Serbia do të kushtëzohet nga Brukseli të vendosë marrëdhënie normale me Kosovën para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka deklaruar të premten në Prishtinë, ish ministri i Jashtëm i Francës dhe shefi i administratës së UNMIK-ut në Kosovë në periudhën e parë të vendosjes së administratës së Kombeve të Bashkuara pas 12 qershorit të vitit 1999,
Bernard Kouchner.
Gjatë një konference për media të mbajtur në Prishtinë, Kouchner ka përshëndetur
fillimin e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur besimin se në fund, palët do të vendosin një normalizim marrëdhëniesh reciproke.
“
Ka një kushtëzim që vjen nga Brukseli për secilin vend që aspiron integrimet dhe kjo ka të bëj me paqen dhe bisedimet me fqinjët. Nuk e them që Serbia do ta njeh Kosovën tani, kjo do të vjen më vonë, por të tregohet e gatshme për bisedime dhe normalizim”, ka thënë Kouchner.
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, sipas tij, do të mund të ndikonte që Kosova të njihej edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së si dhe do të zbuste qëndrimin e Rusisë në raport me pavarësinë e Kosovës.
Një nga temat e pashmangshmet dialogut, sipas tij, pritet të jetë çështja e veriut dhe autonomisë për këtë pjesë.
Duke folur nga perspektiva e këtij problemi që nga viti 1999 e këndej, Kouchner ka pranuar edhe fajin e bashkësisë ndërkombëtare që nuk ka shtri autoritetin e vet tej lumit Ibër.
“
Mendoj se gabimi më i madh ishte ndalesa tek lumi Ibër. Territori i Kosovës ishte mbi malet dhe jo mbi lumin. Kjo, ndoshta nuk ishte zgjidhje e drejtë, por kjo është jeta”.
“
Ka hapësirë që të negociohet për një autonomi substanciale për këtë pjesë siç është bërë që nga fillimi i krizës dhe ashtu siç është definuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar përmes Planit të Ahtisarit”, ka deklaruar Kouchner.
Shtëpia e verdhë në Shqipëri
Po ashtu, Kouchner ka mohuar edhe njëherë se gjatë periudhës së pasluftës dhe kohës sa ishte në krye të UNMIK-ut ka dëgjuar ndonjëherë për të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë” në Shqipëri, ku sipas pretendimeve të
Dick Martit, është bërë trafiku i organeve të serbëve të zënë rob nga ana e UÇK-së.
“
Unë kurrë nuk kam dëgjuar për trafik organesh derisa kam qenë në detyrë (shef i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK)..., kurrë, kurrë”.
“
Kemi pasur 45 mijë ushtarë në rajon, përfshi edhe në Shqipëri, kishim policinë dhe gjithë stafin ndërkombëtar dhe asnjëherë nuk dëgjuam për këtë trafik organesh”, ka deklaruar diplomati francez.
“
Tash e keni EULEX-in këtu, ata janë në detyrë, janë profesionist dhe mund t’i pyesni ata. Unë kurrë nuk e kam parë këtë ‘shtëpi të verdhë, gjelbër apo të purpurt”, theksoi Kouchner.
Krejt në fund, si një nga personalitet që ka kontribuar në Kosovë, Bernard Kouchner ka shprehur sot habinë e tij se si autoritetet e Kosovës nuk e kanë ftuar atë asnjëherë në shënimin e pavarësisë së Kosovës.