Ndërlidhjet

Socialistët bllokojnë KQZ-në


Kreu socialist, Edi Rama (foto nga arkivi)
Kreu socialist, Edi Rama (foto nga arkivi)
Mosshpallja e rezultatit për Tiranën ashpërson situatën politike në Shqipëri.

Që nga ora 15:30 e ditës së sotme, deputetët e Partisë Socialiste kanë bllokuar sallën, ku zhvillon punimet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Shkak është bërë propozimi i kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, për të shqyrtuar në mbledhjen e Komisionit një akt normativ, që synon t’i konsiderojë në rezultatin final për Tiranën ato që në Kodin Zgjedhor cilësohen si fletë të kontestuara.

Bëhet fjalë për ato raste ku një zgjedhës gabimisht ka hedhur fletën e votimit për kandidatin e bashkisë në kutinë për këshillin bashkiak.

Kjo ka shkaktuar edhe reagimin e deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët e kanë cilësuar të turpshëm dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor qëndrimin e kryetarit të KQZ-së, Ristani, duke kërkuar shpalljen e menjëhershme të rezultatit për bashkinë e kryeqytetit.

Por, sipas kryetarit të KQZ-së, rezultati për Bashkinë e Tiranës do të publikohet vetëm pas shqyrtimit të fletëve të kontestuara dhe përfundimit të procesit të ankimimeve nga subjektet politike, garuese në zgjedhjet e 8 majit.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, mbledhja e KQZ-së është shtyrë për nesër në orën 10:00.


Ambasadorët kërkojnë nga KQZ-ja rezultatin për Tiranën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ai i Bashkimit Evropian dhe i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë bërë thirrje për qartësi të rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën.

Në një deklaratë të tyre, Aleksandër Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Uollfarth citohen të kenë thënë se “qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve.“

Ata i kujtojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se “është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga KQZ-ja dhe të shpallen me shpejtësi.”

Ambasadorët nënvizojnë rëndësinë që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor.

“Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tre ambasadorëve, e cila vjen një ditë pas takimit që ata zhvilluan me kreun e KQZ-së, Arben Ristani, dhe nënkryetaren e këtij institucioni, Dëshira Subashi.

Mediat shqiptare raportojnë se të tre ambasadorët kanë takuar kryeministrin Sali Berisha dhe kanë në agjendë takimin me kreun socialist, Edi Rama.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri u mbajtën më 8 maj, por rezultati për kryeqytetin nuk është bërë ende publik.

Kandidati socialist, Edi Rama, dhe ai demokrat, Lulzim Basha, zhvilluan një garë tejet
të ngushtë për postin e kryebashkiakut të Tiranës.
XS
SM
MD
LG