E mërkurë, prill 16, 2014 Kosova 06:24

Shëndetësi

30 milionë euro donacione për 2013

Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Madhësia e shkronjave - +
Shëndetësia kosovare do të përfitojë 30 milionë euro nga donacionet, të cilat do të fillojnë të implementohen në fund të këtij viti, si dhe në vitin 2013.

Këtë e bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Sipas tij, shumë donatorë kanë ofruar ndihmë dhe viti i ardhshëm do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket shëndetësisë.

“Kur e kam marrë mandatin si ministër, nuk ka pasur fare interesim të donatorëve. Ka qenë duke u zhvilluar vetëm një projekt, derisa shumë donatorë të rëndësishëm kanë qenë të tërhequr dhe ka qenë një gjendje mjaft e rëndë. Me kënaqësi mund të them se falë punës që është bërë, kemi arritur ta rikthejmë besimin dhe tani mund të themi se i kemi përfituar si donacion  rreth 30 milionë euro”, konfirmoi Agani.

Por, jo edhe anëtarë të Komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, mendojnë kështu. Liburn Aliu, nga radhët e Vetëvendosjes, tha se donacionet e përmirësojnë gjendjen në shëndetësi, por jo në masën e duhur që do të duhej.


Sipas Aliut, reformimi i gjithë sistemit shëndetësor, duke përfshirë përkrahjen e Qeverisë me rritje buxheti, do  të mund të ndryshonte pozitivisht gjendjen aktuale në shëndetësinë kosovare.

“Kjo është si rrjedhojë dy problemeve, ato në start nuk menaxhohen drejt dhe nuk ka një strategji të përgjithshme për reformimin e shëndetësisë. Pra, nuk mundet një sektor parcial të bëjë përpjekje për t’u zhvilluar, pa e zhvilluar shëndetësinë në përgjithësi”.


“Mund të investohet në një klinikë, por gjendja e përgjithshme dhe mosmenaxhimi i mirë, bën që kjo të shkojë dëm më vonë. Pra, shëndetësia kërkon një plan të madh, i cili natyrisht do të kishte përkrahje edhe nga qeveria në rritjen e buxhet
it”, u shpreh Aliu.



Sipas Aliut, gjendja kaotike në shëndetësi është e natyrës politike. Ai shtoi se mund të ketë keqmenaxhime, por kjo është dukuri në tërë sistemin qeverisës në Kosovë dhe nuk mund të fajësohet fytyra e ndonjërit, por duhet të reformohet e tërë shëndetësia, ashtu siç ka nevojë të reformohet i tërë sistemi qeverisës në vend.

“Nëse  tentohet të reformohet një sektor në shëndetësi, pa e synuar reformën në shëndetësi, do të dështojë. Problemi është se gjërat duhet të shikohen më gjerë. Shikimi partikular ka dalë që investimet shkojnë dëm. Gjendja e mjerueshme në shëndetësi që po shkon duke u përmirësuar në mënyrë graduale, përndryshe po mos të ishin edhe këto donacione, do të kolapsonte menjëherë”, shtoi Aliu.

Ndërkaq, udhëheqësi i Sindikatës së shëndetësisë, Blerim Syla, tha se me gjithë shumën e madhe që është derdhur në buxhetin e shëndetësisë, prej pas luftës, ato nuk janë vërejtur në praktikë. Sipas tij, këto shuma ose janë keqmenaxhuar, ose kanë shkuar në vende jo adekuate.

“Jemi dëshmitarë se donacionet ose janë keqmenaxhuar, ose nuk kanë shkuar në vendin e duhur apo në interes të shëndetësisë kosovare. Dëshmia më e mirë janë barnat që kanë ardhur si donacion dhe tash po shkatërrohen".

"Është e rëndësishme që këto donacione të menaxhohen mirë. Në praktikë nuk shohim asnjë rezultat të këtyre donacioneve. Menaxhimi i mirë, identifikimi i kërkesave reale dhe identifikimi i problemeve, do të ndihmonin që këto donacione të mos shkojnë te menaxherët që aktualisht i kemi, por të formohen grupe ekspertësh që do ta menaxhonin në mënyrë adekuate”,
tha Syla.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Dr Kallodra Prej : Prrenjas
17.10.2012 16:59
o njerëz donacionet nuk janë poenta e zhdukjes së parave, ato ashtu e ashtu janë pastrime e mashtrime monstruoze, merruni me vjedhjen e buxhetit të RK, me trafikimin e pacientëve nga spitali publik në privat, me barnat që nuk janë, me tmerrin e shëndetësisë...shihni sa para ka dhënë ministria për teknologji informative e ende shkruajnë me makina shkrimi të shekullit të shkuar, merruni me avancimet personale te Ministrit e stafit të ministrisë e qkuk-ja është në kolaps total. tmerr, krejt në dubravë për shumë vite, edhe hajnat edhe ndihmësit e tyre. Poashtu konfiskim pasurie, për të gjithë ata që vodhën popullin dhe buxhetin e mjerë afrikan që disponon RK.