Ndërlidhjet

Forcohet pozicioni i Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Dështimi i arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, edhe pas shumë orë diskutimesh në Bruksel, duket se e ka vënë në një pozitë më të favorizuar Kosovën. Kjo, për shkak se pala kosovare është treguar e gatshme që të pranojë edhe këtë marrëveshje, por jo ajo serbe, së cilës, Komisioni Evropian ia pati kushtëzuar marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, me suksesin në bisedimet me Prishtinën.

Kryeminisitri Hashim Thaçi bëri të ditur se Prishtina pranon marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, meqë, sipas tij, ajo është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
“Gjithçka do të respektohet në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisari, me Kushtetutën dhe ligjet tona. Çështjet janë teknike, çdo pretendim për të kaluar mbi këto dokumente për Prishtinën është diçka e patejkalueshme, prandaj edhe qëndrimet tona janë shumë të qarta, kanë qenë shumë kreative, gjithmonë të shkohet në drejtim të zgjidhjeve sipas modelit evropian".

"Në kuadër të kësaj ka qenë edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është një model i lartë evropian që të dominojë edhe në rajonin tonë edhe mes Kosovës dhe vendeve fqinje, por edhe me Serbinë që do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit, komunikimit mes vendit tonë dhe vendeve në rajon dhe popujve tjerë”, tha Thaçi, pas mbledhjes së Kabinetit qeveritar.

Por, deputeti nga partia opozitare, Burim Ramadani, shprehu rezerva në lidhje me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, duke ngjallur dyshimet se në fakt po shkelet edhe mbi integritetin territorial të vendit.

Pozicioni i Prishtinës është i çuditshëm, sepse nuk mund të ketë menaxhim të integruar të kufijve pa njohjen reciproke dhe si e tillë, është situatë e patejkalueshme. Nuk besojmë se do të ketë marrëveshje të rregullt dhe sipas konceptit evropian. Qeveria e Kosovës duhet të mos lëshojë pe në stërkeqjen e konceptit evropian. Qëllimi i Beogradit është i qartë të arrijë marrëveshje pa i njohur kufijtë duke u bazuar në planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Burim Ramadani.

Sidoqoftë, me apo pa arritjen e kësaj marrëveshjeje, për shkak të qëndrimit refuzues të palës serbe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, sipas analistit politik, Ardian Arifaj, Kosova po merr nota pozitive në Bruksel.
Prishtina është pala konstruktive dhe në një mënyrë e ka arritur qëllimin, apo maksimumin për ta përmirësuar imazhin ndërkombëtar ...



“Prishtina duket më bukur në këto bisedime sesa Serbia. Prishtina është pala konstruktive dhe në një mënyrë e ka arritur qëllimin, apo maksimumin për ta përmirësuar imazhin ndërkombëtar dhe për t’u dukur si palë konstruktive që punon për stabilizimin e rajonit dhe bashkëpunimin rajonal. Përballë e ka Serbinë që është në një fushatë elektorale dhe ku partia në pushtet, DS-ja, është në presion nga partitë tjera dhe nuk është në gjendje të bëjë kompromise, sidomos për temat që janë më të nxehta, si kjo e menaxhimit të integruar të kufijve”, theksoi Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Prishtina zyrtare ka kërkuar nga BE-ja që për konstruktivitetin e saj të treguar në bisedime, të shpërblehet në kuadër të proceseve integruese, përkatësisht liberalizimin e vizave, si dhe lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale me vendet e BE-së.

Ajo që duket se do të marrë Kosova është udhërrëfyesi, dokument ky që tregon rrugën për liberalizim, por nuk nënkupton lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza në zonën Shengen.

Por, sipas analistit Arifaj, kushtin për të marrë statusin e kandidatit duket se nuk do ta marrë Serbia, nga e cila qe kërkuar që të jetë konstruktive dhe të arrijë përparim në bisedimet me Kosovën. Sipas tij, kësaj i ka kontribuar si qasja jokonstruktive në bisedime, ashtu edhe situata e nderë në veriun e Kosovës.

Bisedimet kanë qenë një kut matës për Serbinë, për të treguar se sa është e sinqertë në angazhimin për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Në ditët kur mediat gjermane dhe austriake janë të mbushura me lajmet për ushtarët e tyre të plagosur në veri të Kosovës për faj të Serbisë, për involvimin e Serbisë, sigurisht se tregojnë se Serbia ka një qëllim tjetër, bën diçka tjetër, e flet diçka tjetër. Dhe, siç tha edhe zonja Merkel, kjo tregon se Serbia nuk është e gatshme të marrë statusin e kandidatit“, nënvizoi Arifaj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri të ditur të premten se Serbia nuk i ka përmbushur pritjet e BE-së, si dhe e akuzoi atë për plagosjen e ushtarëve gjermanë dhe austriakë në Jagnenicë, gjatë përpjekjes së KFOR-it për t’i larguar barrikadat.
Kjo deklaratë e fundit e zonjës Merkel, bëri opozitarët të përsërisin thënien se “Gjermania po e mbron më shumë Kosovën, sesa vetë Qeveria e Kosovës Kosovën”.
XS
SM
MD
LG