Ndërlidhjet

Shkup: Sulmohen nxënësit shqiptarë


Maqedoni...
Maqedoni...
Pesëmbëdhjetë nxënës shqiptarë të fshatit Çiflik të Shkupit kanë përfunduar në spital, pas një sulmi të kryer ndaj tyre nga persona të panjohur, derisa po ktheheshin me autobus nga shkolla.

Sipas të dhënave të dëshmitarëve, sulmi është kryer nga një grup prej rreth 20 personash të maskuar dhe me shufra hekuri e druri, që fillimisht kanë ndaluar autobusin lokal për t'u futur dhunshëm në të, me ç’rast edhe kanë filluar të qëllojnë mbi nxënësit.

Kjo ka ndodhur në Kisella Vodë, kur kanë hipur brenda, fëmijët nuk e kanë ditur se çfarë do të ndodhë, dhe ata menjëherë kanë filluar t’i rrahin. Nuk di as vajza çka të tregojë, pasi ka ndodhur në shpejtësi shumë të madhe. Deri 15 fëmijë janë që ankohen, ata janë 17 vjeçarë, viti i tretë në shkollën e mesme”, thotë prindi i një vajze të rrahur, i cili, me shumë prindër të tjerë, mbrëmë ishin tubuar para spitalit të Shkupit për t'u kujdesur për fëmijët, por dhe për të shprehur revoltën për aktin e ndodhur.

Tre nga nxënësit e rrahur, sipas autoriteteve mjekësore të spitalit në Shkup, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, andaj dhe do të mbahen për trajtim intensiv mjekësor.

Ndërkohë, rasti është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lidhur me këtë incident janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme nga ana e policisë, dhe besojmë se brenda një kohe të shkurtër, kryerësit e kësaj vepre do të përgjigjen për këtë akt kriminal”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, duke mos përjashtuar mundësinë që pas akteve të këtilla qëndrojnë struktura të caktuara, që synim parësor kanë prishjen e raporteve ndëretnike.

Unë nuk e përjashtoj mundësinë se në Maqedoni ka njerëz, të cilët dëshirojnë prishjen e raporteve ndëretnike, por jam e bindur se numri i atyre që nuk e dëshirojnë këtë është shumë më i madh, dhe do të japin kontributin e tyre të çmuar për uljen e tensioneve dhe demaskimin e të gjithë atyre që dëshirojnë tensione ndëretnike”, tha ministrja Jankullovska, duke kërkuar në veçanti bashkëpunim nga drejtuesit lokalë për evitimin e rasteve të këtilla.

Por, kryetari i Komunës së Studeniçanit në Shkup, ku ndodhi incidenti, thotë se pushteti lokal është i pafuqishëm të veprojë, pasi kompetencat në sferën e sigurisë janë të papërfillshme.

Unë konsideroj se kryekëput është kjo çështje e policisë, dikasterit të Punëve të Brendshme. Ata duhet të rishqyrtojnë çështjen e sigurisë së nxënësve, qarkullimit në autobusë, si do ta organizojnë këtë, është çështje e tyre. Ndërsa, në anën tjetër, ne përpiqemi në suaza të mundësive tona të punojmë me të rinjtë, nxënësit, gjithashtu edhe prindërit, që këto tensione të ulen. Mirëpo, konsideroj se përderisa nuk merren masa drejtpërsëdrejti ndaj këtyre aktorëve, të cilët i inicojnë këto ngjarje, sigurisht se këto do të përsëriten”, u shpreh Fati Iseni, kryetar i Komunës së Studeniçanit.

Ndërkohë, ministrja e Punëve të Brendshme, njoftoi se disa orë pas sulmit ndaj autobusit me nxënës shqiptarë, kishte ndodhur edhe një incident tjetër, por kësaj radhe në lagjen Çair të banuar me shqiptarë.

Sipas policisë, persona të panjohur kishin ndaluar një autobus urban me ç'rast kishin sulmuar dy të rinj të komunitetit maqedonas, por që kishin kaluar pa pasoja serioze.

Ndryshe, incidentet e mbrëmjes së të mërkurës ndodhin vetëm disa ditë pas vrasjes së dy të rinjve shqiptarë në Gostivar nga një policë maqedonas, akt ky që shkaktoi reagime e protesta të shumta në Shkup dhe Gostivar, si nga popullata ashtu edhe nga partitë politike.

Partia Demokratike Shqiptare e opozitës kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Maqedonisë për të diskutuar incidentet ndëretnike.

Por, kërkesa e saj për ndërprerjen e seancës së sotme të Kuvendit dhe nisjen e menjëhershme të debatit për rastin e fundit të rrahjes së nxënësve shqiptarë si dhe për rastet tjera, është refuzuar nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e Kryesisë qendrore të partisë ka dënuar aktet e fundit të dhunës, përfshirë incidentin e mbrëmshëm të rrahjes së nxënësve shqiptarë, si dhe ka kërkuar nga të gjithë faktorët relevant, që të ndikojnë me autoritetin e tyre “ për të parandaluar aktet e këtilla të dhunës që rrezikojnë stabilitetin e vendit”.

BDI-ja ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien në provokimet e qarqeve të caktuara që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ndërsa siguron marrjen e të gjitha masave për nxjerrjen para drejtësisë të aktorëve të akteve kriminale.

Në mbledhjen e kryesisë partiake, zëvendësministri i Brendshëm nga radhët e BDI-së, Xhelal Bajrami, ka raportuar mbi hetimet që po bën policia dhe ka paralajmëruar zbardhjen e plotë të rastit, pasi sipas tij, shumica e sulmuesve tashmë janë identifikuar nga ana e MPB-së.

Ndërkohë, edhe Ambasada Amerikane në Shkup, përmes një komunikate, ka shprehur keqardhje lidhur me incidentin e rrahjes së nxënësve shqiptare në një lagje të banuar me popullatë maqedonase.

Ambasada Amerikane kërkon nga palët ë jenë të përmbajtura, kurse mbështet institucionet në procesin e zbardhjes së plotë të rastit.

Ne mbështesim përpjekjet e ministres Jankullovska për të ndjekur procedurën hetuese dhe ligjore. I bashkëngjitmi asaj në dënimin e këtyre akteve, si dhe komenteve të saj që përkatësia etnike e cilësdo viktimë është e parëndësishme për procesin ligjor. Ftojmë të gjitha palët të mbeten të qeta, të presin zbardhjen e fakteve dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor”, thuhet në kumtesën e Ambasadës Amerikane në Shkup.
XS
SM
MD
LG