Ndërlidhjet

Banac: ‘Shteti brenda shtetit’ legjitimon ndarjen e Kosovës


Ivo Banac
Ivo Banac

“Veriu duhet të integrohet-natyrisht pa e dëmtuar interesin e serbëve në veri dhe kudo në Kosovë. Por, këto aspirata nuk mund flasin për ‘një shtet brenda një shteti’. Nëse projekti për veriun, të cilin e propozon Bashkimi Evropian, i përngjan statusit të Republika Srpskas në Bosnjë, më duhet të shprehën tërësisht kundër kësaj ideje”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ligjëruesi në Universitetin Yale, Ivo Banac.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi takoi homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në zyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton. Takimi u cilësua të jetë historik. Ku e shihni ju rëndësinë e këtij takimi dhe cili mund të jetë hapi i radhës në drejtim të bisedimeve të ardhshme politike në mes të palëve të përfshira?

IVO BANAC
Më duket se ky takim u është përshtatur interesave të të tria palëve-zonjës Ashton, zotit Thaçi dhe zotit Daçiq në mënyra të ndryshme që s’duhet me doemos të jenë një kontribut i madh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Zonja Ashton dëshiron ta zgjidh këtë çështje dhe mora vesh se ajo ka disa propozime konkrete për të cilat nuk pajtohem- për shembull, një nivel shumë i lartë i autonomisë për veriun. Zoti Thaçi është nën presione të shumta dhe ai duhet të demonstrojë se është bashkëpunues kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian.

Zoti Daçiq është nën presione të mëdha meqë e di se mund të formohet një aleancë nëse Gjillas mbizotëron Partinë Demokratike në Serbi dhe bën pastaj një koalicion me zotin Vuçiq për ta përjashtuar eventualisht zotin Daçiq nga qeveria serbe. Me të kaluarën që ka, Daçiqi duhet të demonstrojë se është dikush që e mirëpret bashkëpunimin me Bashkimin Evropian. Për këtë arsye mendoj se ai ka hyrë në këtë aranzhim duke u përpjekur të mbrojë pozicionin e tij që është i minuar në Beograd.

Nuk shoh asgjë më shumë nga ky takim, sepse nga të gjitha trazirat që ai shkaktoi-veçanërisht në Kosovë me demonstratat që ndodhën-nuk dihet hapi i ardhshëm. Mendoj se çdo gjë ka mbetur siç ishte para këtij takimi me pothuaj asnjë zhvillim të ri. Nuk është aq i madh sa e kanë pritur disa apo aq i rëndësishëm sa ka mundur të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A e dinë Prishtina e Beogradi, në fakt, se çfarë duan të nxjerrin nga ky proces duke pasur parasysh se nuk kanë platforma zyrtare për këto bisedime politike?

IVO BANAC
Nuk kam përshtypjen se e dinë por shoh një pozicionim-një pozicionim për t’i lëvizur vendet e tyre drejt qendrave të rëndësishme politike në Evropë e ndoshta edhe në Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor, edhe pse Prishtina publikisht mohon se do të diskutojë me Beogradin mbi çështjet e brendshme, duket se veriu do të jetë tema kryesore e këtyre bisedimeve. Siç e përmendët ju, një autonomi më e lartë për veriun mund të jetë një opsion, por a ka momentalisht hapësirë për konsensus mbi këtë çështje dhe sa kohë do të merrte gjetja e një lloj zgjidhjeje?

IVO BANAC
Varet nga ajo se çfarë dëshironi. Qëndrimi parimor është gjithmonë më i miri. Pra, veriu duhet të integrohet-natyrisht pa e dëmtuar interesin e serbëve në veri dhe kudo në Kosovë. Por, këto aspirata nuk mund flasin për ‘një shtet brenda një shteti’. Nëse projekti për veriun, të cilin e propozon Bashkimi Evropian, i përngjan statusit të Republika Srpskas në Bosnjë, më duhet të shprehën tërësisht kundër kësaj ideje. Ajo që ka bërë statusi në fjalë është legjitimimi i ndarjes në një shtet të njohur ndërkombëtarisht. Nëse bashkësia ndërkombëtare e dëshiron këtë për Kosovën nuk mund të flitet aspak për zgjidhje. Me këtë vetëm se do të mbështetej politika, të cilën dëshiron ta zbatojë Serbia në Kosovë e kjo është që të hiqet veriu nga Kosova dhe të bëhet pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, kemi parë në të kaluarën qëndrime të fuqishme sidomos në Berlin në kërkesën për heqjen e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës. A shihni ju...

IVO BANAC
Po i kemi parë, i kemi parë, por ajo që po bëhet tani nuk është saktësisht ajo që kancelaria Angela Merkel ka kërkuar vazhdimisht. Pra, duket se e kemi edhe një shembull për diferencat në politikën e Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, mendoni se ngërçi në veri po thellohet në vend se të zgjidhet?

IVO BANAC
Kam frikën se po.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, meqë po flasim për BE-në... BE-ja ia ka vendosur Serbisë si parakusht për avancimin e saj në integrimin evropian normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova, ndërkaq, duhet të përmbush disa prioritete afat-shkurtëra për të nisur negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Satbilizim-Asociim me BE-në. Nëse Serbia, pas një kohe, merr datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, cilat do të ishin përfitimet për Kosovën?

IVO BANAC
Mendoj se perspektiva që Serbia të marrë kërkesën për nisjen e negociatave për anëtarësim është e largët për shkak të liderëve shumë autoritar në Serbi-përfshirë presidentin Nikoliq- që kanë thënë se nuk do ta shkëmbejnë asnjëherë Kosovën për anëtarësimin në BE. Ka edhe arsye të tjera që e vendosin Serbinë larg integrimit-arsye që ndërlidhen me problemet e brendshme që janë larg standardeve evropiane.

Pra, shikuar nga ky këndvështrim Kosovës i mbetet shumë kohë. Kosova ka një problem më të madh që ka të bëjë pikërisht me këtë situatë të paqëndrueshme. Kjo situatë nuk nxit njohje të mëtejme të shtetësisë së Kosovës e sidomos jo nga ato shtete të BE-së që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohje. Ky është problemi serioz. Ky nuk mund të zgjidhet me bërjen e koncesioneve lidhur me minoritetin serb në Kosovë, por me një mori reformash brenda vet Kosovës.

Ajo që i nevojitet Kosovës është një lloj tjetër i qeverisë që do të ishte më pak e prekur nga akuzat për korrupsion dhe të gjitha llojet e mashtrimeve-gjë që aktualisht është një pengesë shumë serioze për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendët pesë shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën. Deri më tani Kosovën e kanë njohur më shumë se 90 vende, por ka pasur shumë paqartësi lidhur me procesin e njohjeve në përgjithësi-nuk dihej se a e ka njohur apo jo ky apo ai shtet Kosovën? Si i cilësoni ju këto dilema në procesin e njohjes?

IVO BANAC
Sapo thash që nëse përjashtojmë disa zhvillime të rëndësishme tek shtetet që kanë probleme serioze me minoritetet si Spanja, atëherë bëhet e qartë se pengesa kryesore për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës është pikërisht akuza e mirënjohur se rregullimi i brendshëm i Kosovës është i papërkryer. Kjo duhet të trajtohet, por ndoshta jo nga zoti Thaçi që është në qendër të këtyre akuzave.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga kush atëherë?

IVO BANAC
Supozoj se ekziston një opozitë e besueshme në Kosovë, e cila duhet të veprojë. Nuk e kam fjalën patjetër për opozitën që po del në rrugë. Ka parti të tjera që duhet t’u shpjegojnë njerëzve në Kosovë se cilat janë opsionet. Këto opsione nuk janë të parëndësishme. Nuk po flasim për kohë të zakonshme, por po flasim për çështje serioze që do të kenë ndikim në historinë e këtij rajoni për vitet e ardhshme.
XS
SM
MD
LG