Ndërlidhjet

FP: Pse Kina do fitoren e Romneyt?


Mitt Romney
Mitt Romney
Cili kandidat presidencial i Shteteve të Bashkuara do të jetë më i mirë për marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës?

Këtë pyetje shtron revista Foreign Policy duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme edhe për Pekinin, pasi Shtetet e Bashkuara, në vitin 2011, kanë qenë partneri më i madh tregtar i tij. Pekini, sipas revistës, nuk është ende i vetëdijshëm se cila do të jetë politika ekonomike e Amerikës në katër vjetët e ardhshëm, në kohën që ai po shënon rritje.

Politikat e Shteteve të Bashkuara, së bashku me çështjet që përfshijnë punën, mjedisin, qasjen e tregut dhe të drejtat e pronës, do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe prosperitetin e Kinës.

Rrjedhimisht, e gjithë kjo do të ndikojë edhe në stabilitetin e brendshëm të Kinës dhe ndoshta në legjitimitetin e qeverisë së saj, pasi në nëntor, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve në SHBA, Partia Komuniste kineze do të zgjedhë udhëheqjen e re.

Me gjithë retorikën e tij agresive, republikani Mitt Romney mund të jetë më i mirë për Kinën, shkruan Foreign Policy.

Po sipas revistës, republikanët tradicionalisht kanë favorizuar tregtinë e lirë, sipërmarrjen e lirë dhe më pak rregulla – cilësi këto që, pak a shumë, janë në përputhje me filozofinë e tanishme të Kinës për zhvillim, investime dhe tregti.

Që kur dy vendet kanë krijuar marrëdhënie zyrtare në vitin 1979, raportet e tyre të përgjithshme kanë qenë më të mira kur republikanët kanë qenë në pushtet.

Premtimi i përsëritur i Romneyt se do të klasifikonte Kinën si manipulues të monedhës është mirë i ditur. Por, a mund ta bëjë vërtet një gjë të tillë? Foreign Policy kujton se Kina ka importuar 120 miliardë dollarë mallra amerikane më 2011 dhe se rreth 1 milion kinezë kanë vizituar Shtetet e Bashkuara atë vit, duke shpenzuar secili nga 7,000 dollarë mesatarisht.

Këto shifra do të rriten në vitin 2012 dhe a do ta respektojë Romney kërcënimin e tij në dëm të qindra-mijëra vendeve të punës në SHBA?

Dy ditë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008, Obama ka bërë një kërcënim të ngjashëm për të mbrojtur industrinë e tekstilit në SHBA nga konkurrenca kineze. Pasi ka fituar zgjedhjet, administrata e tij ka kaluar katër muaj duke hetuar nëse Kina po shtypte në fakt monedhën e saj. Konstatimi? Kina nuk manipulonte.

Revista shkruan se nëse Romney fiton, ai do të ndjekë hapat e Obamës. Mbi të gjitha, ai nuk do të mendojë vetëm për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, por edhe për mandatin e tij të dytë. Si president, vijon artikulli, Romney duhet të kuptojë se Kina mund të jetë më pak konkurruese sesa një mundësi për Shtetet e Bashkuara. Sipas revistës, tensioni ekonomik dhe financiar në SHBA është kryesisht rezultat i globalizmit dhe shpenzimeve tejet të mëdha, sidomos për shkak të luftërave në Irak dhe Afganistan.

Uashingtoni mund të fajësojë Pekinin për acarimin e krizës financiare në SHBA ose mund të angazhohet me Kinën, duke punuar së bashku për një zgjidhje të dobishme për të dyja vendet, shkruan Foreign Policy.

Derisa lufta dhjetëvjeçare e Amerikës në Azinë Qendrore po shkon drejt fundit, Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë më pak nevojë për të bashkëpunuar në frontin antiterrorizëm. Dhe, kjo rishpërndarje e burimeve mund të shkaktojë probleme, thuhet në artikull.

Me rritjen e shpejtë të Kinës dhe me zemërimin e SHBA-së me atë që konsideron si ndikim në rritje të Pekinit, administrata e Obamës ka kaluar në strategjinë e balancimit të Kinës në Azinë Lindore dhe më gjerë. Rritja e fërkimit midis dy vendeve, e shkaktuar nga dyshimet e Uashingtonit për qëllimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe shqetësime të tjera, kanë thelluar mosbesimin e tyre strategjik. Nëse Obama fiton, ai me siguri se do të vazhdojë në këtë drejtim, shkruan revista Foreign Policy.

Sipas saj, as politika e jashtme e Romnyt nuk do të ishte patjetër e mirë për Kinën. Ai ka premtuar se do t’i shesë armatim më të avancuar Tajvanit dhe se nuk do të kalojë shumë kohë për t’i shpjeguar Pekinit politikat e sigurisë amerikane në Azi. Përkundrazi, administrata e tij thjesht do të mbrojë udhëheqjen amerikane në rajon.

Obama, sipas revistës, përpiqet ende të shpjegojë se “loja” e tij në Azi nuk ka për qëllim të frenojë Kinën dhe, kurdo që i jepet rasti, ai bën gjeste të bashkëpunimit me Kinën.

Ndërkaq, Romney dhe udhëheqësi i ardhshëm kinez, Xi Jinping, ka gjasa të shtrëngojnë duart dhe të harrojnë atë çfarë ka thënë kandidati republikan deri më tani, shrkuan Foreign Policy.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG