Ndërlidhjet

"Liria" e një të dyshuari për terrorizëm


Bajram Asllani
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00
Një nga njerëzit më të kërkuar të FBI-së, nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste, Bajram Asllani, jeton lirshëm në Mitrovicë, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-të e konsiderojnë të armatosur dhe të rrezikshëm, EULEX-i thotë se nuk ka bazë ligjore për ta ekstraduar, ndërkaq Asllani shprehet i gatshëm të përballet me drejtësinë.


Bajram Asllani, njëri nga më të kërkuarit e Shteteve të Bashkuara si i dyshuar për veprimtari terroriste, thotë se është i gatshëm të përballet me organet e drejtësisë. I dyshuari për “bashkë-komplot për t’u angazhuar në xhihad të dhunshëm apo luftë të shenjtë”, siç thuhet në posterin e FBI-së, shfajëson veten nga të gjitha akuzat.

“Nëse ka drejtësi, jo vetëm për atë, por për çdo akuzë me të cilën na ngarkojnë, jemi të gatshëm të përballemi, sepse nuk kam bërë asnjë krim. Kurrë nuk kam dalë jashtë Kosovës”, thotë Asllani për Radion Evropa e Lirë.

Tridhjetëvjeçari nga Mitrovica qe arrestuar në qershor të këtij viti, por ishte liruar pasi gjykatësit e EULEX-it kishin refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e Asllanit. Këtë të fundit, drejtësia amerikane e ngarkon edhe për, siç thuhet, “ofrimin e ndihmës materiale për terroristët dhe “planifikimin për të vrarë, rrëmbyer ose lënduar persona”.

Ai akuzohet se ka lidhje me njerëz nga Karolina e Veriut, të arrestuar vitin e kaluar për një komplot të dyshuar për të sulmuar bazën e marinës amerikane në Kuantiko të Virxhinias dhe plane të dyshuara për të lënduar njerëz në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.

Por, sipas gjykatësve të EULEX-it, “Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar baza të mjaftueshme për të besuar se Asllani i ka kryer veprat në fjalë”.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, shpjegon më shumë:

“Gjykata Supreme e Kosovës, në fillim të shtatorit, ka vendosur që të mos e ekstradojë Asllanin. Arsyeja ka qenë për shkak se nuk ka marrëveshje të vlefshme për ekstradim mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja e vetme që ekziston është nga viti 1901, që është bërë mes SHBA-ve dhe Mbretërisë së Serbisë”.

Në Kosovë nuk ekziston ndonjë padi kundër Bajram Asllanit. Sektori kundër terrorizmit i Policisë së Kosovës vetëm se kishte asistuar FBI-në gjatë operacionit të arrestimit të tij në qershor, thotë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Lidhur me përfshirjen e tij në vepra të ndryshme penale, Policia e Kosovës nuk ka asnjë rast tjetër, i cili do ta bënte Asllanin subjekt të masave hetimore”, thotë Hoti.

Çfarë thotë policia për "rastin Asllani"?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00


Asllani është i kërkuar edhe nga Interpoli, në ueb-faqen e të cilit këshillohen të gjithë ata që kanë informacione mbi vendndodhjen e tij të njoftojnë policinë ose vetë Interpolin.

Kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e Asllanit është nënshkruar nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, thotë Ehat Miftaraj, shef i departamentit për bashkëpunimin ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë.

“E njëjta kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë i është drejtuar Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, për ta shqyrtuar dhe për të dhënë mendimin nëse plotësohen kushtet e parapara me kodin e procedurës penale në Kosovë, lidhur me ekstradimin e Bajram Asllanit në Amerikë”.

“Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, pas shqyrtimit të lëndës, ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore”,
thotë Miftaraj.

Agjencia e lajmeve Reuters pat njoftuar se Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e zonjës Klinton për ekstradimin e tij.


"Izolimi"

Rruga që të çon te shtëpia e njeriut që kërkohet nga FBI, nuk është e braktisur. Andejpari kalojnë njerëz të zakonshëm, por edhe në uniforma, meqë ndërtesa e misionit të Kombeve të Bashkuara është fqinji i parë i familjes Asllani.

Deri para gjashtë muajsh, fare pranë ndodhej edhe stacioni i Policisë së Kosovës, por Asllani thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihej i sigurt edhe atëherë, edhe tash.

Po të kisha bërë ndonjë krim, do të arrestohesha moti. Prej vitit 2007 kam qenë nën përcjellje dhe vëzhgim të tyre (të policisë). Kurrë nuk jam marrë me aktivitetet që thonë”, shprehet Asllani.

Shtëpia e tij gjendet rreth 100 metra larg urës qendrore në Mitrovicë, e cila këtë qytet e ndan në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Asllani qarkullon lirshëm nëpër qytet. Ai kryen ritualet e përditshme fetare në xhaminë lokale, por, megjithatë, thotë se që prejse është shpallur emri i tij si një nga më të kërkuarit e FBI-së, ndjehet i izoluar nga rrethi. Asllani pohon se nuk posedon kurrfarë pasaporte.

“Nuk kam as pasaportë as asgjë”, deklaron ai.

Banorët e Mitrovicës nuk duken aq të shqetësuar me faktin se në qytetin e tyre jeton njëri nga më të kërkuarit e drejtësisë amerikane. Ata pranojnë se rreziku nga terroristët është real, por thonë se mundësia është e vogël. Lokalin ku punon Artan Hakaj, madje e lidh një mur i përbashkët me shtëpinë e Asllanit.

“Ka pesë muaj që kemi nisur të punojmë në këtë lokal. Nga fillimi, asnjë problem nuk e kemi pasur me Bajramin”, thotë ai.

Po qe se akuzat vërtetohen, rasti Asllani do të ishte kërcënim për shoqërinë, thotë Sadri Hasani.

“Nëse është në atë rrjet, është i rrezikshëm. Nëse ato shënime janë të vërteta, të sakta, për mua është i rrezikshëm”, thotë ai.

Faik Prekazi shpreh bindjen se frika nga Asllani është e pajustifikuar.

Gabim total. Nuk mendoj se është ashtu për çfarë akuzohet. Pa dilemë, sepse e njoh personalisht”, thotë ai.

Çfarë mendojnë qytetarët për Bajram Asllanin?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00


raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, të publikuar në gusht të këtij viti, është vlerësuar se Kosova ka bashkëpunuar me SHBA-të në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Në raport thuhej se Policia e Kosovës dhe Njësia Kundër Terrorizmit e EULEX-it janë përgjegjëset kryesore në luftën kundër terrorizmit, por, siç thuhej, të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize.

Lexoni edhe këtë:
Dell: Të gjithë rrezikohemi nga terrorizmi
XS
SM
MD
LG