Ndërlidhjet

LDK tërhiqet nga Komisioni për reformën zgjedhore


LDK
LDK
Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga Komisioni për reformën zgjedhore në shenjë pakënaqësie për mosrespektimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore, që në fakt prekte edhe në mandatin e presidentes aktuale dhe institucioneve të vendit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kryetari i këtij Komisioni, Haki Demolli, deputet i LDK-së, ka dhënë arsyet pse LDK tërhiqet nga ky komision.
...ne, dy përfaqësuesit e LDK-së, duke e pasur parasysh mosrespektimin e marrëveshjes tripalëshe, tërhiqemi nga Komisioni deri në momentin kur kjo marrëveshje të zbatohet.


“Sot kemi mbajtur takimin e fundit të Komisionit për reformën zgjedhore dhe ne, dy përfaqësuesit e LDK-së, duke e pasur parasysh mosrespektimin e marrëveshjes tripalëshe, tërhiqemi nga Komisioni deri në momentin kur kjo marrëveshje të zbatohet”, ka deklaruar Demolli.

Kurse, nga Partia Demokratike e Kosovës, ky veprim i LDK-së është parë si i dëmshëm për proceset reformuese.



Anëtari i Komisionit për reformën zgjedhore nga Partia Demokratike e Kosovës, Behar Selimi, ka shprehur mendimin se qëndrimi dhe veprimet e LDK-së për t’u larguar nga Komisioni, nuk janë artikuluar në mënyrë të qartë.

“Qëndrimet për të dalë nga proceset reformuese janë të dëmshme. Çfarëdo reforme e karakterit sistemor, duke përfshirë në këtë rast posaçërisht reformën zgjedhore, nuk mund të bëhet pa një unitet të subjekteve politike. Prandaj, unë konsideroj se akoma qëndrimi nuk është artikuluar në mënyrë të qartë dhe duhet të besoj se liderët politikë duhet të takohen dhe të japin përgjigje në disa pyetje që kanë të bëjnë edhe me marrëveshjen edhe reformat kushtetuese e zgjedhore”, ka thënë Selimi.

Gjatë mbledhjes së te mërkurës të Komisionit për ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, është dhënë një mesazh që komisioni e ka të vështirë të vazhdojë punën pa përgjigjet esenciale lidhur me reformën zgjedhore, kanë deklaruar anëtarët e Komisionit.

Sipas Selimit, pa një pajtim të liderëve kryesorë politikë nuk mund të vazhdohet puna e Komisionit për reformën zgjedhore.

“Ne, si komision, kemi qenë të fokusuar në reformë zgjedhore dhe nuk jemi marrë me çështje të tjera politike të zbatimit të marrëveshjes. Ndërkohë, që përfaqësuesit e LDK-së u thirrën në faktin që nuk po zbatohet marrëveshja”, është shprehur Selimi.

Në rast të mosndryshimit të reformave kushtetues dhe zgjedhore, Kosova do të humbë shumë, ka vlerësuar deputeti Selimi.
E dimë që BE-ja ka insistuar me këmbëngulje në reformën zgjedhore, prandaj një qëndrim i tillë (si ai LDK-së) është i dëmshëm”.


“Do të ndërlidhem me Raportin e Fizibilitetit, që do të vijë në fund të këtij viti, që lidhet pastaj edhe vendimi për liberalizimin e vizave. E dimë që BE-ja ka insistuar me këmbëngulje në reformën zgjedhore, prandaj një qëndrim i tillë (si ai LDK-së) është i dëmshëm”, ka thënë Selimi.

Sipas marrëveshjes së vitit të kaluar ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, vendi do të shkonte në vjeshtën e këtij viti në zgjedhjet e para presidenciale, si dhe në vjeshtën e vitit tjetër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por, Gjykata Kushtetuese kishte interpretuar më pas këtë marrëveshje, përkatësisht pjesën që fliste për shkurtimin e mandatit të presidentes si jo kushtetuese.

Në bazë të asaj marrëveshjeje, ishin formuar edhe komisionet ad-hoc, për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore.
XS
SM
MD
LG