Ndërlidhjet

Musliu: Dosjet i kam marrë nga PDSH-ja


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
“Ish-zyrtari i sigurimit shtetëror të Maqedonisë, Hisen Musliu, ka pranuar se i ka pasur materialet për dosjet kontestuese nga shërbimet sekrete para se të bëhen publike, dhe se i kishte pranuar nga udhëheqësia më e ngushtë e Partisë Demokratike Shqiptare”, tha zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski.

Sipas Kotevskit, gjatë bisedës në stacionin e policisë, Musliu ka thënë se e kishte bërë këtë për t’iu shpaguar partisë dhe për shkak të premtimeve për post zyrtar në qoftë se partia kthehej në pushtet.

Në komunikatën e Ministrisë thuhet se gjatë bastisjes janë konfiskuar dy kompjuterë, dy kartela USB, disa telefona celularë dhe dy fletëpagesa, me të cilat përmes kompanisë “Western Union” janë paguar mjete financiare në emër të personit Bozhidar Spasiq.

Ministria thotë se nga analiza e materialeve të konfiskuara, në kompjuterët janë gjetur katër dosjet e fabrikuara, por edhe materiale që pretendohet se janë nga shërbimi gjerman DND.

Gjithashtu, është gjetur edhe një fotografi, në të cilën është bërë përpjekje për fotomontazh të liderit të BDI-së me personin Bozhidar Spasiq.

Në komunikatë thuhet se i paraburgosuri ka theksuar se personin, të cilit i janë paguar paratë, e ka njohur në vitin 1979, ndërsa kontaktet i ka ripërtërirë para disa viteve.

Dyshohet se në periudhën maj-tetor, katër herë janë paguar rreth 4.500 euro.

Kotevski tha se po shqyrtohen disa baza për kallëzim penal ndaj Musliut.(v.p.)
XS
SM
MD
LG