E enjte, korrik 24, 2014 Kosova 16:45

Kronika

Gratë në menaxhimin e kompanive private

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Një numër i vogël i grave në Kosovë janë pronare të ndonjë ndërmarrjeje private, thonë vetë menaxhere të kompanive dhe përfaqësuese të grave në këtë sektor. Sipas tyre, mungesa e financave dhe mospërkrahja nga autoritetet kompetente, kanë bërë që përqindja e grave të përfshira në biznes të jetë shumë e ulët. Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje, thonë se vazhdimisht ka pasur aktivitete që kanë të bëjnë me rritjen e interesimit të grave për t’u përfshirë në këtë fushë.


Në Kosovë vetëm 2 për qind e kompanive private menaxhohen nga gratë, thonë përfaqësuese të grave në biznes. Në mesin e kësaj përqindjeje, hyn Dhurata Bardoniqi, menaxhere e dy kompanive ndërtimore “Arcing” dhe “Uni-Projekt”. Zonja Bardoniqi tregon problemet, me të cilat ballafaqohet gjatë punës së saj.

“Problemi kryesor janë bankat, kreditë bankare për të bërë hapjen e bizneseve, ose për të zgjeruar bizneset, sepse biznesi është shumë i vogël dhe vjen duke u rritur. Femra ka më shumë probleme, për arsye se femra nuk ka hipoteka, nuk ka mbështetje, e ai është problemi kyç”.

“Nuk është bërë një politikë e tillë për biznes, ajo duhet të bëhet nga qeveria që përkrah zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
”, thotë zonja Bardoniqi.

Në Kosovë ekziston organizata joqeveritare “Gratë në biznes”. Kjo organizatë tashmë ka identifikuar disa pengesa që ndalojnë gratë në realizimin e ideve dhe nismave të tyre për menaxhimin e një biznesi.
Në Kosovë vetëm 2 për qind e kompanive private menaxhohen nga gratë...

Hamide Latifi, udhëheqëse e kësaj organizate, tregon problemet e grave në këtë sektor:

“Pjesa kryesore është mungesa e dijes në fushën e biznesit, po ashtu mungon edhe pjesa e përvojës, mungesa e financave. Shumë gra, pavarësisht ideve, dëshirave dhe vullnetit të madh, nuk kanë të mira materiale që ta startojnë iniciativën e tyre për shkak të shkurtesës së mjeteve materiale”.


Në mënyrë që përfshirja e grave në biznes të jetë më e lartë, Mirlinda Kusari - Purrini, kryetare e Shoqatës Afariste të Gruas, kërkon nga autoritetet kompetente që të krijohen politika favorizuese dhe lehtësuese për fillimin e një biznesi të ri.

“Të krijohen ato mundësi, qoftë nga qeveria qendrore, qoftë nga ajo lokale, që t’u krijojnë ato kushte në lehtësimin e taksave dhe gjërave të tjera, me të cilat ato përballen gjatë rrugëtimit të tyre”,
thekson zonja Kusari-Purrini.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë pranojnë se numri i ndërmarrjeve që udhëhiqen nga gratë është shumë i vogël, por, sipas tyre, në fokus të të gjitha aktiviteteve të kësaj ministrie, është rritja e interesimit të grave për t’u përfshirë në biznes.

Lidhur me këtë, Naser Graiçevci, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, shpjegon më shumë:

“Në të gjitha programet, fillojmë prej studimeve, studentet (femrat) kanë një përqindje më të lartë sesa studentët (meshkujt), apo në programet e biznes-planeve, në të cilat femrat kanë përparësi. Dhe, po them se në të gjitha projektet që fokus kanë gruan - në programet e agjencisë, gratë janë kategori që kanë privilegje”.


Sidoqoftë, sipas përfaqësueseve të grave në biznes, përveç mungesës së mjeteve financiare dhe hipotekës, paragjykimet e shoqërisë se një grua mund të jetë menaxhere e suksesshme, ndikon në këtë fushë.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum