Ndërlidhjet

Holland: Kandidat “normal” presidencial për Francën


Francë...
Francë...

Nëse hulumtimet e opinionit tregohen se janë korrekte, atëherë president i ri i Francës mund të jetë Fransua Holland, 57 vjeçar, i cili për vete thotë se është person “normal”.

Aktualisht në hulumtimet e opinionit ai udhëheq ndaj presidentit aktual, Nikollas Sarkozi, me 6 – 10 %.

Zoti Sarkozi, politikisht përfaqësues i qendrës së djathtë, ka thënë se do të tërhiqet nga politika nëse pëson disfatë më 6 maj.

Nëse ndodhë kjo, atëherë ai do të ishte presidenti i parë në detyrë, që ka humbur në rizgjedhje prej vitit 1981.

Rrjedhimisht shtrohet pyetja se me çka i tërheq votuesit francezë Fransua Holland?

Ai këto zgjedhje i ka përshkruar si “hedhje poshtë e presidentit aktual”, stili jetësor i të cilit është i stuhishëm, ndërsa tendenca e tij për të bërë premtime të mëdha, i ka larguar shumë votues nga ai.

Ja se çka tha Holland pas fitores së tij në rundin e parë të zgjedhjeve:

Ndryshimi tash është në zhvillim e sipër. Asgjë, nuk do ta ndalë ndryshimin. Tash kjo varet nga populli francez. Zgjedhja është e thjeshtë: të vazhdojmë me politikë, që ka dështuar me një kandidat në largim, i cili na ka ndarë, ose ta rindërtojmë vendin me drejtësi, me presidentin e ri të Republikës, i cili do të na bashkojë”, tha Fransua Holland.

Kristian Makarian është redaktor në të përjavshmen franceze, “L’Express”.

Ai thotë:

Mendoj se ne duhet të shohim fitoren e mundshme të Fransua Hollandit si negacion ndaj sarkozizmit. Para se të bëjmë çfarëdo analize të Fransua Hollandit, duhet të themi se në favor të kandidatit socialist është lodhja, e ndoshta edhe refuzimi total i punës dhe personalitetit të Nikollas Sarkozisë”, tha analisti Makarian.

Për dallim nga Sakrozi pompoz, zoti Holland shihet si më serioz, diçka si politikan karriere, i cili është ngritur nëpër nivele partiake me punë të madhe.

Me gjasë, aspekti më intrigues i personalitetit të tij, është jeta e tij private. Partnere e tij tash është gazetarja Veronikë Triervejleir.

Më parë ai i ka kaluar më se 25 vjet me ish kandidaten socialiste presidenciale, Segolenë Rojal, me të cilën i ka katër fëmijë. Megjithëkëtë, ata kurrë nuk ishin martuar.

Në fushën ekonomike, të arriturat e Nikollas Sarkozit janë me një pikëpyetje, pasi borxhi qëndron mbi 90% të GDP-së, ndërsa papunësia është afro 3 milionë, që është niveli më i lartë prej vitit 1999.

Kjo edhe më tepër e ka ulur popullaritetin e presidentit aktual.

Përkundër mungesës praktike të zotit Holland në ekonomi, shumë francezë e shohin atë si administrator të besueshëm, i aftë për ta udhëhequr vendin nëpër stuhinë ekonomike.

Kristofer Bikerton është profesor në Universitetin e Shkencave Po në Paris. Ai mendon se situata aktuale ekonomike i shkon për shtati kandidatit socialist.

Politikat e kursimit po prodhojnë nivele të larta e jo të vogla të borxhit dhe njerëzit po e kuptojnë se rritja ekonomike është kryesorja. Në këtë aspekt, mendoj se kandidati socialist ka pak më tepër fat”, thotë Bikerton.

Njëra nga anët e dobëta të Hollandit duket se është mungesa e përvojës qeverisëse.

Ai asnjëherë nuk ka pasur ndonjë post qeveritar dhe praktikisht është i panjohur jashtë Francës.

Por, analisti Kristian Makarian ka shpjegim edhe për këtë aspekt.

Në gjithë Evropën, po paraqitet një gjeneratë e re e liderëve, të cilët janë më të rinjë se ata në Francë dhe të cilët nuk kanë mbajtur poste qeveritare në të kaluarën. Kjo konsiderohet normale. Vetëm në Francë, kandidati presidencial duhet të ketë shërbyer në të gjitha funksionet e mundshme, prandaj nuk është i freskët e as i ri kur ai bëhet president. Në këtë aspekt, Fransua Holland paraqet një shkëputje të vërtetë”, thotë analisti Makarian. (f. b.)
XS
SM
MD
LG