Ndërlidhjet

Kosova dhe shqetësimi i patriarkut Irinej e Qosiqit


Barrikadat në veri të Mitrovicës...
Barrikadat në veri të Mitrovicës...
Ndërsa flitet për negociata të ardhshme politike mbi Kosovën, qeveria e re e Serbisë synon që për hapat e ardhshëm të sigurojë konsensus kombëtar dhe disa deklarata të presidentit të ri serb paralajmërojnë një shkallë më të madhe të bashkëpunimit.

Në ditët e fundit, ndërkaq, u shfaqën lojtarët nga “adresat e mëdha” nga Kisha Ortodokse Serbe, patriarku Irinej dhe nga Akademia Serbe e Shkencave Dobrica Qosiq.
Duke reaguar ndaj shkrimeve në shtypin beogradas, se ‘babai i kombit’ Dobrica Qosiq është angazhuar për një njohje të civilizuar të Kosovës, akademiku dhe patriarku ishin unikë në qëndrimet e tyre.

Kurrë nuk kam shkruar se Kosova duhet të jepet në mënyrë të civilizuar”, ka thënë Qosiq, duke shtuar se “nuk kam tregtuar me Kosovën. Kurrë nuk do ta dorëzoja atë, as në mënyrë të civilizuar as me luftë”.

Ngjashëm tha patriarku Irinej:

Kisha Serbe, e cila ka qenë gjithnjë pranë popullit, kurrë nuk do të japë pëlqimin për atë që po lexohet sot në shtyp - në dorëzimin e civilizuar të Kosovës”.

Tomisllav Nikolliq dhe Irinej
Tomisllav Nikolliq dhe Irinej
Normalisht, të dy reagimet gjendeshin në tekstin e njëjtë në gazeta, ndërsa publikut i lihet të kuptojë se porositë janë dërguar në shumë adresa të rëndësishme. Në adresë të presidentit të Serbisë, të cilin e presin bisedime politike, ndërkaq kërkon konsensus kombëtar për këtë.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror për Kosovën në qeverinë e deritashme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga këto adresa të rëndësishme nacionale presidentit Nikollqit i është dërguar porosi e qartë paralajmëruese.

Në disa qarqe kjo politikë ndaj Kosovës dhe devijimi i vazhdueshëm, është parë si një prirje që do të çojë në vendim të dobët. Prandaj mendoj se për këtë çështje gjithnjë e më shumë do të flasin intelektualët e edhe patriarku dhe Kisha Ortodokse Serbe. Kjo tregon se ata ndjejnë një shqetësim të fortë,” tha Ivanoviq, duke shtuar se çdo ndryshim i qeverisë rrezikon që në ditët e para të sjellë lëvizjet e gabuara.

Publicisti Mirko Gjorgjeviq konsideron se disa deklarata të Tomisllav Nikolliqit, si për shembull se Serbia po e humb Kosovën çdo ditë, që ai nuk do të jetë kurrë president në Prishtinë, mund të shqetësojnë kundërshtarët e vijës së ashpër të pavarësisë dhe bashkë-autorët e asaj kohe të planit për heqjen e autonomisë së Kosovës e Vojvodinës.

Ky është prelud në pranimin e civilizuar të pavarësisë së Kosovës, të cilën e kundërshton Kisha dhe një pjesë nacionaliste e mbledhur rreth Akademisë, rreth shoqatës së shkrimtarëve…por, gjithçka po shkon në drejtim të realitetit, i cili duhet të njihet. Sepse, në të kundërtën, Serbia mund të kërcënohet edhe nga Sanxhaku me të njëjtën kartë, ndërsa në jug të Serbisë ekzistojnë disa komuna me shumicë shqiptare”, thotë Gjorgjeviq.

Qosiq...
Qosiq...
Gazetari i së përjavshmes “Vreme” Milan Milosheviq thotë se megjithëse ka pasur deklarata të Qosiqit mbi njohjen e civilizuar të Kosovës, ai nuk heq dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës, ndërsa Patriarku ka përsëritur qëndrimin e njohur të Kishës mbi Kosovën.

Nuk do të thosha se po përgatitet terreni për njohjen e Kosovës, por po përgatitet terreni për bisedime politike, që do të thoshin njohje të juridiksionit të Kosovës në tërë territorin, ndërsa, pala sebe përpiqet të nxjerrë sa më shumë nga plani i Ahtisarit”, tha Millosheviq.

Çka nënkupton pranimi i formulës për njohjen e realitetit kosovar, për çka po këmbëngul Brukseli dhe Uashingtoni.

Çështja është se si dhe kush e interpreton realitetin. Realitet është se Serbia nuk ka juridiksion në jug të Ibrit, ndërsa Prishtina nuk ka në veri.
Realiteti është se asnjë politikan serb nuk mund ta pranojë atë që kërkon administrata amerikane, sepse ai do t’i ekspozohej një ndjekjeje penale, sepse në Kushtetutë shkruhet se cili është statusi i Kosovës. Kjo nyje është e pazgjidhshme dhe e tillë do të mbetet
", tha Milan Millosheviq për Radion Evropa e Lirë.

Një tregues tjetër i pranimit të realitetit nga qeveria e re, mund të jetë fakti se as përparimtarët dhe as socialistët nuk e kanë përmendur asnjëherë se në qeverinë e re do të ekzistojë edhe më tej Ministria për Kosovën.(a.i.)
XS
SM
MD
LG