Ndërlidhjet

Guardian: Vendimi për Amerikën pas WikiLeaks-it


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
"Guardian"

Raportet e ambasadave amerikane, të dërguara në Uashington, prekin çdo kontinent dhe çdo vend. Ato përmbajnë thuajse gjithçka që ndodh në botë. Por, më shumë se çdo gjë tjetër, ato flasin për vetë Amerikën.

Raportet janë shkruar nga amerikanë, për t’u lexuar po nga amerikanë dhe formojnë atë shtresën bazë të politikës së jashtme amerikane, që nuk shihet.

Mbi të gjitha, raportet diplomatike të nxjerra nga WikiLeaks janë dhe një gjykim për vetë Amerikën, vendin më të fuqishëm në botë, dhe një nga potencialet më të mëdha për të qenë forcë e së mirës në botë. Padyshim, gjithmonë ekzistojnë gjasat për të qenë dhe forcë për të keq.

Çfarë lloj Amerike zbulojnë raportet diplomatike? Pamja është e përzier. Operacionet sekrete kundër figurave kryesore të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare, të përhershme në Këshillin e Sigurimit, shkaktojnë zemërim diplomatik dhe janë ndoshta edhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Të njëjta janë dhe direktivat dërguar ambasadave amerikane në disa vende afrikane, të Lindjes së Mesme, Amerikës Latine apo të disa vendeve në Evropën Lindore, ku kërkohen informacione si numrat e kartave të kreditit apo të fluturimeve për zyrtarë të huaj.

Këto direktiva janë spiunazh i thjeshtë dhe rrënojnë kufirin mes diplomatit e spiunit. Në këto raste, Shtetet e Bashkuara duhet t’i rregullojnë problemet e paraqitura.

Por, së bashku me keqpërdorimet, një numër shumë i madh raportesh që dolën nga WikiLeaks, nxjerrin një Amerikë shumë më të mirë. Shumica e materialeve janë të shkruara me shumë sens dhe nga persona që e njohin mirë diplomacinë.

Në këtë kuadër, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bindur shtetet të marrin ish-të dënuar nga Guantanamo, janë një rast i rëndësishëm i këtyre raporteve.

Disa nga raportet i kalojnë të gjitha standardet edhe të gazetarëve të shkëlqyer që mbulojnë ngjarjet ndërkombëtare. I tillë është rasti, për shembull, i ambasadorit amerikan në Kazakistan, i një kolegu të tij në Moskë, apo i ish-ambasadorit amerikan në Islamabad.

Raportet e tyre janë të shkruara shumë mirë, të mirinformuara nga burime të besueshme dhe me gjykime të peshuara. Njëherësh, ka dallim mes raporteve amerikane dhe politikës zyrtare, siç është rasti i Iranit. Ndonëse mbreti Abdullah i Arabisë Saudite do sulme ndaj Iranit, Shtetet e Bashkuara nuk e morën një hap të tillë.

Ashtu siç e ka vënë në pah dhe “New York Times”, sekreti i dokumenteve të lëshuara së fundi, shpeshherë është i kotë, derisa pasojat mbi politikën amerikane janë shumë pak deskritituese.

Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me maturi ndaj nxjerrjes së dokumenteve. Shtetet e Bashkuara treguan se, edhe nëse nuk janë vendi që ndriçon në majë të kodrës, sërish mbeten një vend fantastik.

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, këtë javë tha se rrjedhja e dokumenteve është fyese e na vë në pozitë të pakëndshme, por pasojat për politikën e jashtme amerikane do të jenë modeste në afat të gjatë. Gejts mund të ketë të drejtë.(i.b.)
XS
SM
MD
LG