Ndërlidhjet

Një vit pas, gjendja në veri e pandryshuar


PIka kufitare në Bernjak, korrik, 2011
PIka kufitare në Bernjak, korrik, 2011
Gati një vit kur Qeveria e Kosovës, ndërmori operacionin në veri të Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, gjendja në atë pjesë të vendit nuk ka ndryshuar, thonë autoritetet e rendit.

Zyrtarët doganorë tregojnë se kontrabanda me mallra në veri të Kosovës po vazhdon, por jo në nivelin që ishte kohë më parë.

Drejtori i Doganave të Kosovës Naim Huruglica në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregoi se niveli i kontrabandës ka rënë, por siç thotë ai problemet në atë pjesë të Kosovës ende ekzistojnë.

Siç shprehet zoti Hurglica në pikën kufitare 1 dhe 31 kontrabanda është në pikën zero.

“Ajo që neve na shqetëson është se akoma kemi hyrje të mallrave ilegale përmes disa vendkalimeve kufitare të cilat nuk mund t’i kontrollojmë. Është jashtëzakonisht e vështirë të japim një vlerësim për humbjet, për vetë faktin se janë ilegale. Ne, nuk kemi një analizë të saktë se çka po hyn dhe çka po del, por vlerësohet se janë shumë më të vogla sesa ato që ishin në kohën kur kontrabandistët shfrytëzonin dy vendkalimet kufitare dhe nuk i përgjigjeshin kërkesave të EULEX-it që ata të lajmëroheshin në terminalin në jug”, tha Huruglica.

Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës më Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti.

Megjithatë, edhe Hoti konsideron se me një kontroll më të madh të policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, në një farë forme gjatë këtij vitit janë zbehur aktivitetet e kontrabandës.

“Nuk themi që nuk ka fare, por dukshëm është reduktuar në krahasim me vitet e kaluara. Zakonisht mallrat të cilat janë me vlerë, mallrat të cilat janë në përdorim siç janë derivatet e naftës, mallrat e tjera me vlerë, të cilat i shmangen taksave doganore, apo akcizave të ndryshme janë ato mallra të cilat futen në Kosovës, përfshirë këtu edhe barnat”, tha Hoti.

Aktualisht në brezin kufitar në veri të Kosovës, qëndron Polica e Kosovës, Doganat e Kosovës, policia e EULEX-it, dhe KFOR-i. Por, përgjegjësinë kryesore e kanë EULEX-i dhe KFOR-i.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica thekson se, dhe pse aktualisht nuk ka një siguri të duhur për doganierët kosovarë, optimizmi ekziston se në ditët në vijim me një përkushtim më të madhe të institucioneve të vendit, gjendja në veri të shkojë drejt një përmirësimi më të madh.

“Me qëndrimet e KFOR-it dhe EULEX-it të cilët po na ndihmojnë t 'i ngrisim kapacitetet tona, unë jam shumë optimist se situata do të vijë nga qetësimi dhe sqarimi. Mirëpo, sot për sot akoma gjendja paraqet vështirësi në implementimin e plotë të masave në zbatimit e ligjit për faktin se zyrtarët tanë vazhdojnë t’i bartin më helikopter dhe nuk është ende niveli i sigurisë që ata të udhëtojnë në mënyrë normale”, tha Huruglica.

Ndryshe, analistët politikë kanë konstatuar së fundmi se kërcënimet e njëpasnjëshme, si krimi i organizuar dhe kontrabanda, por edhe kalimet e kufijve pa lejen e autoriteteve të vendit po e cenojnë në mënyrë permanente shtetin e Kosovës.

Edhe zëdhënësi Hoti thotë se gjendja e në veri të Kosovës aktualisht është e qetë, por në vazhdimësi çdo veprim i autoriteteve të Kosovës vazhdon te kundërshtohet nga strukturat ilegale atje.

Hapat që vazhdimisht i ka ndërmarrë Policia e Kosovës në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës apo të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shtrirë autoritetin atje, ne kemi hasur gjithmonë në rezistencë nga grupet kriminale, ose strukturat paralele të dirigjuar nga vetë Qeveria e Serbisë. Ne jemi në vazhdimësi në kërkim të bashkëpunimit dhe shtrirjes së legjitimitetit apo më mirë të them të rendit dhe ligjit ose për të forcuar atë në një formë më të mirë edhe në veri të Kosovës”, tha Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas aksionit të policisë të datës 25 korrik të vitit në kaluar në veri, kishte përsëritur se veprimet e qeverisë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, kanë qenë veprime kushtetuese, ligjore dhe legale.

Ai po ashtu pati theksuar se është e qartë se Kosova mëton të integrohet në Bashkimin Evropian, por institucionet e Kosovës, siç është shprehur ai, nuk mund të qëndrojnë indiferente dhe të tolerojnë mosrespektimin e ligjit në një pjesë të territorit të saj.
XS
SM
MD
LG