Ndërlidhjet

Konferenca e Donatorëve: Ku janë shpenzuar mjetet?


Konferenca e Donatorëve për Kosovën, 11 korrik 2008.
Konferenca e Donatorëve për Kosovën, 11 korrik 2008.
Janë bërë më shumë se dy vjet e gjysmë nga mbajtja e Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku Kosova ka fituar 1.2 miliard euro. Deri më tani, në proces të shpenzimit janë afër 70 për qind të mjeteve, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Edon Cana, kryeshef i Agjencisë për Koordinim të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime, thotë se mjetet nga Konferenca e Donatorëve po zbatohen për projekte të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

“Sipas informatave që kemi, mund të them se mbi 70 për qind janë duke u investuar në Kosovë. Në këtë 70 përqindësh përfshihen edhe 200 milionë që janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pagesën e borxhit të jashtëm, të trashëguar nga ish-Republika e Jugosllavisë”, thotë Cana.

Në Konferencën e Donatorëve vetëm Komisioni Evropian ka dhënë 500 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës 400 milionë dollarë.

Edon Cana
Edon Cana thotë se të hollat janë shpenzuar për projektet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Duke pasur parasysh që Kosova ka dalë nga një luftë e tmerrshme, ne kemi pasur nevojë për të gjithë sektorët. Këto investime kanë qenë në përputhje me prioritetet e qeverisë, do të thotë varësisht prej donatorëve”.

“Zviceranët i kemi më të fokusuar në ujë, gjermanët në energji dhe ambient, Komisionin Evropian në ndërtimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës dhe amerikanët në ndërtimin e sistemit të drejtësisë”,
sqaron Cana.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se efektet e shpenzimeve të këtyre mjeteve, në praktikë vërehen shumë pak.

Dardan Sejdiu, analist për çështje ekonomike, thotë se shpenzimi i të hollave nga Konferenca e Donatorëve nuk ka ndikuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Sipas tij, shpenzimi i këtyre mjeteve nuk është bërë në mënyrë transparente nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Efektet e këtyre mjeteve në ekonominë kosovare, nuk i shohim, nuk shohim se kemi bruto-prodhim vendor më të mirë, nuk shohim se kemi zvogëluar deficitin tregtar...

“Nuk i kanë bërë gjërat transparente. Konferenca e Donatorëve është për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe jo për qeverinë . Kështu që, efektet e këtyre mjeteve në ekonominë kosovare, nuk i shohim, nuk shohim se kemi bruto-prodhim vendor më të mirë, nuk shohim se kemi zvogëluar deficitin tregtar, nuk shohim se kemi arritur projektet infrastrukturore nacionale, që janë prezantuar në Konferencën e Donatorëve”, shprehet Sejdiu.

Në kuadër të kësaj, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Qeverisë së Kosovës, të premtën, kanë nënshkruar një program për zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm - program që i mundëson Kosovës të marrë 24.6 milionë dollarë në formë granti, si dhe 6.3 milionë dollarë shtesë si kredi.

Ky program, sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore, e ka origjinën në kohën e Konferencës së Donatorëve, në korrik të vitit 2008, atëherë kur qeveria u kërkoi donatorëve që një pjesë e ndihmës së ardhshme të jetë mbështetje për buxhetin në vend.
XS
SM
MD
LG