Ndërlidhjet

Jahjaga: Nuk më lejohet të jap dorëheqje


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
“Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar një dialog politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me çfarë parakushtesh do të hyjë Prishtina në këtë dialog dhe cilat janë temat që do të mund të shtroheshin në të?



ATIFETE JAHJAGA
Republika e Kosovës është shtet sovran, është shtet i pavarur dhe ka integritetin e plotë territorial; vendos marrëdhënie me të gjitha shtetet tjera si subjekt ndërkombëtar dhe i barabartë.

Si subjekt i tillë do të jetë edhe në çdo raport dhe në çdo marrëdhënie edhe me Republikën e Serbisë. Si dy shtete fqinje ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet mes dy shteteve tona, duke vendosur edhe raporte diplomatike.

Në marrëdhëniet midis shteteve, zakonisht dialogohet për të gjitha çështjet që janë në interes të të dyja shteteve, duke e shprehur me nënshkrimin e marrëveshjeve bilateral ndërkombëtare. Me dialog politik nënkuptoj vullnetin dhe gatishmërinë e shprehur midis dy shteteve për të zgjidhur dhe për të arritur marrëveshje për cilëndo çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka Prishtina zyrtare plan ose strategji të veprimit në bisedimet me Beogradin zyrtar?

ATIFETE JAHJAGA
Jo. Nuk ka nevojë të ketë as plan dhe as strategji, sepse siç e dini, për Republikën e Kosovës strategjia është përcaktuar me aktin e pavarësisë së shtetit tonë. Veprimi konkret është veprim institucional, që ngërthen apo përfshin në vete, edhe programin e qeverisë së Kosovës, veprimet dhe punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës…
Për ta përmbledhur me një fjali, është zbatimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja që thuhet të jetë më e vështirë për të biseduar është ajo e veriut të vendit. Ka shumë opsione për veriun, përfshirë edhe atë të statusit special dhe autonominë. Sa është e gatshme Prishtina zyrtare të hyjë në bisedime me Beogradin për këtë çështje, duke marrë parasysh kërkesat për një status të posaçëm atje?

ATIFETE JAHJAGA
Shteti ynë, Republika e Kosovës, asnjëherë dhe me askend, nuk do të bisedojë për asnjë pjesë të territorit tonë, pra për sovranitetin tonë. Do të ketë dialog të brendshëm me qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre legjitim, do të ketë dialog edhe me qytetarët serbë në të trija komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, siç ka edhe me qytetarët tjerë, në pjesët dhe komunat tjera, përfshirë edhe ato komuna që përbëhen nga shumica etnike serbe. Por, dialog të jashtëm, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, as nuk ka dhe as nuk do të ketë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ketë imponim të zgjidhjes për veriun, pasi të dyja palët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre?

ATIFETE JAHJAGA
Jo, nuk ka imponues dhe nuk ka kush ta bëjë imponimin, sepse secila zgjidhje duhet të jetë e vullnetshme dhe e zbatueshme. Gjithsesi, është e nevojshme dhe e Domosdoshme, gatishmëria e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vullneti i shprehur lirshëm i qytetarëve të një mjedisi të caktuar. Pra, këto të dyja janë procese të pandashme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova dhe Serbia aspirojnë anëtarësimin në BE. Me gjasë të dyja tash për tash po e pengojnë njëra tjetrën në këtë rrugë, duke mos i normalizuar marrëdhëniet mes tyre. A është BE-ja vendi ku normalizohen marrëdhëniet?

ATIFETE JAHJAGA
Jo. Unë konsideroj se para se të hyjmë në Bashkimin Evropian, duhet të zgjidhen të gjitha çështjet dhe duhet të tregojmë gatishmërinë se jemi të gatshëm të përmbushim të gjitha standardet, normat dhe të gjitha kushtet, që të bëhemi vend anëtar i BE-së.

Edhe për Republikën e Kosovës, edhe për Republikën e Serbisë, do të jetë më e lehtë rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian, nëse ndihmojnë njëra – tjetrën dhe nëse japin shembull të mirë të ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Po i afrohemi ditës kur do të përfundojë faza e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Çfarë janë pritjet tuaja dhe posaçërisht sfidat pas përfundimit të kësaj faze?

ATIFETE JAHJAGA
Janë sfida normale të cilitdo shtet që është i lirë dhe i pavarur, dhe që është subjekt i barabartë me të gjitha shtetet tjera në arenën ndërkombëtare, që është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që është i gatshëm t’i marrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, po kalojmë në një çështje që ka të bëjë me mandatin tuaj. Thirrjet për dorëheqjen tuaj po bëhen më të zëshme nga partia më e madhe opozitare LDK. Cili është qëndrimi juaj, marrë parasysh se ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për mandatin tuaj?

ATIFETE JAHJAGA
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një amandament konkret të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili është shpallur si kundër-kushtetues dhe është vlerësuar se me amandament nuk mund të shkurtohet mandate kushtetues i asnjë institucioni të zgjedhur.

Unë jam zgjedhur me vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kandidimit tim i ka paraprirë një marrëveshje e realizuar në mes të tri partive politike. Jam e obliguar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Unë, poashtu kam shprehur edhe vullnetin që do ta respektoj edhe marrëveshjen politike. Por, u përket palëve të marrëveshjes që të arrijnë unitetin dhe t’i gjejnë modalitetet e respektimit apo zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Unë jam faktor uniteti dhe nuk më përket të mbaj njërën anë apo të përkrah qëndrimin e njërës apo dy partive politike. Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit.

Jemi një shtet me demokraci të konsoliduar dhe është paraparë që të kemi proces të rregullt të zgjedhjes së presidentit dhe procedurë të rregullt të dorëzimit të mandatit, pa marrë parasysh a bëhet kjo pas një muaji, apo pas një viti apo në fund të mandatit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kërcënimet e LDK-së për bllokim të reformës zgjedhore e kushtetuese për shkak të mos-dorëheqjes suaj po bëhen më të shpeshta. Ju nuk do ta lironi postin e presidentes me qëllim të zbatimit të reformave?

ATIFETE JAHJAGA
Jo! Është çështje e partive politike se në ç’masë dhe si dëshirojnë të zbatojnë reformat kushtetuese dhe zgjedhore. Unë jam jashtë këtij procesi, por si presidente e vendit jam e interesuar që kjo reformë të jetë e suksesshme dhe të sjell shtetin ligjor.

Pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur për Republikën e Kosovës është jetike që nëpërmjet reformës kushtetuese dhe zgjedhore të arrijmë shkallën më të lartë të demokracisë cfare e kanë vendet e Bashkimit Evropian.

Këto ndryshime nuk lidhen me individë, me grupacione e as me parti politike, por lidhen me fatin e vendit dhe me drejtimin që do ta marrim në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se jeni faktor uniteti; sa të vështirë do ta keni ta zbatoni këtë rol, nëse LDK mban qëndrim kundër jush?

ATIFETE JAHJAGA
Unë kam qenë, jam dhe do të jem faktor uniteti, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Unë kam marrëdhënie korrekte me të gjitha partitë dhe subjektet politike.

Në momente të caktuara, për vendime të caktuara, ndonjë parti politike mund të shpreh mospajtimin apo ndonjë qëndrim kundër ndaj meje si presidente e vendit, por unë këtë e shoh si pjesë të demokracisë dhe e tillë është. Në punën time nuk varem nga qëndrimet dhe veprimet e partive politike.
XS
SM
MD
LG