Ndërlidhjet

Mërgimtarët nuk mendojnë të kthehen në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim
Çdo vit në muajt e verës, Kosova vizitohet nga një numër i madh i mërgimtarëve, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme.

Në mesin e mërgimtarëve ka shumë të rinj, disa nga të cilët nuk kanë lindur në Kosovë, por kanë dëshirë që për një periudhë të shkurtër të qëndrojnë në Kosovë. Për rubrikën tonë të përjavshme “VOX” ata thonë se pushimet kanë dëshirë t’i kalojnë në vendlindjen e prindërve të tyre, por jo edhe të jetojnë në Kosovë.



Lulzim Krasniqi, që me profesion është ekonomist dhe jeton në Ulm të Gjermanisë, thotë se aktualisht nuk mendon të kthehet në Kosovë për të jetuar ose për të punuar.

“Unë vij në Kosovës pothuajse çdo vit, me familje, se këtu është vendi ynë. Ne kemi këtu pjesën tjetër të familjes. Pak ndryshime shoh, po rinia s’kanë shumë aktivitete, papunësia e madhe edhe nuk po shoh ndonjë të ardhme njëherë për njëherë”, thotë Lulzim Krasniqi.

Kurse, sa i takon çështjes se kur ai mendon të kthehet në Kosovë, shprehet:

“Të kthehem, jo se jo. Tash unë atje e kam jetën time, e kam punën edhe të ardhurat janë shumë më të mira. Kjo nuk diskutohet”.

Edhe Hajriz Dilaveri, i cili me familjen e tij jeton në Zvicër, thotë se Kosova ofron pak në përgjithësi, në krahasim me vendin ku ai jeton.

“Shkollën duhet përfunduar atje, të provosh të gjesh ndonjë punë të mirë, e këtu veç për pushime. Për të jetuar nuk e besoj... Ndoshta kur të plakem vij ndonjëherë, por tash mendoj e them jo. Nuk e di, atje më pëlqen më shumë”, shprehet Hajriz Dilaveri.

Kurse, për Edon Hasanin, i cili thotë se është në përfundim të shkollës së mesme, Kosova është vend shumë i mirë për të jetuar, por vetëm për, siç shprehet ai, periudhën e pleqërisë.

“Kur të plakem pse jo, por tash kur jam i ri po rri atje në Zvicër ku kam lindur. Jam në shkollë edhe pak kohë filloj me zanatin. Te ne në Zvicër është diçka tjetër. Kur ne kemi pushime, nuk punojmë. E këtu në Kosovë, është diçka tjetër. Kur këta po kanë pushim, po dalin të punojnë, nuk është ai pushim siç e bëjnë këta këtu”, tregon i riu Edon Hasani.

Ndërsa, Eris Miftari, thotë një nga arsyet se pse dëshiron të jetojë Zvicër, janë të ardhurat:

“Atje ka më shumë para, këtu nuk merr pagë të madhe. Atje ka më shumë para, këtu rrogat janë të vogla”.

Genita Demolli, e cila në Kosovë ka ardhur për pushime nga Norvegjia, thotë Kosova i pëlqen shumë vetëm për pushime, por jo për të jetuar:

“Ende nuk kemi bërë plane për të ardhur këtu për të jetuar. Nuk e di ndoshta të shohim se si do të bëhet, tash për tash nuk e di”.

Edhe Aleks Deda në Kosovë ka ardhur nga Zvicra. Ai thotë se jeta e natës në Prishtinë i pëlqen shumë, por të rinjve kosovarë, sipas tij, u mungojnë shumë gjëra.

“Të rinjve këtu u mungojnë shumë gjëra. Kushtet nuk i kanë si ne. Unë në Zvicër e kam shtëpinë, i kam të gjitha gjërat”, tregon Aleks Doda.

Kurse, Kushtrim Sherifi, i cili jeton në Kosovë, thotë se të rinjtë që kanë ardhur nga diaspora, kanë të drejtë kur thonë se nuk duan të kthehen për të jetuar në Kosovë.

“Po, për të rinjtë ka më shumë gjëra, shkolla, sport, të gjitha janë më mirë e më shumë se këtu”, thotë Kushtrim Sherifi.

Ministria e Diasporës, në kuadër të organizimit të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës në Kosovë - 2012”, është duke organizuar aktivitete të ndryshme për bashkatdhetarët në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.

Institucionet kosovare u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve që kontributi i tyre për vendin të mos jetë i përqendruar vetëm në remitenca, por të mendohet në investime më të mëdha që të mund të ulet shkalla e papunësisë në vend.
XS
SM
MD
LG