuk pati sukses dhe u bart në Maqedoni.

Serbia e re apo e vjetër e Millosheviqit apo Gjingjiqit, punonte në mënyrë të përsosur në aspektin diplomatik dhe informativ që ta bindë botën e përparuar se shqiptarët nuk kanë kërkesa politike, por është një masë turbulente, e cila nuk njeh norma dhe standarde. Kjo masë, sipas tyre, nuk i njeh trendët e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe pikërisht me këtë i komprometoi përgjithmonë kërkesat politike të shqiptarëve.

Fatmirësisht, nuk ndodhi më e keqja. Meritorë për këtë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që ndërhynë në vitin 2001 dhe krijuan një proces politik prej atij konflikti të pakuptueshëm. Kuptohet se këtu kemi merita edhe ne, si PDSH (Partia Demokratike Shqiptare), që arritëm të nxjerrim atë konflikt nga situatat kriminale dhe ta bëjmë pjesë të mosmarrëveshjeve të rënda politike që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomatët e qendrave vendosëse e kanë sugjeruar PDSH-në ta ndërpresë bojkotin, të kthehet në Parlament dhe veprimin e saj ta shtrijë në këtë institucion ligjdhënës. Do ta bëni këtë?

MENDUH THAÇI

Jo. Kam mirëkuptim për ato sugjerime. Më lejoni të them se kur e zhvilloj bisedën me ta në mënyrë më të relaksuar, u them se fjalën bojkot e kemi mësuar prej tyre pikërisht nga zhvillimi demokratik i shoqërive të tyre, prej botës së civilizuar, prej botës së përparuar. Unë dhe PDSH-ja mundohemi vetëm që pakënaqësinë e shqiptarëve ta kanalizojmë në një proces të përparuar dhe modern. Ne e ndezim semaforin e kuq për t’ua bërë me dije të gjithëve se punët nuk janë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithashtu, keni theksuar se nëse nuk pranohen 10 kërkesat që kanë të bëjnë me Ligjin e regjistrimit, PDSH-ja do të ftojë popullatën shqiptare për bojkot, sepse ky ligj, siç është paraparë nga Qeveria(e Maqedonisë) është në dëm të interesave të shqiptarëve. Mendoni se bojkoti është forma më e mirë?

MENDUH THAÇI

Po. Të jem i sinqertë, që nga paraqitja e kërkesave tona deri më tani puna ka ecur para; 7-8 kërkesa janë pranuar, por unë nuk mund të bëj pazar, ngase nëse logjika ime dhe të dhënat e ekspertëve që kam përreth, thonë se regjistrimi do të jetë shkatërrues për interesin shqiptar në Maqedoni - unë do t`i thërras shqiptarët për bojkot.

Nuk bëj pjesë në atë grupin e shqiptarëve romantikë, të cilët thonë se maqedonasit do ta zbresin numrin e shqiptarëve nën 20 për qind. Jo, jo nuk janë aq të marrë. Maqedonasit do ta zbresin numrin e shqiptarëve nën 20 për qind në territore të caktuara dhe komuna të caktuara. Dhe, unë kur e them këtë të tjerët më drejtohen, “Po aty nuk do të përdoret gjuha dhe flamuri shqiptar?”. Jo nuk është aty qëllimi. Strategjia është të përvetësohet toka.

Kemi një situatë ku jetojnë 5 mijë maqedonas në një territor siç është komuna e Mavrovës, që është 40 km me 20 km dhe ngjitur me këtë komunë kemi Gostivarin si komunë ku jetojnë 200 mijë banorë dhe me territor është 11 herë më i vogël, krahasuar me komunën e Mavrovës. Regjistrimi është komplet çështje politike, nuk ka të bëjë fare me matematikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia edhe këtë vit mori një raport nga Komisioni Evropian që nuk përcakton datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pa zgjidhjen e kontestit të emrit edhe samiti i NATO-s nuk hap dyert për Maqedoninë. Kjo situatë, jeni shprehur se është shqetësuese për stabilitetin e vendit. Si e arsyetoni këtë?

MENDUH THAÇI

Kjo çështje ka të bëjë me të kaluarën, më 2001, sepse kjo që ndodh tani në politikën maqedonase, e tashmja politike në mënyrë të përsosur i vërteton tezat e PDSH-së dhe të kryetarit të saj dhënë më 2001, për këtë grupim politik, i cili na rrejti (e kam fjalën për BDI-në), na mashtroi dhe na tradhtoi ngase janë dy vjet e gjysmë në Qeveri dhe vazhdojnë çdo tremujor të na thonë se ata do të largohen nga Qeveria nëse nuk ndodh procesi integrues.

E, procesi integrues nuk ndodh. Do të ishte mirë që qytetarët e Maqedonisë të jenë më të vëmendshëm, e më së miri do të ishte që komuniteti ndërkombëtar të jetë shumë më i vëmendshëm. Nuk duhet lejuar që, edhe pas 15 nëntorit kur do të mbahet samiti i NATO-s dhe të marrë përgjigje negative, Maqedonia të hyjë në turbullira. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një skenar preventiv që të mos ndodhë kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë që shpreheni me kaq besim në ndihmën e SHBA-së, si e komentoni faktin që edhe më tej ju mbeteni në listën e zezë amerikane?

MENDUH THAÇI

Po, formulimi është i rëndë, i vrazhdët. Nuk jam në listën amerikane se në të janë figurat si Bin Ladeni. Unë nuk jam në atë listë. Kam vetëm ndalesë për marrjen e vizës për të udhëtuar në Amerikë. Ju dhe opinioni e dini se unë udhëtoj, pra shkeli në territor amerikan me vetë faktin se hy në Ambasadën e SHBA-së në Shkup.

E, këtë rast nuk jam treguar i pasjellshëm, i pa edukatë që ti pyes konkretisht zyrtarët amerikanë pse jam në këtë listë, sepse sinqerisht mendoj se nuk kam të drejtë të kem asnjë vërejtje kundrejt tyre. Atë që kanë bërë amerikanët për shqiptarët dhe ende bëjnë, ne s’kemi të drejtë as minimumin e shprehjes së dyshimit. Ata janë pak më shumë se vetë shqiptaria në historinë e re të popullit shqiptar.
XS
SM
MD
LG