Ndërlidhjet

Dialogu e veriu - “bombë e kurdisur”


Pamje nga Mitrovica, shkurt 2012.
Pamje nga Mitrovica, shkurt 2012.
Dialogu “teknik” i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka pasur ndikime politike, të cilat, jo befasisht, kanë kthyer prapa suksesin e marrëveshjeve të arritura dhe përparimin e bërë në veri të Kosovës, është një nga vlerësimet që dalin nga raporti i fundit i Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Pjesëmarrësit e debatit mbi temën e shtjelluar në raport, megjithatë, patën mendime të ndryshme sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ndikimit të tij në raportet ndërmjet të dyja vendeve, por edhe në situatën në veri të Kosovës.

Pamje nga takimet ndërmjet palëve në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel...
Pamje nga takimet ndërmjet palëve në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel...

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Skënder Hyseni, tha se Prishtina zyrtare duhet të ndërpresë bërjen e koncesioneve, siç i quajti ai, të padurueshme në kuadër të dialogut me shtetin serb.

Duke folur për fazën aktuale të dialogut-kërkimit të një zgjidhjeje për bashkëpunim rajonal, Hyseni theksoi rëndësinë që Kosova të insistojë në parimin e barazisë.

“Nëse e pranon fusnotë si rezoluta 12 44 ose çfarëdo fusnote tjetër, përfundimisht Kosova do ta ketë betonuar neutralitetin ndaj statusit që është shumë e rrezikshme; përfundimisht Kosova do ta ketë përqafuar politikën e pesë vendeve evropiane që nuk e njohin Kosovën si shtet dhe do ta ketë refuzuar politikën e 22 vendeve - së shpejti pritet të bëhen 23 me Kroacinë, që e njohin Kosovën”, tha Hyseni.

Dokumenti sugjeron vazhdimin e dialogut me një ndërmjetësim neutral të BE-së, përdorimin e këtij procesi për të shtyrë Beogradin të zhbëjë strukturat paralele në veri, ndërsa u rekomandon autoriteteve kosovare një varg mënyrash për zbatimin e Planit të Ahtisarit në atë pjesë të vendit.

Kryetari i Lëvizjes Evropiane në Kosovë, Behlul Beqaj, tha se insistimi i bashkësisë ndërkombëtare në zbatimin e Planit Ahtisaari është zbehur kur bëhet fjalë për veriun e vendit.

“Vetë bashkësia ndërkombëtare po e minon planin, të cilin, faktikisht, e ka afirmuar si një zgjidhje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Beqaj.

Situata që pasoi aksionin policor të 25 korrikut që Kosova ndërmori në veri të Mitrovicës, sipas drejtorit për Ballkanin Perëndimor të Fondit Rockefeller Brothers, Haki Abazi, flet për mungesën e seriozitetit në kërkimin e zgjidhjeve për problemet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ai tha se BE-ja nuk po e dëshmon neutralitetin e premtuar në dialogun Prishtinë-Beograd duke favorizuar interesat politike të këtij të fundit.
Kemi kurdisur një konflikt të ri potencial në Ballkan nëpërmjet një dialogu absolutisht joserioz...


“Kemi kurdisur një konflikt të ri potencial në Ballkan nëpërmjet një dialogu absolutisht joserioz të udhëhequr nga agjendat ditore të njerëzve, të cilët realisht këtu cilësohen si përfaqësues të institucioneve-që mund të jetë e vërtetë, por në anën tjetër ato janë institucione aq të brishta sa që as vetë agjendën nuk e kanë shumë të qartë”, vlerësoi Abazi.

Pala më e dobët në dialog, sipas Xhelal Sfeçlës, nga Lëvizja Vetëvendosje, është Prishtina zyrtare, e cila për këtë arsye është e detyruar vazhdimisht të pranojë koncesione në s’përputhje me interesat shtetërore. Ai tha se zgjidhja e problemit në veri të Kosovës bëhet me sundimin e ligjit, i cili, sipas tij, mungon edhe në pjesën tjetër të vendit.

“Nëse çështjen e veriut duhet ta zgjidh pjesa tjetër e Kosovës-jugu, atëherë është një problem i pazgjidhshëm momentalisht për shkak se nuk është problem vetëm veriu; problem është e gjithë Kosova. Shteti i Kosovës është kapur nga grupe kriminale politike dhe, rrjedhimisht, nuk mund të flitet jo vetëm për mirëqenie apo prosperitet, por nuk mund të flitet as për shans për prosperitet”, tha Sfeçla.
XS
SM
MD
LG