Ndërlidhjet

Shkup: Moszbatimi i ligjeve të etiketuara si evropiane


Shkup (Foto nga arkivi)
Shkup (Foto nga arkivi)


Përderisa Qeveria e Maqedonisë thekson se është e angazhuar në përmbushjen e detyrave sa i përket reformave në gjyqësi, në administratë publike dhe në procesin zgjedhor, ekspertët vlerësojnë se kundrejt dinamikës së arsyeshme për miratimin e ligjeve me shenjë evropiane nga Kuvendi i Maqedonisë në raportin e ardhshëm të progresit, Maqedonia do të kritikohet për moszbatimin praktik të të njëjtave.

Lidija Dimova nga Qendra për Arsim Evropian, thotë se pushteti nën maskën e miratimit të ligjeve me shenjë evropiane, mbron para së gjithash interesat e veta në segmente të caktuara për ta ruajtur pushtetin dhe jo të kontribuojë në zhvillimin e demokracicë. Dimova këtë e argumenton me mosinkuadrimin e ekspertëve gjatë miratimit të ligjeve të caktuara.

Me gjithë respektin për Administratën shtetërore, ata gjërat i njohin në nivel teorik, derisa për problemet reale kanë pak njohuri. Andaj në vendet me demokraci të zhvilluar, ligjet i sjellin mbi parimin inkluziv (gjithëpërfshirës). Me këtë rast përfshihen të gjitha palët që i prek ligji i caktuar, dhe jo siç ndodh në Maqedoni, Qeveria i propozon dhe Parlamenti si makineri votuese i miraton të njëjtat pa debat serioz sa i përket kapacitetit të institucioneve që t`i zbatojnë të njëjtat ligje në praktikë”, thotë Dimova.

Ngjashëm shprehet edhe Naser Ziberi, ekspert për çështje juridike, duke theksuar se viteve të fundit është bërë praktikë që aspak të mos konsultohen ekspertët nga lëmi të caktuara.

“Kjo qeveri do të jetë kampione në përjashtimin e kuadrit akademik, njerëzve të eksperiencës, profesionistëve në lëmi të caktuara në procedurën e hartimit të ligjeve. Dhe, problem serioz padyshim janë resurset njerëzore në kuadër të administratës, të cilët duhet t`i implementojnë në praktikë po këto ligje”, pohon Ziberi.

Sipas Ziberit, ndryshimet e fundit në sistemin gjyqësor, prej ku Qeveria pret lëvdata më shumë, problemi është dhe më i madh, ngase administrata nuk është e aftësuar në atë masë që t’i përballojë ndryshimet e fundit ligjore.

“Po qe se ju keni një administratë, e cila është rekrutuar, jo sipas sistemit të meritave, por sipas përkatësisë partiake dhe kësaj kur t’ia shtoni edhe faktin se keni ligje që shpeshherë janë të dykuptimta, madje edhe të pakuptimta jocilësore, atëherë del në sipërfaqe fakti pse në Maqedoni kemi mungesë të implementimit të legjislaturës në jetën praktike dhe pse Maqedonia nuk e ndryshon funksionimin e vet konform rekomandimeve të Komisionit Evropian”, thekson Ziberi.

Nga ana tjetër, Lidija Dimova thotë se pushteti, nën maskën se çështja e emrit është ajo që bllokon proceset integruese, kamuflon ngecjet në realizimin e reformave, të cilat janë përcaktuar qartë nga Brukseli.

“Në Maqedoni nuk realizohen reformat në masën që janë përcaktuar si detyrim nga BE-ja, për t`u anëtarësuar në familjen evropiane, dhe përderisa vendi ka ngecje të theksuara në realizimin e reformave që kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, Brukseli krijon mekanizma për t’i dhënë shtytje procesit siç është rasti i fundit me dialogun në nivel të lartë ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së”, shprehet Dimova.

Ndryshe, në shtator, Qeveria e Maqedonisë duhet t’i përmbyllë të gjitha obligimet në tri fushat kryesore, si dialogu me mediat, legjislacioni dhe raportimi rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, kur për herë të tretë komisionari evropian Shtefan Fyle do të vizitojë Maqedonine në kuadër të dialogut të lartë qeverisës.
XS
SM
MD
LG