Ndërlidhjet

“Mbrojtja civile” në veri, strukturë civile apo sigurie?


Veri, foto nga arkivi
Veri, foto nga arkivi
Zyrtarët e komunës së Mitrovicës kanë shfaqur shqetësimin se fundjavën që lamë pas, më 3 dhe 4 nëntor, në veri të Mitrovicës është vërejtur prania e personave të uniformuar, të organizatës “Civilna Zastita” apo “Mbrojtja civile”.

Behxhet Bala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i komunës së Mitrovicës, thotë për Radion evropa e Lirë, se në mbrëmjen e së shtunës në afërsi të gjykatës, në pjesën veriore të Mitrovicës, janë vërejtur pjesëtarët e “Mbrojtjes civile”, sipas tij, me uniforma.

Janë parë rreth 10 persona, me uniforma me ngjyrë të kaltër, që i përngjan shumë uniformave të zjarrfikësve, të cilëve ju shkruan në atë uniformë ‘Civilna Zastita Kosovske Mitrovice’, që do të thotë ‘Mbrojtja Civile e Mitrovicës’. Megjithatë, sipas informatave që kemi, ata kanë bërë një lloj sigurimi, sepse ka pasur të vijë një delegacion i komunave të Serbisë në Mitrovicë. Ata kanë dalë më herët, në mënyrë që të sigurojnë terrenin. Armatim nuk është vërejtur që kanë pasur, përveç se kanë qenë të uniformuar”, thekson Bala.

Mbrojtja Civile në veri të Kosovës është një organizim i serbëve të atjeshëm, në kuadër të strukturave paralele që financohen nga Serbia.

Në fillim të këtij viti, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, patën konfirmuar edhe publikisht ekzistencën e kësaj Mbrojtjeje, duke thënë se pjesëtarët e saj merren më shumë me “çështje komunale”.

Bala ka theksuar se prania e pjesëtarëve të “mbrojtjes civile” është vërejtur edhe në afërsi të urës dhe në fshatin Rudare.

Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët janë njoftuar me rastin, thonë se personat nuk kanë qenë me uniforma, por kanë bartur xhaketa të kaltra, me mbishkrimin në gjuhën serbe dhe gjuhën angleze “mbrojtja civile”.

Zëdhënësi i kësaj policie, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se megjithatë policia e ka iniciuar rastin dhe hetimet janë duke u zhvilluar.

Policia e Kosovës tashmë e ka iniciuar një rast në bashkëpunim me prokurorin. Thjesht, ka kërkuar që të fillojë hetime për rrethanat e paraqitura. Mirëpo, ajo çfarë është më e rëndësishme, duhet bërë të ditur se personat në fjalë nuk kanë të bëjnë asgjë me patrullimin, me ndalimin ose me kontrollin e çfarëdo lloj situate në veri”.

Kanë qenë persona që me vete kanë bartur xhaketa të tilla, gjatë përcjelljes së një delegacioni të ashtuquajturve kryetar komunash të veriut të Kosovës, të cilët, sipas informacioneve që kemi ne, kanë pasur një takim të karakterit më tepër kulturor e fetar se sa atij politik”, shprehet Hoti.


Por, kush janë njerëzit, të cilët janë parë me xhaketat me mbishkrimin “Mbrojtja civile”?


Mbrojtja Civile në veri të Kosovës është një organizim i serbëve të atjeshëm, në kuadër të strukturave paralele që financohen nga Serbia.

Në fillim të këtij viti, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, patën konfirmuar edhe publikisht ekzistencën e kësaj Mbrojtjeje, duke thënë se pjesëtarët e saj merren më shumë me “çështje komunale”.

Millan Ivanoviq, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ata janë qytetarë serbë, të cilët shërbejnë në, siç e quan ai, institucionin “mbrojtja civile”.

Siç thotë ai, pjesëtarët e “mbrojtjes civile” kryejnë punë të ndryshme, në kuadër të së drejtave që të organizohen në atë mënyrë edhe sipas Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sigurisht që ekziston ky institucion në kuadër të të gjithë komunave, të cilët merren me punë të caktuara në komuna, përballen me rreziqet e mëdha, përfshirë këtu edhe fatkeqësitë elementare nga zjarri, vërshimet dhe kështu me radhë. Mendoj se nuk kemi të bëjmë me ndonjë formacion, i cili është në kundërshtim me kornizën e Rezolutës 1244”.

Mendoj se nuk kemi të bëjmë me uniforma klasike por me disa veshje pune dhe se këta njerëz nuk mund të vihen në kontekstin e ndonjë para-formacioni apo ndonjë organizimi që është në përputhje me këto principe”, shprehet Ivanoviq.

Por, Bala ka shprehur dyshimin se në “Mbrojtjen civile” ka edhe pjesëtarë që janë të inkriminuar, të ashtuquajtur “roje të urave”, por edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë të shtetit serb.

“Rojat e Urës” kanë qenë një grupacion i paligjshëm sigurie, i themeluar në përfundim të luftës në Kosovë, në përbërje të të cilit thuhej se kishte edhe pjesëtarë të pensionuar të forcave paramilitare serbe.

Prania e këtij grupi në urë ka pamundësuar qarkullimin e lirë ndërmjet pjesës jugore të Mitrovicës, të banuar me shumicë shqiptare dhe asaj veriore të banuar me shumicë serbe.

Unë mendoj se këtu fshihen strukturat ilegale edhe të MUP-it, por edhe të tjerë dhe mund të them lirisht se ata edhe janë të njohur për qytetarët joserbë që jetojnë në atë pjesë. Por, sigurisht se janë të njohur edhe për policinë se kush janë këta njerëz, të cilët veprojnë, për mua, ilegalisht”, thekson Bala.

Në anën tjetër, Ivanoviq mohon se në “Mbrojtjen civile” ka të ashtuquajtur “roje të urave” dhe thekson se kjo organizatë vepron, siç thotë ai, me dijen e mekanizmave ndërkombëtarë përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

Sigurisht që nuk ka ‘roje të urave’ dhe kështu me radhë. Mendoj se e gjithë kjo është e sinkronizuar dhe në marrëveshje me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Mendimi dhe përshtypja ime është se nuk bëhen veprime në këtë plan, pa dijeninë dhe pa sinkronizim me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, do të thotë, mendoj për EULEX-in , KFOR-in dhe UNMIK-un”, tha Ivanoviq.

Ndryshe, Hoti ka thënë se policia nuk e mohon faktin se në veri të vendit ka mbetje të strukturave paralele, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndonjë efekt administrativ..

Nuk kanë ndonjë efekt administrativ, përveç faktit që ata janë prezent. Nuk e mohojmë si fakt, por, gjithsesi, kjo punë mbetet të shqyrtohet edhe në nivele më të larta e jo vetëm nga niveli i karakterit policor, sepse situatat e tilla shpeshë herë e tejkalojnë kompetencat e policisë. Por, gjithsesi, mbetet që situatat e tilla, në të ardhmen, të shqyrtohen edhe me strukturat ndërkombëtare të sigurisë, siç janë EULEX-i dhe KFOR-i”, thotë Hoti.

Përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës, kanë kërkuar nga strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që ndaj “mbrojtjes civile”,“të ndërmarrin masa dhe të mos lejojnë një gjë të tillë, që paraqet ndërhyrje e Serbisë në Kosovë”.

Vetë zhbërja e strukturave paralele ndërkaq, është një nga kërkesat më të shpeshta drejtuar kryesisht Beogradit zyrtar, prej nga edhe mundësohet financimi i këtyre strukturave në veri.
XS
SM
MD
LG